Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u takua me nën/sekretarin italian të Shtetit për Politikën e Jashtme, Vincenzo Amendola, me të cilin bisedoi për ecurinë e prioriteteve të procesit të integrimit evropian, si dhe për zhvillimet e fundit në rajon.
Kryeparlamemtari theksoi partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë, i cili, tha ai, duhet orientuar më tepër drejt rritjes së cilësisë së bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e energjisë, turizmit, bujqësisë dhe transportit detar.
Kuvendi inkurajon iniciativat e përbashkëta ekonomike e tregtare, tha Meta, duke theksuar se Shqipëria e vlerëson ekspertizën dhe eksperiencën e investimeve italiane në rajon.
Në këtë kuadër, zyrtari italian theksoi se Shqipëria mund të mbështetet gjithnjë tek përkrahja e Italisë, si një partner tradicional i qëndrueshëm.
Në përfundim, duke evidentuar rolin konstruktiv e pozitiv të Shqipërisë në rajon, z. Meta dhe z. Amendola u ndalën edhe tek lëvizjet migratore dhe kriza e refugjatëve që ka prekur mbarë rajonin dhe kontinentin evropian, duke theksuar se Shqipëria dhe Italia qëndrojnë bashkarisht në trajtimin e kësaj krize mbarë-evropiane dhe në përballjen me sfidat e sigurisë dhe terrorizmit që cenojnë vlerat e shoqërive tona demokratike evropiane
