Që t’i japim fund tranzicionit

editor

Pas rreshtimit te ri te forcave me krijimin e aleancës PS-LSI, shumica kuvendore e krijuar me “skuadrën e gatshme” të qejfmbeturve të opozitës, vuri në lëvizje motorin e vet të njohur të shkeljes së ligjit nëpërmjet tërcifërcirimeve ligjore. Duke kërkuar të “lirohet” nga detyra një anëtar i KQZ-së, që përfaqëson LSI-në e larguar nga pushteti.

Kodi Zgjedhor aktual, i miratuar me konsensus të gjerë e i bekuar dhe nga OSBE-ja si specialiste ndërkombëtare për kode zgjedhore e për zgjedhje të lira e të ndershme (paçka se në Shqipërinë e tranzicionit nuk e ke dëshmuar dot ende një aftësi të tillë) thotë shprehimisht se kur e pse shkarkohet një anëtar i KQZ-së, por nuk ka gjëkundi të shkruar “lirimin” nga detyra të një funksionari të tillë. Megjithatë, shumica pushtetare aktuale , që qëndron më këmbë me miell të marë hua nga zemërakët e pakicës opozitare, duket se është e vendosur dhe këtë herë të përdorë arabeskat ligjore për të shkelur ligjin që ka miratuar dhe vetë.

Në këtë situatë, njeriu i shkretë i këtij vendi të leqendisur e të telendisur nga të sëmurët për pushtet e nga pushtetet e sëmurë, ka të drejtë të pyesë pushtetarët tanë specialistë në shtrembërimin e ligjeve që miratojnë vetë, por të pyesë pastaj edhe përfaqësuesit e nderuar të OSBE-së në Tiranë, se si mund t’i jepet fund tranzicionit tonë të shëmtuar me veprime të tilla antiligjore…

Se shqiptari i thjeshtë është tanimë tepër i lodhur me deformimet e ligjeve e me shkeljet e rënda ligjore të pushtetarëve ta tranzicionit tonë të gjatë. Është tepër i lodhur e i zhgënjyer qytetari shqiptar me deformimet e vetë sistemit pluralist e të sistemit demokratik të qeverisjes nga ana e skotës sonë pushtetare, si trashëgimtare besnike e diktaturës komuniste.

Është i lodhur qytetari i thjeshtë shqiptar me këto bëma të skotës sonë pushtetare, bëma-gjëma që nisën qysh me dështimin e bujshëm  që patën “tufëzat dhe arëzat” në ekonomi aty nga fundi i diktaturës komuniste dhe me suksesin që patën ato “tufëza dhe arëza” në politikën tonë të tranzicionit. Është i njohur qytetari i duruar shqiptar me zaptimin e të gjithë fushës së lojës politike nga partitë e krijuara në zyrat e errëta të Partisë së Punës. Siç është i njohur qytetari i duruar shqiptar me deformimin e hapët të demokracisë së brendshme të partive gjysma të partisë-mëmë…

Tanimë e kanë parë të gjithë shqiptarët sesi njëri nga trashëgimtarët besnikë të diktatorit të fundit u përpoq sa mundi ta komandonte me celular nga mejhanet atë motor “Shqiponja” që i mbeti në ugaret e shkretuara . Sikurse kanë parë dhe tjetrin të djersijë aq shumë për ta kthyer Frontin Demokratik në garnizonin e Tiranës dhe sesi u bë katërsh për të vënë në punë firmën e famshme “Shqiponja” që të thyente embargon e OKB-së dhe të furnizonte me karburant makinën vrastare të Milosheviçit…E kanë parë shqiptarët e varfër e aq të lodhur nga tranzicioni i zgjatur prej pushtetit, se si u bënë copa brigadierët e pushtetit të trashëguar të diktaturës për t’u shkuar “prapa historia” dhe u shkoi prapa vetëm ajo që i polli e i solli në pushtet, u shkoi prapa vetëm gjëma e zezë e këtij vendi dhe faqja e zezë e tyre nga zullumet e rënda që bënë në dëm të popullit e të vendit të tyre…

Sikurse i kanë parë tanimë të gjithë shqiptarët e ndërkombëtarët edhe ato partiçkat e vogla, që shërbenin si suflere të zellshme , apo si rekuizitë e teatrit pluramizist të Shqipërisë së rraskapitur të tranzicionit. Sepse ky ka qenë pluralizmi ynë teatral gjatë më shumë se dy dekadave tranzicion. Një teatër i shëmtuar me demokracinë, i luajtur me aq gjakim pushteti nga trashëgimtarët e diktaturës. I luajtur me aq zell teatri i politikës sonë të tranzicionit, sa duket sikur nganjëherë ka arritur të argëtojë dhe jo pakë prej përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare të akredituar në Tiranë. E jo vetëm mjaft prej atyre të akredituarve në Tiranë, por edhe ndoca lobistë në kryeqytetet e demokracive më të zhvilluara, doemos këta të paguar bujarisht me taksat e shqiptareve të varfër.

E kanë parë dhe e kanë provuar me kurriz qytetarët shqiptarë deformimin e demokracisë si sistem qeverisjeje. E kanë parë dhe e kanë provuar edhe me jetën e demonstruesve të vrarë në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”me armët e Gardës së Republikës dhe pushteti i tranzicionit ka arritur deri edhe të mburret botërisht për një krim të tillë shtetëror(!) Sepse pushteti aktual i Tiranës ngulmon të qëndrojë në karrige edhe me krime të tilla. Sepse pushteti aktual i Tiranës ka arritur të instalojë përsëri Partinë-shtet, si paraardhësit e vet në diktaturën e shkuar. Sepse është frika nga mbarimi i tranzicionit , ajo që ë bën këtë lloj pushteti të sëmurë të përpiqet me thonj e me dhëmbë për të hedhur të gjitha pushtet në një dorë të vetme. Është frika nga zullumet e veta, ajo që e bën këtë palo pushtet ta kthejë dhe shtetin në një shërbëtor pagojë të pushtetit.

***

Këto të gjitha i dinë qytetarët shqiptarë, sepse i kanë provuar në kurriz pasojat e një sëmundjeje të tillë të trashëgimtarëve të diktaturës. I dinë mirë  e prandaj kërkojnë sa munden e si minden që të mbledhin fuqitë për t’i dhënë fund këtij tranzicioni rrënues në të gjithë drejtimet .

I dinë të gjitha këto  qytetarët shqiptarë e kjo i shtyn të kërkojnë përditë e më tepër nga politika  që të dëgjojë vërtet zërin e qytetarëve dhe të marrë përsipër reformimin e thellë të këtij shteti të kthyer në shërbëtor të përulur të pushtetit. Janë të velur tanimë qytetarët shqiptarë me britmat e çjerra të pushtetarëve , që betohen e përgjërohen se do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe në të vërtetë dëgjojnë vetëm zërin e ngjirur të sëmundjes së tyre të rëndë për sundim absolut mbi këtë popull durimshumë.

Sikurse e dinë mirë të gjithë qytetarët normalë të këtij vendi se , që t’i jepet fund këtij teatri të shëmtuar të kastës politike trashëgimtare besnike të diktaturës, është i nevojshëm një bashkim i energjive pozitive për të shpëtuar sa më parë shtetin nga kthetrat e përbaltura e të përgjakura të pushtetit . E dinë shqiptarët e punës e të vuajtjeve nga varfëria në një vend të bekuar nga treqind ditë diell e të mallkuar vetëm nga një çetë pushtetarësh hajdutë të paskrupullt, që nuk kanë turp as të mburren me krimet ndaj popullit të tyre(!). Kjo duket se është dhe arsyeja kryesore se përse është pritur aq mirë gjithandej ajo pjesë e programit të Frymës së Re Demokratike, që parashtron Reformimin e thelle të Shtetit. Një Reformim i thellë  që nis me Amendimet e Kushtetutës, për ta përditësuar e për ta përshtatur ligjin themelor të shtetit me nevojat e vendit e të kohës në të cilën jetojmë. Amendime që  e bëjnë vendin me një President të Republikës të zgjedhur nga populli, për të përfaqësuar unitetin kombëtar dhe për të qenë roje e Kushtetutës e jo roje me shkop tek dera e zyrës së brigadierit të radhës të pushtetit.

Përjashto një pakicë që ka bindje vetëm shërbimin e verbër ndaj pushtetit të radhës, të gjithë qytetarët normalë të këtij vendi e dinë mirë se, për ta shpëtuar shtetin nga kthetrat e ndyra të pushtetit, na duhet një Sistem Zgjedhor i përparuar që të garantojë në frymë e në praktikë barazinë e votës së qytetarëve kudo që jetojnë e punojnë . Na duhet një Sistem Zgjedhor që të mos ua mohojë të drejtën e votës mërgimtarëve tanë të shumtë. Na duhet një Sistem Zgjedhor që të njohë jo vetëm në letër, por të mundësojë zbatimin e të drejtës së referendumit popullor për çdo problem që kërkon miratimin e shumicës së qytetarëve. Sikurse na duhet një Kuvend me 100 deputetë të zgjedhur nga populli ,se nuk kemi luksin të mbajmë 140 të tillë të emëruar nga kryetarët e partive.

