Tre persona janë arrestuar nga policia e Shkodrës, pasi u kapën me 6 mina me telekomandë. Arrestimi i tyre u bë në kuadër të operacionit të koduar “Porosia”, gjatë të cilit, policia ka sekuestruar edhe 2 armë të llojit pistoletë, një snajper, 2 automjete dhe dy celularë.
Mësohet se në pranga janë vënë Flamur Bega, Ilmi Isufaj dhe Shkelzen Metaliaj. Operacioni është zhvilluar në sajë të bashkëpunimit mes Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Drejtorisë Vendore të Policisë së Shkodër, ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Prokurori i rrethit gjyqësor të Shkodrës, Gani Shahu, tha se janë zbuluar 6 mina të telekomanduara dhe janë arrestuar personat që mendohet se janë poseduesit e tyre. Ai tha se operacioni është në vazhdim dhe priten arrestime të tjera.
“Sot më datë 26.03.2016, ora 13:30, në kuadër të procedimit penal të vitit 2016, Sektori për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, finalizuan me sukses operacionin e koduar “P O R O S I A” , në drejtim të dokumentimit ligjor të veprave penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” e parashikuar nga neni 278/1/2/3/4/ dhe “Trafikimit të armëve dhe municioneve” 278 /a, të K. Penal, ku bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve me iniciale: F. B. H. I. Sh. M.” sqaron policia e Shkodres.
