Është një fakt që shqiptarët mund të jenë ndër popujt më arsimdashës në botë. Ata janë gati të bëjnë të pamundurën që fëmijët e tyre të arsimohen sa më mirë, jo vetëm në universitetet këtu në Shqipëri, por dhe jashtë vendit. Tashmë në universitetet perëndimore janë arsimuar dhe po vazhdojnë studimet mijëra djem e vajza nga Shqipëria, Kosova dhe viset e tjera shqiptare. Kjo gjeneratë është pasuria më e vyer e kombit shqiptar, ajo që do t’i japë vizionin, strategjinë, drejtimin dhe frymëmarrjen e duhur kombit tonë në të ardhmen. Ky brez i mirëarsimuar përfaqëson denjësisht popullin shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe ka luajtur rol kryesor në momentet e zhvillimet kryesore të tij. Pjesë e kësaj armate shqiptarësh që sakrifikon e përpiqet të arsimojë sa më mirë fëmijët e tyre janë dhe prindërit durrsakë Shani, zonja Lindita dhe zoti Mihal. Natyrisht çdo familje shqiptari një pjesë të kohës e kalon duke biseduar për të ardhmen e fëmijëve, mënyrat, mundësitë financiare, shokët, miqtë që mund t’i ndihmojnë në rrugën e dijes fëmijët e tyre. Mihalin veçse e kam koleg e kam dhe mik të vjetër. Ai shërben në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare, si specialist i peshkimit. Një njeri i thjeshtë, i dashur e i respektuar nga të gjithë. Shpesh pi kafe me të. Kuptohet që një kohë të bisedës e kalojmë duke folur për arsimimin dhe perspektivën e fëmijëve. Ai me modesti më tregon se si djali i madh Kevini, në sajë të studimit sistematik, këmbënguljes e inteligjencës vetjake kishte arritur të fitojë bursë në universitetin prestigjioz të Harvardit. Më bëri përshtypje ecuria e djaloshit durrsak dhe dashuria e prindërve të tij për arsimin.
Mbështetur dhe në përvojën personale familjare të arsimimit të fëmijëve të mi në SHBA, gjykoj se hapat e hedhura nga Kevini kanë qenë të matura dhe rezultative. Bashkë me fëmijët e mi kemi konsultuar vullnetarisht mbi 40 të rinj e të reja shqiptarë për mënyrën e arsimimit në universitetet e SHBA. Mjaft prej tyre kanë ecur në rrugën e duhur. Ashtu si ka ecur Kevini, kuptohet që arsimimi në universitetet amerikane ka vështirësitë e veta, kërkon dije, punë sistematike në zotërimin e programit arsimor dhe përgatitje shtesë në anglisht dhe matematikë. Kuptohet që shqiptaro-amerikanët e dinë më mirë këtë.
Mundësitë për të studiuar në SHBA
Gjatë vizitave në SHBA kam konstatuar përvoja të mira e të këqija në këtë fushë. Krahas përgatitjes serioze në SAT, GREE e TOEFL, duhet dhe mbështetja financiare. Kur më pyesnin miqtë amerikanë se si e përballojnë shqiptarët arsimimin e fëmijëve në SHBA, ja u kthej: ne për arsimimin e fëmijëve sakrifikojmë shumë, punojmë shumë, bëjmë një jetë të thjeshtë, madje mund të shesim dhe shtëpinë. Po, ka shumë shqiptarë që e bëjnë këtë në emër të dijes, të një formimi cilësor e profesional të fëmijëve të tyre! Kjo është ana më e mirë e karakterit e vlerave të shqiptarit. Kështu shqiptarët përfaqësohen si qytetarë të denjë në shoqërinë amerikane dhe kudo në botë. Nga modeli i kësaj shtrese të shqiptarëve, duhet të marrin shembull dhe pjesa tjetër e shoqërisë sonë. Bazuar në përvojën e djaloshit Kevin, themi se eksperienca e tij personale është një mënyrë se si çdo i ri shqiptar mund të studiojë në SHBA e gjetkë. Kuptohet që këto janë përpjekje personale dhe familjare të cilat gërshetohen me diçka tjetër. Pasi në Shqipëri, ka dhe një punë të organizuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë për këtë qëllim.
Kështu ka dy vjet që në vendin tonë funksionon Qendra Informative e Arsimit Amerikan, (Education USA, Advising center in Albania), ku të gjithë studentët shqiptarë që kërkojnë të vazhdojnë studimet në SHBA, mund të marrin informacionin falas. Kjo qendër ndodhet pranë universitetit “Marin Barleti” dhe mundëson këto informacione: përzgjedhjen e institucionit më të përshtatshëm për arsimim, njohje me kriteret e pranimit për fusha të ndryshme studimi, orientim për testet (TOEFL, GREE, GMAT, SAT, GED, ACT), etj., testim të gjuhës angleze, mbështetje financiare dhe mundësi bursimi, informim mbi jetën sociale dhe kulturore në USA etj. Gjithashtu vetë ambasada e SHBA, në bashkëpunim me këtë qendër, me Këndin amerikan në Vlorë, Tiranë, Kukës, me universitete publike e jopublike, shkolla të mesme, etj. ka zhvilluar disa aktivitete promovuese për njohjen e të rinjve shqiptarë me universitetet e SHBA, mundësitë dhe avantazhet e arsimimit në to. P.sh. në Panairin e 18-të Kombëtar të Librit, Ambasada Amerikane në Tiranë hapi zyrtarisht stendën e saj. Gjatë ditëve të panairit, Zëvendës Ambasadori David Muniz, i shoqëruar nga Shefi i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun Ryan Roberts, nisën aktivitetet e Ambasadës me një bashkëbisedim të hapur mbi arsimin në Shtetet e Bashkuara dhe rëndësinë e librave për të ardhmen e brezit të ri. Z. Muniz i falënderoi studentët për vizitën në Panair, si dhe ju përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve për punën si diplomat në Shqipëri. Po ashtu spikati aktiviteti i Javës Ndërkombëtare të Arsimit, i organizuar nga ambasada e SHBA.
Tema e këtij viti “Mundësi për të Gjithë” u theksua nëpërmjet aktiviteteve me nxënës të Medresesë së Tiranës, Qendrës Romani Baxt, Shkollës “Bajram Curri”, Institutit të Nxënësve që nuk shikojnë e dëgjojnë, Shkollës Ndërkombëtare të Tiranës, Kolegjit “Turgut Ozal” në Tiranë, Panairit Virtual të Kolegjeve Amerikane, etj. Në këto aktivitete, specialistja për programet e shkëmbimit dhe këshilltarja pranë Education USA, prezantuan para një publiku të përbërë nga prindër, nxënës dhe studentë, sistemin e Arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara dhe mënyrën si është i organizuar, dallimi ndërmjet kolegjit dhe universitetit, universiteteve publike dhe private, diplomat që japin, kostot dhe mundësitë për bursa. Ato shpjeguan procedurat e transferimit nga një universitet shqiptar në një amerikan, provimet e detyruara, dhe procesin e aplikimit. Një aktivitet me vlerë ishte dhe ai i zhvilluar në Këndin Amerikan në Vlorë në shkurt të këtij viti. Këtu, koordinatorja rajonale e këshillimit për arsimin Cheryl Francisconi dhe dy këshilltarët për arsimin e lartë në Amerikë, u takuan me një grup nxënësish nga shkolla e mesme “Ali Demi” dhe bënë një prezantim mbi mundësitë e arsimit në Shtetet e Bashkuara, bursat dhe se si të kërkojmë për universitetin e duhur.
Ndërkohë dhe zyra e konsullit amerikan në Tiranë ka disa kohë që ka hapur rubrikën, Pyet Këshilltarin – A keni pyetje për arsimin në Shtetet e Bashkuara? Këtu koordinatorja Rajonale për Këshillimin mbi Arsimin, si dhe këshilltarët e Education USA shpjegojnë si të aplikoni në një universitet amerikan, çfarë testimesh të kryeni, mundësitë për bursa, procedurat e vizës studentore, dhe shumë të tjera. Postoni pyetjen tuaj në linkun, Qendra Informative e Arsimit Amerikan në Shqipëri (EDUSA-UMB).
Konsulencat
Natyrisht krahas përpjekjeve familjare të sipërpërmendura, ka raste që dhe në universitetet publike shqiptare, pedagogë të veçantë ofrojnë konsulencë falas për të studiuar në universitetet e SHBA. Një rast që duhet inkurajuar, është ai i pedagoges së anglishtes në Universitetin “FAN NOLI”, Korçë, zonja Alda Jashari (Cicko), e cila ka informacionin e duhur për të sqaruar çdo person, se si mund të studiojë në SHBA. Është një fakt që shteti amerikan, por dhe universitetet në SHBA, nuk mund t’ju japë të gjithëve bursë, pjesa tjetër e shpenzimeve duhet mbuluar nga vetë personi, mundësi të cilën nuk e ka kushdo. Por, veç familjeve dhe shteti shqiptar duhet të bëjë diçka në këtë drejtim.
