Marko Arnautovic është padiskutim një nga lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares austriake. Me 48 ndeshje të zhvilluara në total dhe 10 gola të realizuar, edhe pse është vetëm 26-vjec sulmuesi i Stoke City-it ka patur një rol vendimtar në kualifikimin e Austrisë në Europian.
Tashmë vjen ndeshja ndaj Shqipërisë test të cilin ish-lojtari i Interit e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishëm për përgatitjet e Austrisë për në Euro 2016. Në një intervistë Arnautovic vlerësoi kombëtaren kuqezi duke shtuar: “Ashtu si ne edhe Shqipëria është kualifikuar në kampionatin europian. Ata janë një skuadër shumë e fortë, forca e tyre bazohet te grupi, por mbi të gjitha drejtohen nga një trajner si Gianni De Biasi. Teknikët italianë e kanë gjithmonë gati taktikën e duhur dhe ne e dimë që përballë Shqipërisë na pret një ndeshje shumë e vështirë. Rruga për në Euro 2016 sapo ka filluar”.
Sipas asaj që raportojnë mediat austriake, Marcel Koller në ndeshjen ndaj Shqipërisë nuk do të bëjë asnjë eksperiment, pasi do të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm.
Me skemën 4-2-3-1 në portë do të luajë Robert Almer, mbrojtja do të përbëhet nga Dragovic dhe Prodl në qëndër dhe Klein e kapiteni Fuchs nga krahët. Në mesfushë përpara mbrojtjes do të vendosen David Alaba dhe Julian Baumgartlinger, ndërsa treshja që do të mbështesë sulmuesin e vetëm Marc Janko do të përbëhet nga Junuzovic në rolin e organizatorit dhe Aranautovic e Harnik nga krahët që do të bëjnë njëkohësisht rolin e mesfushorit, por edhe atë të sulmuesit.
