Kryeministri Edi Rama ka shkuar sot paraditen në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, në takimin e tij të përvajshëm të konsultimit me aleatin në qeverisje.
Takimi mes tyre ndodh në një kohë kur sot viziton Shqipërinë, Komisioneri europian Johannes Hahn dhe një ditë para seancës plenare të Kuvendit, ku prej mëse tre javësh, PD-ja ka bojkotuar punimet.
Takimi me Hahn bëhet për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit, mbi përpjekjet e autoriteteve të vendit në rrugën e reformave si dhe për të nxitur fuqimisht një miratim të shpejtë të reformës së thellë në drejtësi.
Komisioneri do të bashkëkryesojë gjithashtu Dialogun e Nivelit të Lartë mbi përparësitë kyçe të reformave që do të ndiqet nga një konferencë për shtyp.