Gjatë vizitave në disa universitete në Pittsburgh, New York, Ilinois, Conecticut, etj., pashë dhjetëra studentë nga India, Arabia Saudite, Turqia dhe Kina. Me sa u informova, studimet e tyre i financonte vetë shteti. Përballë kërkesave për teknologji të lartë, inovacione, formim tekniko-shkencor dhe sfidave të ekonomisë, këto shtete kishin gjetur këto zgjidhje. Jo se në këto vende s’ka universitete, por diplomimin e një mase të gjerë të rinjsh në universitetet amerikane, qeveritë e këtyre vendeve e quanin domosdoshmëri. Dhe shteti shqiptar përballë evazionit universitar, sa të harxhojë para për universitete të pa akredituar, nivelit të së cilëve s’di çfarë emri t’i vë, mirë do ishte që të financonte studentë të talentuar në universitete elitare si gurë themeli për të ardhmen e vendit. Por, dhe kompani të fuqishme që duan kuadro me nivel të lartë kualifikimi duhet ta shohin këtë mundësi. Teknologjia e re, perspektiva e zhvillimit ekonomik të vendit, por dhe stafi pedagogjik i universiteteve tona, kërkojnë kuadro të arsimuar në këto universitete. Mos e gënjejmë veten. Pak dhe saktë. Jemi të vonuar. Kuptohet që ata që fitojnë bursa nga shteti shqiptar, janë të detyruar të kthehen me ligj në Shqipëri, ndërsa ai që shkon me djersën dhe punën e tij, vështirë. Në Shqipëri ende s’ka kompani që të paguajnë persona që janë diplomuar në Harvard apo Carnegie Mellon, që janë akredituar të parët në shkallë globale për shkenca sociale dhe inxhinierike. Është qesharake dhe absurde t’i vlerësosh e krahasosh këto kualitete, me militantë partiakë me diplomë në administratën tonë shtetërore. Duhet strategji, kompleks politikash dhe kohë për këtë. Gjithsesi rruga e arsimimit të shqiptarëve në SHBA, është vazhdim i një tradite shekullore, që nga shkollat e para shqiptaro-amerikane, produkti i të cilave është afirmuar qysh në rrënjët e shtetit shqiptar. Sot mundësitë dhe hapësirat janë të pakrahasueshme me atë të viteve më parë, kur ne nuk kishim as marrëdhënie diplomatike. Me sa kam parë Ambasada e SHBA, për të rinjtë që kanë fituar të drejtën e studimit në SHBA dhe që plotësojnë kushtet e studimit atje ligjërisht, s’kanë nxjerrë pengesë. Në mbyllje të këtij shkrimi i uroj dhe njëherë Kevinit dhe gjithë studentëve shqiptarë që studiojnë në auditorët e këtij Kontinenti-universitet (pra SHBA), shëndet e suksese! Për të ardhmen e tyre dhe vendit të shqiponjave!

domethene qe nje femije deri sa te shkoje ne universitet kostot e arsimimit te tij i ka populli shqiptar ne kurriz dhe amerika i merr te gatshem. Kjo klase politike duhet varur nga gjuha e ne mos me keq.
O KERCELLO !
Ti me siguri nuk je shqiptar, se ndryshe nuk mund te shkruaje nje surrogatizem te tille. Pak gjera do perpiqem te ti sqaroj ne keto tre kater rrjeshta per problemin ne fjale. Natyrisht nuk dua te minimizoj sistemin arsimor ne USA, aq me teper nuk kam ndermend te nenvleftesoj çdo perpjekje e deshire te te rinjve shqiptare per te studiuar ne universitetet amerikane, por ndryshe nga ti dhe femijet tuaj hulumtues historirash, une vleresoj shume me teper universitetet tona, si vatra ku u pergatiten qindra mijera inxhinjere, mjeke, gjuhetare, arkitekte, ekonomiste qe ndertuan Shqiperine ne enveroxhizem e pse jo edhe pak te tille ne shkerdhatokraci.
Ka disa arsye madjore qe bejne te pa vlere studimet ne universitetet amerikane:
E para – ne gjithe fushat inxhinjerike dhe te aplikuara, sistemet e matjeve jane te ndryshme – tek ne SI-ja tek amerikanet sistemi anglez ! Edhe formulat llogaritese ndryshojne ne dy sistemet, andaj te dipllomuarit e ketyre fushave veshtire te gjejne punesim ne Shqiperi dhe ne gjithe europen e bashkuar.
E dyta – per eksperience personale, jam ndeshur edhe me disa tentativa ne nje fushe te caktuar te nje gjiganti amerikan, per te pervehtesuar tekniken dhe teknologjine europiane, duke marre pjese ne nje konsorcium nderkombetar te nje investimi prej me shume se dhjete miliard dollaresh ne Algjeri. Qesharake apo jo, behet fjale per General Electric !
E treta – ne arkivat internetiane, jane publikuar nga universitete te ndryshme dhe prestigjioze si Mellon, Harvard, Illinois U., etj. Temat e dipllomave ne disa fusha inxhinjerike (mund ti gjesh edhe ti me lehtesi). Jane aq boshe e superficiale, sa me te drejte behet pyetja si dhsa eshte niveli i pergatitjes se studenteve ne keta universitete.
Patjeter ne fushat e shkenceve shoqerore dhe ekonomike, mjekesore, ata, pra universitetet amerikane jane avangardiste, po ne te tilla fusha edhe ne konkurojme me disa universitete te tilla, si ai i Plepave, i Kristaleve, i Kercelleve …