Ja pse myslimanët e Belgjikës nuk dalin në masë të dënojnë aktet terroriste

redaktor

Një akt i munguar, nga myslimanët e Brukselit, për dënimin në masë të akteve terroriste, ka nxitur reflektim. Në mungesë të një akti të tillë, si edhe të boshllëkut mediatik për shpjegimin e këtij pozicionimi, një nga gazetat më të njohura në vend Le Soir, ka publikuar pak pas ngjarjeve, postimin në Facebook, të një prej figurave të njohura të komunitetit maroken Ismael Said (ish polic dhe komedian). Por, po aq sa interesant është shpjegimi i tij, po aq lë dhe vend për interpretim. Ajo që tërheq vëmendjen janë komentet e shumtë, që shoqërojnë shkrimin, ku shpalosen gjurmët e një ndasie dhe përplasje mes kulturave të ndryshme.

Reagimi 

“Përse myslimanët nuk zbresin në masë në rrugë për të dënuar ?”

Sepse ne, jemi duke ngarë taksitë, që çojnë falas popullatën në shtëpitë e tyre, qysh dje….

Sepse ne, jemi duke mjekuar të plagosurit në spitale….

Sepse ne, po drejtojmë ambulancat, që po ecin varg në rrugët tona, në përpjekje për të shpëtuar atë, që ka mbetur në jetë mes nesh…..

Sepse ne jemi në recepsionin e hoteleve, që presin të dëmtuarit falas që prej ditës së djeshme…

Sepse ne, po drejtojmë autobusët, tramat dhe metrotë me synim që jeta të vazhdojë, edhe pse e plagosur….

Sepse ne, jemi gjithmonë në kërkim të kriminelëve, nën uniformat tona të policisë, hetuesve, gjykatësve….

Sepse ne, po vajtojmë  gjithashtu të zhdukurit tanë……..

Sepse as ne, nuk jemi kursyer…..

Sepse ne, jemi vrarë, dyfish, trefish….

Sepse, i njëjti besim ka prodhuar si xhelatin dhe viktimën……

Sepse ne, jemi të goditur, të humbur dhe po përpiqemi të kuptojmë….

Sepse ne, kemi kaluar natën në pragun e derës për të pritur një të afërm, që nuk do të kthehej më….

Sepse ne, po numërojmë të vrarët tanë….

Sepse ne, jemi në zi…..

Çka ngelet, është thjesht heshtje…” 

***

Një reagim që ka plotësuar disi boshllëkun e krijuar nga një mos reagim në masë i myslimanëve. Pra, ajo çka pritej dalja e tyre në rrugë dhe distancimi nga aktet e terrorit, që kryhen në emër të fesë së përbashkët.

Një reagim, që përpiqet të përcjellë mesazhin se nuk ka “Ne” edhe “Ju”, por se “Jemi Një”. Njësoj të vrarë, të plagosur, të solidarizuar dhe në zi. Por, e vetmja pikë që duket se rrëshqet duke mos u përmendur ndërmjet rreshtave është dënimi i akteve.

Komentet

Por, një sërë reagimesh (930) kanë shoqëruar këtë publikim, ku ndër të tjera konstatohen edhe vija të thella të një hendeku, që ekziston në një bashkëjetesë mes kulturave të ndryshme.

Duhet theksuar se sistemi i komentimeve online në Belgjikë, bëhet nëpërmjet një njohje automatike të adresës së Facebook dhe komentuesit nuk janë anonimë, por me identitetet e tyre, çka rrit si përgjegjësinë individuale mbi deklaratat që kryhen, por shmanget njëkohësisht edhe manipulimi i opinionit publik, nëpërmjet komenteve anonime nga burime të interesuara. (Sigurisht ky sistem nuk shmang dot adresat e rreme të FB, por që gjithsesi ato janë të minimizuara) 

Kush ishin pikat më të nxehta, që krijonin hendeqe në komunikim mes palëve ?

Nga njëra anë, një pjesë e mirë e komentimeve e konsideronin reagimin e komedianit belg me origjinë marokene, një hipokrizi të pastër, një prozë, pasi nuk mund të gjendet si alibi fakti se, je i zënë me punë, për të mos dënuar aktet, qoftë edhe në këtë reagim me shkrim. Qoftë edhe me dy rreshta. Qoftë edhe me nënkuptim.

“Janë aq të zënë duke punuar sa nuk kanë kohë të manifestojnë? Pasi në njëfarë mënyre janë të ashtuquajturit vëllezërit e tyre, që na sulmojnë ?? Nuk janë dakord, por nuk guxojnë ta thonë??!”

Nga ana tjetër në këto komente, jepeshin një sërë argumentesh që shpjegonin mos daljen në masë të myslimanëve për të dënuar këto akte. Ndër to spikasnin dy më të rëndësishmit. I pari lidhej me argumentimin e identifikimit të të gjithë myslimanëve me terrorizmin: “Nëse ju kërkoni të distancohemi, ju na lidhni ne të gjithë me këto akte”, një nga frazat që përsëritej shpesh. “Përse duhet të dalim, ne s’jemi pjesë e tyre ?!”

Argumenti i dytë, lidhej me një lloj indinjate për krimet, që kryhen ndaj myslimanëve dhe ndaj të cilëve perëndimorët nuk distancohen publikisht. Pra, një rikthim në kohë dhe kërkim argumenti në të kaluarën historike, për të justifikuar pozicionim e tyre, për të mos dënuar në masë sulmet.

Ndër to vëreheshin edhe argumente që vërtetonin të kundërtën, se myslimanët kishin shkuar tek vendi i homazheve, të shoqëruar me frazat “Kemi dalë edhe ne, mos dëshironi të vëmë nga një kryq, që të identifikohemi……”

Mes rreshtave, shikoje edhe formulimin e frazave nga qytetarët belgë, që edhe pse përpiqeshin të flisnin në emër të tolerancës, fjalori i përdorur shfaqte elementë të kundërt të saj, duke bërë distancimin “Ne dhe Ju”, duke bërë një ndarje “Ne vendasit dhe Ju lokalët” , çka sigurisht merrte dhe kundërpërgjigjen revoltuese nga pala tjetër se, “Ju nuk na konsideroni vendas edhe pse kemi lindur këtu”, apo “ Ju vetëm ankoheni,, kur punojmë na thoni se ju kemi zënë vendet e punës, kur nuk punojmë na akuzoni, se po marrim ndihmat padrejtësisht, gjithmonë ankoheni….”. Duke akuzuar më tej për racizëm dhe ksenofobi. 

Reagimet e shumta të bënin të kuptoje se, hendeku është i madh mes komuniteteve. Njëra palë që nuk pranon të dalë në masë të dënojë sulmet, me pretekste se ato nuk kanë lidhje me këto akte, për rrjedhojë as nuk kanë arsye të distancohen, se perëndimorët nuk bëjnë të njëjtën gjë sa herë ndodhin sulme ndaj popullsive myslimane nëpër botë, apo çfarëdolloj justifikimi që mbron kauzën e mos dënimit në masë të sulmeve. Ndërkohë që pala tjetër, godet ndoshta pa e kuptuar në pikën më të dobët të tyre, identitetin, mos konsiderimin si vendas edhe pse prej dy-tre gjeneratash janë të lindur në Belgjikë.

Gjithsesi, duhet theksuar se grumbullimi në vendin e homazhit në Sheshin e Bursës, faktoi mediatikisht pjesë të konsiderueshme të këtij komuniteti, që vinin individualisht apo edhe me pjesëtarë të familjes, duke ndezur një qiri, apo vendosur një buqetë me lule. Po ashtu edhe Komuniteti Mysliman i Belgjikës i dënoi në një komunikim zyrtar sulmet terroriste. Por, edhe pse këto kanë rëndësinë e tyre, mungesa e një dalje në masë të myslimanëve për të dënuar të keqen, që prodhohet në emër të fesë të tyre, lë shije të hidhur. Kjo, pasi më shumë se, sa logjika e distancimit personal dhe në heshtje nga këto akte, një dënim publik, i prerë i qartë, ndaj barbarisë, nuk do të çonte mesazhe ekuivokë dhe të gabuar tek rrjetet terroriste. Mesazhe të gabuar se, duke mos u dënuar, ato po mbështeten! Jo rastësisht, teksa terroristi i shumëkërkuar Abdeslam do të fshihej për 4 muaj në lagjen e Molenbekut, autoritetet belge do të shprehnin habinë e tyre mbi këtë “mbështetje të paimagjinueshme”, që po jepte komuniteti në mbrojtjen dhe strehimin e tij.

Teksa “Marshimi kundër Frikës” i planifikuar për t’u zhvilluar ditën e diel, u anulua nga frika e ndonjë sulmi të mundshëm, huliganët e ekstremit të djathtë, nazistët e rinj, zbritën në shesh, dhunshëm me një mesazh të qartë, kundër terrorit dhe kundër radikalistëve islamikë: “Jemi këtu, për të bërë të ditur se, jemi gati të përballemi me ekstremistët”! Dhe teksa shprehin mesazhin e dhunës, mungesës së tolerancës, filluan dhe sulmet verbale në vendin e homazhit, ndaj një gruaje myslimane të veshur me shami, e cila u mor në mbrojtje nga qytetarët belgë, të cilët filluan të thërrasin në kor “Jo Urrejtjes, Jo Urrejtjes”! Një gjest simbolik dhe i rëndësishëm, që shërben për të kuptuar se, jetesa në paqe, pavarësisht fesë dhe besimit, në mbrojtje të njëri tjetrit, larg urrejtjes dhe dhunës, është domosdoshmëri për çdo shoqëri demokratike. Sepse dashuria për jetën, për drejtësinë dhe barazinë duhet të sundojë mbi çdo dogmë, ideologji apo bindje. Sepse Demokracia duhet të jetë forca e Argumenteve dhe jo e Bombave! /im.ta/DITA

 

 

 

Share This Article