Liderët ndërkombëtarë kanë dënuar me forcë sulmet terroriste në qendër të Europës. Kancelarja gjermane Angela Merkel, deklaroi se sulmeve terroriste duhet t’u përgjigjemi me solidaritet dhe vendosmëri,.“Sulmet e urryera në Bruksel duhet të na bashkojnë. Solidaritet me viktimat dhe vendosmëri përballë terroristëve’’, deklaroi në emër të kancelares gjermane zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert në Twitter.
I shokuar është shprehur edhe David Cameron Kryeministër i Britanisë së Madhe. “Jam i shokuar dhe i brengosur për ngjarjet në Bruksel. Në do të bëjmë çdo gjë që të ndihmojmë” tha Cameron në faqen e tij në twitter.
Presidenti francez, François Hollande deklaroi sot në një komunikatë se nëpërmjet atentateve në Bruksel, është goditur e gjithë Evropa. Evropa duhet të marrë masat e domosdoshme përballë nivelit të lartë të kërcënimit”, shtoi presidenti francez.
Presidenti Putin u shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe mbretit belg, Philippe. Sulmet e sotme terroriste në Bruksel janë një krim barbar, deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin. “Lufta kundër këtij djalli kërkon nivelin më të lartë të bashkëpunimit aktiv ndërkombëtar’’, u shpreh Putin me anë të një komunikate.
Ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk shpreu “tmerrin” pas sulmeve terroriste në mëngjes në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit dhe në metronë e kryeqytetit belg. “Këto sulme shënojnë një nivel të ri të ulët nga terroristët në shërbim të urrejtjes dhe dhunës”, theksoi Tusk në një komunikatë.
Shefja e politikës së Jashtme në Bashkimin Evropian, Federica Mogherini doli në një konferencë shtypi me ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Nasser Judeh në Aman, ku shprehu ngushëllimet për viktimat.
Dalia Grybauskaitė, Presidentja e Lituanisë, tha se këto janë akte të tmerrshme të terrorizmit./E.T
