Që nga zgjedhjet e 24 shkurtit, prej 52 ditësh, Italia është pa qeveri, pa mazhorancë parlamentare dhe tanimë pa President Republike. Të kuptohemi, zyrat e institucioneve të mësipërme nuk janë bosh. Mario Monti është formalisht Kryeministër dhe Këshilli i Ministrave mblidhet rregullisht, por të gjithë janë në regjim dorëheqjeje, pra vetëm për “administrimin normal” dhe në pamundësi për të kryer vendimarrje politike të qënësishme. Parlamenti i ri është mbledhur sipas afateve ligjore, ka zgjedhur Presidentët përkatës (Laura Boldrini për dhomën e ulët dhe Pietro Grasso për Senatin), por për të qënë funksional duhet të formojë komisionet, përbërja e së cilave duhet të pasqyrojë raportin numerik midis mazhorancës dhe opozitës. Por ndërkohë që nuk egziston akoma as mazhorancë dhe as opozitë, atëhere komisionet nuk mund të lindin duke bërë thuajse të pamundur procesin ligjvënës. Së fundmi, sa për të ndërlikuar më tej situatën, mandati shtatëvjeçar i Presidentit të Republikës fatkeqësisht përfundon në maj, kështu që të enjten e ardhshme Parlamenti fillon procedurën për votimin e Presidentit të ri.
Zanafilla e paralizës perfekte të sistemit politiko-institucional italian qëndron tek rezultati i zgjedhjeve të 24 shkurtit. Nga kutia e votimit dolën tre minoranca me një fuqi elektorale çuditërisht të barazpeshuar. Edhe pse në Dhomën e Ulët e majta fitoi 55% të mandateve falë sistemit elektoral duke pasur vetëm 29% të votave, në Senat (ku ndarja e mandateve është ndryshe) asnjë nga tre partitë kryesore (PD-ja e Bersani-t, PdL-ja e Berlusconi-t dhe Lëvizja 5 Yje e Beppe Grillo-s) nuk arrin dot shumicën. Një qeveri mund të krijohet vetëm nëse dy prej tre partive në fjalë do formonin koalicion. Në të kundërt parlamenti do shkrihej dhe Legjislatura e XVI-të do të vdiste që në djep. Por presidenti aktual Napolitano, në bazë të kushtetutës, nuk mund të shpërndajë parlamentin në gjashtëmujorshin e fundit të mandatit, kështu që vendosi të lëri dosjen në duart e pasardhësit. Bersani dhe Berluskoni (të dy të dalë me kocka të thyera nga sfida elektorale e shkurtit me respektivisht 4,5 dhe 6,5 milionë votues të humbur në raport me 5 vite më parë), duke pasur si një shtizë të ngulur në brinjë Lëvizjen e Grillos , duhet të akordohen më parë për Presidentin e ri dhe më pas (ndoshta) për qeverinë. Një lëmsh i vërtetë.
Ta zëmë se mund të gjendet një dakordësi kalimtare mbi një emër të veçantë siç është ai i Presidentit (përshembull figura të shquara si juristi Rodotà apo politikani dhe profesori i së drejtës kushtetuese Giuliano Amato). Problemi real është ngritja e një koalicioni qeverisës që mund të udhëheqi Italinë për pesë vitet e ardhshme. Duke patur parasysh që në qendër të valles politike është Partia Demokratike e cila zotëron shumicën dërrmuese në Dhomën e Deputetëve, le të analizojmë në pak rreshta dy skenarët e mundshëm. Rruga e parapëlqyer nga Pierluigi Bersani do të ishte një koalicion me Lëvizjen 5 Yje të Beppe Grillo-s me fokusin e spostuar në disa (pak) pika programore të përbashkëta. Deri më tani një tentativë e tillë nuk ka patur sukses për shkak të refuzimit të prerë të Grillo-s i cili u shpreh qartazi se “me shkaktarët e fundosjes së Italisë, nuk do bëjmë kurrë pakte”, dhe se “Lëvizja synon të qeverisi e vetme duke shporrur politikën e vjetër.” Grillo ka gjithçka për të humbur nga një koalicion me PD-në sepse do të flijohej vetë qëllimi rrënjësor i Lëvizjes 5 Yje: reformatim total i gjithë klasës politike aktuale. Mesazhi elektoral ishte ky, dhe një veprim ndryshe do dukej si një tradhëti ndaj votuesëve.
Gjithashtu PD-ja do kishte gjithçka për të humbur nga një koalicion me partinë personale të Silvio Berluskonit. Përqafimi me armikun e 20 viteve të fundit do ishte një goditje vdekjeprurëse për militantët e së majtës italiane dhe do të shkaktonte një përçarje thuajse të pakthyeshme në gjirin e vetë Partisë Demokratike. Në të njëjtën kohë ky koalicion i gjerë do perceptohej si një konfirmim i tezës së Grillo-s se “të gjithë janë njësoj” dhe se “e vetmja alternativë e politikës së vjetër është Lëvizja 5 Yje”. Me një fjalë do shënonte humbjen e sigurtë në zgjedhjet e ardhsme si për PD-në ashtu dhe për PdL-në, duke hequr edhe pengesat e fundit për një sukses akoma më spektakolar të Lëvizjes 5 Yje.
Pra të gjithë humbasin nga thurja e çfarëdolloj koalicioni, ama të gjithë do shkojnë në zgjedhje të parakohshme nëse një koalicion nuk formohet maksimumi brenda qershorit. Por a mund të durojë më ekonomia dhe financat publike italiane një fushatë elektorale tjetër, muaj të tërë pa qeveri dhe një paralizë të tejzgjatur institucionale? Pyetja është retorike, por rreziqet që i kanosen vendit janë tmerrësisht reale.
*PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona. Rubrika “Europa”, çdo të shtunë në DITA. Shkruajini autorit në [email protected]

Italia duet patjeter te ndryshoj ligjin elektoral, per te krijuar nje magjiorance te plote per qeverisje.
Autori nuk flet fare për planin “B”,ku Renzi kryetar i Bashkise Firence,kandidat në “Primare”me liderin e ngarkuar për kryeminister,Bersani,ka linjen e bashkpunimit me Berluskonin…pasi askush nuk preferon per tani zgjedhje tê reja….Beppe Grillo ka qëndrim solid për mosmbështetje qeverisese me dy partitë e tjera.Pasi shkaterroi polin e tretë,Grillo ka arsyen se “ata që cuan vendin në këtë greminë,nuk marrin mbështetjen e tij qeverisëse.Zerave për veprim ai u eshtë përgjegjur se “Jemi të ndershëm…para zgjedhjeve kemi thënë që shkaktaret duhet të largohen.Berluskoni ne gjyq,Bersani një i njeri i vdekur që ecen..”.Grillo nuk komunikon me shtypin italian,por vetem me ate te huaj.Gjithshka behet në web.Pas kontakteve dhe pervojes se dhenë në Londer(Www.Grillorama.it)Gjermani,Francë,pritet që Tsunami Grillo të kap Edhe vendet e Europes lindore…ku Shqipëria,pas zgjedhjeve eshtë objektiv i menjehershem!Italia njoftoi se ka rreth 6 milion të papunë!…Ka propozimet për një qeveri të minorancës që do coi vendin në zgjedhje tutje shtatorit…
solito pasticcio alla italiana…….!!!!!
sa rendesi i jepet politikes a thua se shpeton ekonomine e terci e verci ku nga kjo politike berja vetem jane rrenuar njerezit ,edhe opinionistete jane kallauze te politikes se degjeneruar ku e shohin domosdoshmeri pa tjeter qeverisjen nga nje mazhorance a thua se po shembet bota ku ne te vertete eshte e shembur nga politika e mbrapshte,dhe pa qeveri e politikane jeta vazhdon normal ashtu sic e ka lene qeveria e meparshme e njejta gje vlen dhe per realitetin shqiptar