Që t’i japim fund tranzicionit tonë të zgjatur nga ethet e pushtetarëve tanë të sëmurë, na duhen institucione të pavarura kushtetuese me titullarë të zgjedhur nga një shumicë e cilësuar e Kuvendit e jo të emëruar nga pakicat e kthyera në shumica FLUIDE me ‘skuadrat speciale” të marra hua nga opozita e opozitës. Që t’i japim fund trazicionit , na duhen kufizimet ligjore të mandateve për zyrtarët e lartë të të gjitha niveleve dhe jo pushtetarë të përjetshëm, që presin të zbresin nga karriget vetëm kur t’i “thërrasë i Gjithëfuqishmi” për në fund të ferrit.

Që t’i japim fund tranzicionit dhe ne, na duhet një reformim rrënjësor i sistemit të Drejtësisë. Sikurse na duhet një sistem i mirëfilltë konkurrimi për rekrutimin në administratë. Sepse na duhet një administratë civile profesioniste e jo një zallahi militantësh, që presin radhën për të zënë vendin e njëri-tjetrit në bazë të pjesëmarrjes në mitingjet politike.

Që t’i japim fund vërtet këtij tranzicioni rraskapitës, na duhet një reformë e thellë në ndarjen territoriale, që të kemi vërtet kontroll të plotë mbi territorin e administruar me merak për zhvillimin e tij të gjithanshëm e jo për të majmur ca kryetarë vendorë, që shëmbëllejnë më shumë me bejlurçina të fryrë me shpërdorimin e fondeve publike,dhe jo me administratorë të përkushtuar të njësive vendore.

Share This Article
4 Comments
  • Qe t’i japim fund tranzicionit,i nderuari dhe i respektuari z.Gumeni, na duhen mbi te gjithe politikane te ndershem,te pakten me minimumin e ndershmerise;na duhen politikane qe te mos mashtrojne dhe luajne me ndjeshmerine popullore,qe te mos tallen me te; na duhen politikane te qendrueshem dhe jo te paparashikueshem qe,per nje trill personal t’i shpien njerezit e thjeshte drejt humbjes; na duhen e c’fare s’na duhen,por…. asnje prej politikaneve kryesore qe kemi sot per sot,nuk i ka keto cilesi,perkundrazi,jane shembulli i perkryer i mashtrimit me pervers qe mund te njohe arti i politikes.
    Deri para do kohesh,Edi Rama, na pat ushqyer shprese dhe optimizem,aq me shume qe edhe shqiptare dinjitoze dhe me integritet te larte moral si ju zoti Gumeni e mbeshteten ate.
    Po sot?! Edhe shpresa e fundit,per nje shqiperi dhe shoqeri,ashtu sic e thoni ju ne shkrim,eshte shuar,sepse,Edi Rama,i cili vete me aq pathos dhe mjeshteri na e ushqeu,e shkkermoqi ate njehere e mire.Flm.

  • Po ti te pakten ne pamje te dukeshe dhe si burre i mencur teksa te shihje ne presidence te veshur e ngrefosur si gjeli maje kotecit, ne krah te Mejdanit, Moisiut e Topthit. Dhe duke te besuar per te tille sapo Jua pame emrin e bleme me vrap gazeten per t’Ju lexuar zgjidhjen tuaj gjigande se si na u dashkerka t;i jepnim fund tranzicionit. Por shtangem kur qe ne krye te shkrimit merreshit me anetarin e KQZ-se, duke mbeshtetur idene se ky nuk u dashkerka nderruar. Dhe duke zbritur me poshte lexojme qe nuk pyet as per moral dhe as per politike te ndershme. Dhe kur keto qe ti i mbeshtetkerke kaq shume i ben kundershtari atehere qenkeshin antiligjore dhe anti, anti anti qe vetem ju i thoni. Aaaaaaa. Mjaft! Jo dabellstandard jo shume i nderuar zoteri tanime. Ose qendrojini ceshtjeve si duhet ose mos merr mundimin te mashtrosh njerezit, se tani je dhe politikan profesionist, duke u angazhuar me partine e Topthit.

  • ne fakt tranzicioni ka mbaruar, por eshte njeri qe kerkon ta na e ktheje “me cdo kusht” dhe ky eshta saliu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *