Izolimi i Vito Kapos pas vdekjes së të shoqit

anazapta

Nga Blloku, tek një vilë në Pallatin e Brigadave. Ç’ndodhi me shoqëruesit e Hysni Kapos. Peripecia e ditarit të tij.

Dhe një ndodhi me Llambi Peçinin dhe polakun Mijal.

Si u shpëtua komunisti polak, kundërshtar i Hrushovit, dhe u soll në Tiranë nga Sigurimi Shqiptar.

Nga Idajet Beqiri

Vijon nga numri i kaluar

Në homazhet e fundit që bënë udhëheqësit e lartë komunistë para arkivolit ku ndodhej trupi i Hysni Kapos, ra në sy fakti që Ramiz Alia nuk guxonte t’i hidhte sytë për ta parë atë në fytyrë nga xhami transparent. Ndërsa Enver Hoxha, jo vetëm që e shikonte gjatë gjithë kohës, por para se të ndahej përfundimisht prej tij, u përul dhe zgjati aq shumë kokën, për të parë kushedi çfarë në fytyrën e Hysniut, sa e detyroi Mehmet Shehun ta shtynte për t’u lënë radhën të tjerëve për ta parë.

Hysni Kapo u varros në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Grushtin e parë të dheut e hodhi Enver Hoxha, më pas Vito Kapo, e pastaj Mehmet Shehu e të tjerët me radhë. Pastaj Enver Hoxha mori një lopatë për të marrë nga dheu i gropës së hapur, por dukej që nuk e kishte “zanat” atë. Duart e tij nuk e komandonin dot lopatën. Kjo i detyroi dy gardistë të kapnin lopatën për të marrë pak dhe, duke u vendosur mbi të tre palë duar. Mirëpo e ndodhur në tre duar lopata nuk 1komandohej, ndaj mori dhe hodhi shumë pak dhe. Pastaj e mori lopatën Mehmet Shehu… Gardistët për të mos ndodhur e njëjta situatë si më parë, futën duart te bishti i lopatës për të ndihmuar kryeministrin. Ai u largoi atyre duart,  e madje i largoi edhe vetë gardistët dhe e përdori lopatën si një bujk i mirë.

Ç’ndodhi më pas

Me vdekjen e Hysni Kapos, problemet delikate që ndiqte ai në Komitetin Qendror ju dhanë Mehmet Shehut, i cili krahas zyrës së tij të Kryeministrit në selinë e qeverisë, mori tashmë edhe një zyrë tjetër në Komitetin Qendror ku kalonte një pjesë të konsiderueshme të kohës.

Nexhipi, përgjegjësi i grupit të shërbimit të Hysni Kapos, për afro dy vjet me radhë punoi pranë familjes Kapo për të sistemuar gjithë arkivin e shefit të tij. Por njëkohësisht kryente të njëjtin ritual si më parë, veçse tashmë me fëmijët e Hysni Kapos dhe bashkëshorten e tij, Viton. Të njëjtën gjë bënte edhe Abedini, shoferi i Hysniut, i cili kryesisht merrej me sistemimin e fotove, xhirimet filmike etj. Ndërsa Eqeremi kaloi shoqërues me Foto Çamin.

Hysni Kapo kishte një pasuri të vyer, ditarin e tij, të cilin e shkruante vetë, duke i përshkruar gjërat me një objektivitet të rrallë dhe siç i ndiente. Ai, duke qenë se ishte një udhëheqës me autoritet të lartë, me pushtet dhe thuajse i pakontrolluar nga askush, por ishte mbi gjithkënd dhe kontrollues i gjithkujt, ditarin e kishte të mbushur me histori e ngjarje reale, të shkruara me guxim, por edhe të shkruara për gjëra tepër delikate, çka e vërteton fakti që ai ditarin e ruante si sytë e ballit dhe e mbante shumë sekret edhe nga njeriu i tij më i afërt, siç ishte Vito Kapo. Aq e vërtetë është kjo, sa Vitua, megjithëse kishte 36 vjet jetë bashkëshortore me të,  nuk e dinte që Hysniu kishte dhe mbante një ditar të hollësishëm për të gjitha ngjarjet dhe gjërat më të rëndësishme jetësore të ditës. Nexhipi fliste shpesh për të qënurit sistematik në  punën e përditshme të Hysniut. Fliste edhe për mbajtjen e ditarit prej tij, pasi shpesh herë e merrte prej Hysniut dhe e sistemonte në vendin e paprekshëm të tij, ku askush nuk kishte të drejtë të afrohej dhe jo më të prekte apo lexonte çka ai shkruante.

Familja Kapo, foto në grup

Familja Kapo, foto në grup

Nexhipi ishte përsosmëria e njeriut besnik. Hysni Kapo e kishte njohur atë personalisht që kur ishte vetëm 17 vjeç dhe kryente me përsosmëri detyrën e informatorit në Brigadën e Pestë sulmuese partizane në luftën antifashiste, ku Hysniu ishte komisar. Nexhip Paja e  kishte në dorë dhe nën kontroll gjithë vilën dhe zyrën e punës të Hysni Kapos. Ai shikonte, dëgjonte dhe i jepeshin në dorë gjëra shumë delikate dhe të karakterit tepër sekret, apo tepër delikate dhe intime. Por kurrë nuk e shpërdoroi besimin absolut të Hysni Kapos ndaj tij.

Te Pallati i  Brigadave, izolim?!  

Nuk dihet arsyeja e vërtetë e heqjes së Vito Kapos dhe e gjithë familjes së saj për një kohë pak a shumë të gjatë, pas vdekjes së Hysniut nga vila në Bllok ku jetonin, dhe sistemimi i tyre te vila e Pallatit të Brigadave. Kjo lëvizje u motivua atëhere me faktin se, duke qenë se te vila në Bllok Vitua dhe fëmijët e kishin të vështirë të  qëndronin, pasi u fanitej ngado Hysniu, tashmë i munguar, dhe dhimbja ju bëhej më e madhe. Ndërsa duke qëndruar në vilën e bukur te Pallati i Brigadave, mes një parku të gjelbëruar, në një qetësi të plotë, do të ishte vërtetë ngushëlluese.

Mirëpo në fakt Vitua aty u izolua, sepse nuk i vinte askush, veç atyre që shërbenin pranë familjes. Ajo që e braktisi në mënyrë të dukshme në ato ditë, fill pas vdekjes së Hysniut, ishte edhe Nexhmije Hoxha, e cila nuk u ngjit asnjëherë për t’u takuar me të në këtë vilë.

5

Përlotja e Enver Hoxhës para trupit të Hysni Kapos

Sipas Nexhipit, çuarja e Vitos dhe e familjes së saj në vilën pranë Pallatit të Brigadave, u bë me qëllim të bastisjes së “kulturuar” dhe pa lënë gjurmë të dukshme të arkivit personal të Hysni Kapos. Në këtë ndërmarrje u rrëmbye edhe ditari i Hysni Kapos. Nuk dihet se kush ishte më i interesuari për të ditur çfarë kishte brenda tij, veç kur Vito Kapo u vu në dijeni se Hysniu mbante rregullisht ditar dhe se ai nuk gjendej, është vënë në kërkim. I kanë thënë se ditari i Hysni Kapos ndodhej në duart e sekretarit personal të Enver Hoxhës, Haxhi Kroit. Se qysh dhe si kishte përfunduar aty, askush nuk mori vesh kurrë. Duket se u bënë kopje dhe vetëm pas viteve 2000 janë botuar në shtyp pjesë nga ky ditar.

Rrëmbimi i polakut Mijal dhe një episod me Llambi Peçinin

Personi që, si kur ishte gjallë Hysniu, ashtu edhe pas vdekjes së tij, nuk e ndau interesimin dhe dashurinë e sinqertë për gjithë familjen Kapo, ishte Llambi Peçini.

Llambi për një periudhë kohe kishte punuar edhe si sekretar i parë i Ambasadës së Shqipërisë në Paris. Sa herë vinte në Tiranë, ai nuk mungonte t’i “sajdiste” fëmijët e Hysni Kapos me ndonjë pako çamçakizi, me koka kola, ndonjë palë letra bixhozi,  apo sapun “Lux”.

