Podesta hidhet në sulm për të mbrojtur ndryshimin e KQZ-së

anazapta

Në Tiranë përflitet largimi i ambasadorit të OSBE, Eugen Volfarth, përpara mbarimit të mandatit, për të mos i lënë në dorë të përgatisë raportin për zgjedhjet.

Ndërkohë që ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një deklaratë në lidhje me ndryshimet e mundshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lobistët e Sali Berishës në Uashington e kanë nisur punën e tyre për të mbrojtur shkeljen e radhës të kryeministrit shqiptar.

Kompania e njohur Podesta, që paguhet nga Berisha me paratë e taksapaguesve shqiptarë, e ka nisur punën e saj për të bindur Uashingtonin, dhe jo vetëm, se iniciativa e Berishës është e drejtë.

Këtë e tregon qartë një e-mail i shpërndarë nga kompania më 10 prill, një ditë përpara se Kuvendi të vendoste për shtyrjen e votimit të ndryshimeve në KQZ.

Kjo shtyrje u interpretua si mungesë numrash, por edhe si shkak i presionit që erdhi kryesisht nga ambasada amerikane.

Në e-mailin e John Anderson, nga firma Podesta, mund të vëresh qartë se Berisha po tenton të kalojë këtë rast pa ia tërhequr kush veshin në Uashington.

Që në fillim të e-mailit, shpërndarë për mediat e huaja, Anderson thotë se mbulon çështjet e qeverisë shqiptare, por thekson se nuk është zëdhënës i qeverisë.

“Dua të sjell në vëmendjen tuaj atë që po ndodh në Tiranë. Javën e shkuar, më 3 prill, Lëvizja Socialiste për Integrim, një parti në koalicionin qeverisës, ndryshoi krah dhe u bashkua me koalicionin e Partisë Socialiste në opozitë. Ky ndryshim ka prekur në mënyrë dramatike balancën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të mandatuar ligjërisht, dhe në 89 komisione zonale zgjedhore, anëtarët e të cilave zgjidhen sipas përkatësisë partiake. Këto komisione luajnë një rol të rëndësishëm në vlefshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

Ky është një zhvillim i rëndësishëm. Nuk ka asgjë që një parti të ndryshojë aleat. Por vendimi i LSI vjen pasi është vendosur anëtarësia në komisionet zgjedhore, çka krijon një dilemë, për shkak se kodi zgjedhor kërkon që anëtarësia në komisione të krijojë një balancë mes forcave në pushtet dhe atyre në opozitë,” thuhet në e-mail.

Anderson thotë se një situatë e tillë do të krijojë disa fishekzjarre.

“Nuk e di se si do të zgjidhet kjo çështje, por nisur nga ambienti i ashpër dhe i rrëmujshëm në Shqipëri, pres disa fishekzjarre. Kështu që shiheni këtë e-mail dhe më ktheni përgjigje nëse keni nevojë të kontaktoni dikë nga qeveria shqiptare,” thekson Anderson.

Më pas ai sjell një historik të zgjedhjes së KQZ-së, duke theksuar shumë problemin e balancës mes forcave politike.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtatë anëtarë, tre nga mazhoranca, tre nga opozita dhe një nga partia në pushtet.

Angazhimi për një balancim politik është kaq i fortë, sa kodi zgjedhor është amenduar për të lejuar këdo, parti, organizatë, madje edhe individë, që të propozojnë anëtarin e shtetit dhe lejojë opozitën që të eliminojë kandidatë,” thuhet në e-mail.

“Gjysma e komisioneve të niveleve të dyta zgjidhen 4-3 në favor të mazhorancës dhe gjysma tjetër 4-3 në favor të opozitës. Edhe ekipet e numërimit ndahen në këtë mënyrë,” thekson Anderson.

Më pas ai tregon se pas 3 prillit, “Partia Socialiste ka fituar kontrollin mbi KQZ-në, duke marrë anëtarin e LSI”.

“Partia Socialiste ka fituar kontrollin 4-3 në gjysmën e KZAZ-ve dhe 5-2 në gjysmën tjetër, pasi ka marrë anëtarët e LSI,” përfundon e-maili.

Por ndërkohë që po zhvillohet kjo betejë e ashpër, prezenca e OSBE, si institucioni që duhej të kujdesej për të mos lejuar një shkelje të tillë, nuk ka reaguar prerë, por e ka lënë thuajse në dorë të mazhorancës që të marrë vendimin.

Nga ana tjetër, përflitet se kreu aktual i prezencës së OSBE në Tiranë, Eugen Volfarth, i akuzuar ashpër nga opozita për qëndrimet e tij të buta e shpesh në favor të pushtetit, mund të largohet nga detyra e tij përpara se të mbarojë mandati i përcaktuar me ligj. Një gjë e tillë mund të bëhet për të mos i lejuar atij që të ketë në dorë që të shkruajë raportin për zgjedhjet e qershorit në Shqipëri. / TEMA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *