Një postier në Ersekë është proceduar penalisht për veprat penale “shpërdorim i detyrës” dhe “humbja e dokumenteve sekrete”.
Në vijim të këtij rasti janë proceduar për “shpërdorim të detyrës” edhe kryetari i Degës Postare Ersekë, Shefja e Shërbimeve si edhe Specialisti i Sigurisë në Filjalin Postar Korçë.
Procedimi penal në gjendje të lirë ka nisur ndaj shtetasve P.Z., 57 vjeç, banues në Ersekë, me detyrë postier, dega postare Ersekë; V.A., 52 vjeç, banues në Ersekë, me detyrë Kryetar i degës postare Ersekë; A.B., 29 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Specialist i Sigurisë në Filjalin Postar Korçë dhe A.K., 47 vjeç, banuese në Korçë, me detyrë Shefe e Shërbimeve në Filjalin Postar Korçë.
Procedimi ndaj shtetasit P.Z. filloi pasi ka humbur materialet postare që i kishte tërhequr nga Filjali Postar Korçë, përfshi këtu dhe dokumentet e “Postës Sekrete”.
Në vijim të hetimeve në lidhje me këtë rast janë proceduar penalisht për veprën penale “shpërdorim i detyrës” edhe shtetasit V.A., A.B. dhe A.K., pasi dyshohet se këta shtetas nuk kanë kryer kontrolle në përmbushje të detyrës dhe kanë lejuar postierin P.Z. të punonte pa certifikatë sigurie.