kazimierz mijal

Kazimierz Mijal

Hysni Kapo i besonte Llambi Peçinit. Ai vlerësonte shumë talentin e lindur të Llambit, si një punonjës sigurimi, i cili ishte i aftë të bënte çudira. Pas vendosjes së sundimit hrushovian dhe brezhnievian në ish kampin socialist në të gjitha vendet e lindjes, shumë prej udhëheqësve të vendeve komuniste që nuk u pajtuan me tezat e Hrushovit, u burgosën ose u eliminuan. Njëri prej tyre ishte edhe Kazhimiezh Mijal (Kazimierz Mijal), Sekretar i parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Polonisë. Ky person luftoi ashpër kundër Gomulkës, sekretarit të parë të Partisë Popullore të Polonisë në pushtet, një element që u shpall revizionist dhe u demaskua prej Kazhimiezhit dhe gjithë Partisë së tij. Kjo veprimtari e Kazhimiezh Mijalit u konsiderua “armiqësore” dhe për këtë shkak Gomulka urdhëroi burgosjen e tij. Kazhimiezhin e burgosën në një burg të sigurisë së lartë në Varshavë. Ai konsiderohej dhe vlerësohej prej disa partive politike komuniste si një marksist-leninist i madh. I tillë vlerësohej Mijal edhe prej Partisë së Punës së Shqipërisë dhe prej Partisë Komuniste të Kinës. Udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste te Kinës e konsideronte “plagë të rëndë” vuajtjen që përjetonte në burg në Varshavë ky udhëheqës. Dhe shpesh herë diskutonin për fatin e tij të dyja udhëheqjet e partive simotra, ajo e Kinës dhe ajo e Shqipërisë.

Hysni Kapo, si sekretar i Komitetit Qendror të Partisë që mbulonte edhe Sigurimin e Shtetit, duke besuar te aftësitë e larta prej sigurimsi të spikatur të Llambi Peçinit, e thërret nga Parisi ku ishte me shërbim, në Tiranë dhe zhvillon një bisedë të gjatë me të, duke i thënë “merakun” e kinezëve për Kazhimiezh Mijalin. Kinezët ishin të gatshëm të përballonin çdo kosto financiare, mjaftonte që Kazhimiezhi të ishte i lirë. Kjo punë kishte një kosto, sepse duheshin kompromentuar disa “skalione” derisa të arrihej lirimi nga burgu i Kazhimiezh Mijalit dhe sjelljes së tij në Shqipëri, si një vend më i sigurt për jetën e tij të patrazuar. Ky aksion nuk mund të realizohej pa pasur mbështetjen e Kadri Hazbiut, ish ministër i Brendshëm, i cili duhet të vinte në dispozicion të këtij aksioni me rëndësi të veçantë.

Hysni Kapo e kishte njeriun e vet besnik Kadri Hazbiun, ndaj e thirri dhe i dha hollësirat që kishte biseduar me Llambi Peçinin.12900062_10154707762897738_1520613856_n

U rikthye në Paris Llambi Peçini me të gjithë “aksesorët” që i nevojiteshin për të bërë aventurën e këndshme, por me të mira shumëdimensionale.

Llambi ishte edhe një burrë i pashëm, gjigant në çdo pikëpamje, trim, guximtar dhe tepër i zgjuar. Me femrat kishte pasur gjithmonë probleme, pasi ato, duke e vlerësuar atë në kompleks, i afroheshin edhe kur Llambi, nga frika e ndëshkimit në rastet e  njollosjes së “pastërtisë së komunistit”, kërkonte t’i mbante sa më larg. Dhe kjo anë problematike e Llambit, kishte krijuar shqetësime të rënda te ish-bashkëshortja e tij e parë, një grua vërtetë e bukur dhe e zgjuar, por tepër xheloze. Kjo xhelozi bëri që pas shumë vitesh martesë ata të ndahen. Do të mbahet mend gjatë ai episod kur Llambi Peçini, si përfaqësues i Ambasadës sonë në Paris, nuk shkoi dot për të marrë pjesë në një darkë të rëndësishme zyrtare, duke shkaktuar deri problem diplomatik, për shkak se ish gruaja e tij, duke menduar se Llambi po bëhej gati të shkonte në takim me të dashurën e vet, nga xhelozia e tepruar mori gërshërën dhe ia bëri copa-copa kostumin e bukur dhe të vetëm që kishte Llambi Peçini për pritjet zyrtare. Dhe kështu ai nuk shkoi në këtë darkë zyrtare.

Aksioni për rrëmbimin e Kazhimiezh Mijalit ishte vërtetë tepër kompleks, por u realizua me sukses të plotë. U deshën shumë akte kompromentuese, nga përdorimi i grave bashkëshorte të drejtuesve të burgut, deri te pjesëtarë të personelit të burgut. Disa prej tyre mbyllën sytë nga shuma tunduese e dollarëve të ardhura nga Kina. Dhe kështu Llambi Peçini arriti të nxjerrë nga burgu Kazhimiezh Mijalin, ta transformojë atë në “diplomat shqiptar” me emrin Vesel dhe përmes transportit hekurudhor dhe ajror e solli në Shqipëri, duke e strehuar tek një vilë pranë zonës ku ndodhet Radio Televizioni Shqiptar.

 

Vijon

 

*Në foton kryesore Hysni Kapo duke shëtitur me nipin, Andin, dhe truproja në distancë

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *