Kur Hipoteka kërkon “qiqra në hell”

redaktor

Vërtet gjendja ka ndryshuar disi në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, me ardhjen e Ministrit të ri të Drejtësisë në krye të këtij dikasteri nga varen hipotekat. Hyn në ambientet e ZRPP dhe sheh një farë rregulli, ka sportele që të informojnë saktë për çdo proçedurë që nevojitet dhe klientët, edhe pse në radhë, kryejnë veprimet sipas sporteleve përkatëse. Por e keqja tanimë qëndron lart, tek drejtuesit, apo shefat e mëdhenj të këtij institucioni. Ndonëse në katin e parë, sportelistët e nëpunësit e caktuar për informim mundohen të reklamojnë një farë rregulli e kulture shërbimi, kur vjen puna për të bërë mbylljen e fundit të gjithë procedurave e për t’u pajisur me Çertifikatën e pronësisë, ata që kanë në dorë vulën dhe firmën të nxjerrin lloj-lloj pengesash të pakuptimta, për të cilat mund të thuash me plot gojën, se shefat kërkojnë “qiqra në hell”, thjesht për të siguruar hapësira për korrupsion. Zyrat ku rrinë shefat e mëdhenj janë bunkerizuar. Qëndruam me orë pranë sportelit për të marrë një takim me drejtoreshën e hipotekës së Tiranës, por qe e pamundur.

Duke treguar odisenë time të gjatë prej një viti për çertifikimin e banesës, legalizuar konform të gjitha rregullave nga Zyrat e ALUIZNI-t, të cilën akoma nuk e kanë hipotekuar, bëj një ekspoze burokratike dhe korruptive të zyrtarëve të Hipotekës, sorollatje që e e kanë provuar dhe e provojnë përditë qytetarët. Është fakt i pamohueshëm se shumë qytetarë të pajisur me leje legalizimet nga ALUIZNI, apo me vendime përkatëse nga gjykatat, prej muajsh e vitesh nuk i çertifikojnë dot pronat e tyre për pengesat burokratike që nxjerrin pa asnjë shkak nëpunësit e hipotekës. Unë kam mbi një vit që jam pajisur me lejen e Legalizimit nga ALUIZNI, institucioni përgjegjës, i cili paguhet dhe mban përgjegjësi ligjore për çdo leje legalizimi që lëshon.Them kështu, sepse është ALUIZNI ai që bën matjet e planimetrinë e duhur të banesës, skicat topografike e planin e rilevimit, vlerëson shumën e parave që do të paguaj qytetari dhe po nëpërmjet atij bëhet noterizimi i dosjes që i vë vulën e fundit nga ana juridike çdo aplikimi për ta bërë banesën pronë tënden. Me dosjen e legalizimit të banesës, e kompletuar konform të gjitha rregullave e ligjeve, u paraqita për të bërë çertifikimin e saj në Hipotekë. Atje pas shumë sorollatjeve, nga njeri sportel në tjetrin, që për mendimin tim nuk ka pse ndërlikohet kaq shumë procedura e pronësimit, kur ke kaluar më parë një institucion të tillë i ligjëruar, siç është ALUIZNI, me dhjetra drejtori e qindra nëpunës në gjithë Shqipërinë, bëra përsëri pagesën e tarifave të përcaktuara nga hipoteka, mora përgjigjen e “sigurtë” se çertifikata e pronësisë do të më vinte me postë tek shtëpia.

Pasi kaluan tre muaj dhe unë prisja zarfin me çertifikatën e pronësisë, më vjen një zarf i madh me një letër të vogël brenda, ku kërkohej se dokumentat nuk ishin të plota e se duhej paraqitur edhe një plan rilevimi nga një tipograf privat i licensuar, kur ky në fakt ishte në dosjen e ligjshme të paraqitur nga ALUIZNI. Nëse ka patur mangësi dosja , ta mbajë përgjegjësinë ky institucion, e pse të sorollatem e të zhvatem nga paratë unë si qytetar!? Pastaj çfarë pune bëri nëpunësi përkatës i hipotekës për tre muaj që ma sjell pas kaq kohe këtë copë letër!? Pasi pagova edhe një herë një topograf të licensuar, i cili pret gojëhapur në një zyrë në hyrje të hipotekës, në konflikt të hapur interesi, u paraqita në hipotekë, ku mu desh një gjysmë dite thjesht për një shkresë e sigluar “plotësim dokumentacioni”. Përsëri mora përgjigjen e dytë “të sigurtë”: “tani nuk ke pse vjen më, paguaj shërbimin postar dhe të vjen Çertifikata pranë qendrës së banimit”. U largova pa bërë zë se edhe nëse kërkon sqarim apo do të bësh vërejtje këtu, nuk ke se ku, se askush nga shefat nuk të pret. Kaluan dhe nja 6-7 muaj të tjerë nga kjo ditë dhe erdhi përsëri zarfi. “Shyqyr,- thashë me vete,- më në fund u bëra pronar i shtëpisë të cilën kam nisur ta ndërtoj qysh në vitin 1999.Kur ç’të shikoj! Një zarf i madh me një letër pak më të madhe se e para, pa nr. protokolli e që mbante datën 10. 02. 2016, e cilai pasi të turbullonte me ca nene e ligje që askush nuk i kupton, mbyllej me kërkesën: “Aplikoni shërbimin ndarje pasurie R6”.

Jam i indinjuar dhe ashtu si shumë bashkëqytetarë të mi kam vendosur të mos paraqitem më pranë këtyre zyrave burokratike,mjeshtëre në zhvatje e sorollatje, pa u sanksionuar mirë me ligj procedurat e hipotikimit të banesëst e pa u ndëshkuar nëpunës e drejtues të tillë dallaverexhinj duke kërkuar nga organi kompetent sqarimin: Pse duhen më procedurat ehipotekës, kur të gjitha veprimet dhe dosjen e plotë, konform ligjeve e ka realizuar ALUIZNI, organ i specializuar për këtë qëllim. Pse institucionet dublojnë njeri -tjetrin?

Edhe sikur ta pranojmë për një çast se është e domosdoshme edhe hipoteka, pse kjo nuk i thjeshton procedurat e hallkat e panevojshme të hipotekimit, duke mos i sorollatur qytetarët për të sjellë dokumente të panevojshme.

Dhe së treti pyes: A i kontrollon kush nëpunësit dhe drejtuesit e Hipotekës, me se merren e përse paguhen ata!? Ta zëmë se dosja ka mungesë dokumentacioni, a nuk kontrollohet kjo seriozisht e ligjërisht nga nëpunësi përkatës, dhe pas verifikimit të plotë i kërkohet ekzaktësisht qytetarit një herë e mirë, se çfarë plotsimi duhet të bëjë, dhe jo për çdo mungesë që i teket hipotekës, qytetarit i duhet të paraqitet e të rrijë në radhë pranë sporteleve të këtij institucioni me orë të tëra. A nuk është kjo një praktikë e dënueshme që çon në sorollatje të qëllimshme për të ushqyer korrupsionin dhe për të nxitur pakënaqësive me dashje tek qytetarët hallexhinj?!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *