Lufta për mbijetesë po kthehet në një temë serioze në Vlorë ku Flamurtari po lufton për të siguruar qëndrimin mes më të mirëve të futbollit shqiptar.
Disfata në Korçë që pasoi barazimin në shtëpi kundër Bylist, thelluan krizën në kampin kuqezi ku nevoja për pikë është urgjente. 2 pikë larg Bylisit të vendit të fundit dhe dy ndeshjet e radhës ndaj dy skuadrave që kanë objektiva madhorë, e bëjnë situatën më serioze në kampin e skuadrës së Ramadanit.
Sfida e radhës në “Niko Dovana” kundër Teutës është një test kyç për të ardhmen e sezonit pasi një tjetër 90 minutësh pa pikë mund ta zbresë ekipin zyrtarisht në zonën e ftohtë.
Gjithsesi, trajneri i skuadrës vlonjate mund të fërkojë duart, pasi me skuadrën janë bashkuar mesfushorët, Bruno Telushi dhe Bedri Greca.
Ky i fundit është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe pritet të zbresë në fushë që nga minuta e parë, duke parë impaktin që ka pasur në disa prej ndeshjeve më të rëndësishme të Flamurtarit.
Pavarësisht se të dy aktivizohen në mesfushë, ata numërojnë 8 gola sezonalë, madje 26-vjeçari i lindur në Tiranë është aktivizuar disa herë edhe në fazën e sulmit, duke rezultuar një lëvizje e zgjuar.
Me grupin do të bashkohen edhe Alves e Idrizaj gjatë ditëve të ardhshme, duke kompletuar kështu organikën e skuadrës vlonjate për dy ndeshjet e radhës ku Flamurtari do të luftojë për të grumbulluar sa më shumë pikë, pasi në krahun tjetër, Bylisi pret fillimisht Kukësin dhe më pas udhëton drejt Pukës për të sfiduar Tërbunin me pak shanse mbijetese.
