Pak para ngjarjeve të Kumanovës policia sekrete maqedonase ka shkatërruar në procedurë të dyshimtë dhe në kundërshtim me ligjin pajisje dhe materiale të përgjuara.
Sipas Prokurorisë Speciale të Maqedonisë, shkatërrimi ka ndodhur fillimisht në fund të muajit mars të vitit të kaluar, një muaj e gjysmë para ngjarjeve të Kumanovës
“Më 27.03.2015 është shkyçur sistemi, kurse më 28 03 2015 pajisjet janë ngarkuar në mjete transporti të MPB-së dhe është dërguar në një kompani të autorizuar për shkatërrim dhe deponim të hekurishtes. Pajisjet janë presuar”, deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, prokurorja Lençe Ristovska.
Ajo tha se hapësira ku janë deponuar pajisjet e shkatërruara, gjatë tërë kohës është monitoruar nga ana e inspektorëve të DSK-së. Mirëpo kjo nuk ka mjaftuar, dhe ato janë dërguar edhe në një kompani tjetër për shkatërrim, në fillim të prillit.
“Më datë 3.04.2015 i kanë marrë sërish pajisjet dhe i kanë dërguar në kompani tjetër, ku i kanë shkatërruar edhe njëherë dhe pastaj i kanë kthyer në kompaninë e parë”, theksoi Ristovska. Ajo shprehu optimizëm se materialet e shkatërruara mund të kthehen në ndonjë mënyrë me qëllim që të krijohet pasqyrë e qartë se çka ka ndodhur.
Pas ngjarjeve të Kumanovës më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar, pati akuza të shumta se ato kanë qenë një skenar i shërbimeve sekrete.
Shkatërrimi i këtyre pajisjeve përputhet edhe me fillimin e publikimit të bombave nga opozita maqedonase, prandaj nuk përjashtohet mundësia që edhe kjo të ketë qenë shkaku eventual për një hap të tillë./E.T
