Marrëveshje për projektin e “Rehabilitimit të rrugës së lumit të Vlorës”

Dita

Ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe zv.Drejtori i Përgjithshëm i Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab, Hamad Al-Omar nënshkruan sot Marrëveshjen e Huasë për Projektin e “Rehabilitimit të Rrugës së Lumit të Vlorës”. Sikurse theksoi Ministri Ahmetaj, ky është një projekt i rëndësishëm për këtë zonë, me mbi 40,000 banorë dhe rreth 60 fshatra.

Rikonstruksioni i rrugës do të krijojë një korridor të ri i cili është më tërheqës, më i sigurt dhe lehtësisht i përshkueshëm krahasuar me rrugën aktuale që lidh Qarkun e Vlorës me Jugun dhe veçanërisht me bregdetin. Sipas tij ky projekt do të garantojë zhvillim ekonomik e social në zonë, përmes përmirësimit të aksesit në transport dhe në tregje, rritje e gamës dhe cilësisë së shërbimeve për banorët e zonës, zhvillimin e nën/degëve të turizmit si ekoturizmi apo agroturizmi dhe rritja e vendeve të punës.

Projekti përfshin punimet në rrugë në një gjatësi prej 94 km. “Bëhet fjalë për një zonë të varfër në terma të zhvillimit të infrastrukturës dhe shërbimeve të ofruara ndaj gjykojmë që ky projekt do të shërbejë si një arterie e rëndësishme që do të sjellë zhvillim ekonomik dhe social në zonë, përmirësimin e aksesit në rrugë dhe në tregje, rritjen e gamës dhe cilësisë së sherbimeve, zhvillim të ekoturizmit dhe agroturizmit dhe rritje të vendeve të punës. Rikonstruksioni i rrugës do të krijojë një korridor të ri i cili është më tërheqës, më i sigurtë dhe lehtësisht i përshkrueshëm krahasuar me rrugën ekzistuese që lidh Qarkun e Vlorës me jugun”, tha Ahmetaj.

Qeveria shqiptare ka një bashkëpunim financiar të frutshem me Fondin e Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab. Aktualisht Fondi ka akorduar 6 marrëveshje kredie me një vlerë totale prej rreth 21.4 milionë Dinarë Kuvajtianë ose ekuivalenti prej rreth 70.8 milionë dollarë,  si dhe fonde për asistencë teknike me një vlerë prej rreth 837 mijë Dinarë Kuvajtianë ose ekuivalenti prej 2.8 milionë dollar, në fusha financimi kryesisht transporti dhe bujqësia, në drejtim të ujitjes.

Projekti përfshin punime civile për rikonstruksionin e rrugës kryesore ekzistuese Vlorë-Peshkëpi-Qeparo, si dhe zgjerimin e saj duke e shndërruar në një rrugë dy-kalimëshe me shpejtësi të rritur lëvizjeje. Projekti gjithashtu përfshin punime rehabilituese të strukturave të drenazhimit dhe pajisjeve të sigurisë dhe ndriçimit, edhe në kalimet e këmbësorëve në qytetet kryesore që shtrihen përgjatë rrugës si dhe sigurimin e shërbimeve të nevojshme të konsulencës për dokumentet e tenderit të projektit dhe supervizionin e punimeve.  Projekti parashikohet të nisë zbatimin në fillim të vitit 2016 dhe të përfundojë në fund të vitit 2019.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *