“Legjenda e një pianisti”

redaktor

“I thashë lamtumirë çuditjes kur pashë ajsbergët e përbindshëm të detit të Veriut që shembeshin mposhtur nga të ngrohtët, u thashë lamtumirë mrekullive kur pashë të qeshin njerëz që lufta i kishte shkatërruar, i thashë lamtumirë tërbimit kur pashë tek po e mbushnin këtë anije me dinamit, i thashë lamtumirë muzikës, muzikës sime, ditën kur arrita ta luaja të gjithën në notën e vetme të një çasti… E kam ç’armatosur lumturinë. E kam zhveshur jetën time prej dëshirave. Nëse ti do mund ta ripërshkoje udhën time, do t’i gjeje njëra pas tjetrës, të namatisura, të palëvizshme, të ndalura aty përgjithmonë duke shënjuar drejtimin e këtij udhëtimi të çuditshëm që askujt nuk ia kam treguar, përveçse ty”.

“Legjenda e një pianisti”, një kryevepër e repertorit botëror shkruar nga Alesandro Baricco, erdhi mbrëmë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” interpretuar nga aktori Gazmend Paja.

Anija transoqeanike me emrin “Virxhinia”, që lundronte mes Europës dhe Amerikës në vitin 1930, ndalet gati një shekull më vonë në skenën e Akademisë së Arteve.

Për aktorin Gazmend Paja është një pjesë e fortë, një monodramë e fuqishme, që të shndërron teksa e interpreton.

“Përveç aspektit teknik, që është 1 orë e 42 minuta, ajo ka thelb dhe mesazhe shumë të forta brenda saj. Pa dashur, ajo të bën që edhe sikur të mos e arrish suksesin, në fund të bën një qytetar të mirë”, tha Gazmend Paja.

Kryevepra e Alesandro Bariccos ishte një dëshirë e fjetur e regjisorit që prej 6 vitesh. E që në fillim, zgjedhja e tij e parë ishte Gazmend Paja.

Ishte periudha midis dy luftërave botërore, viti 1930 dhe anija luksoze transportonte miliarderë, emigrantë, apo njerëz të zakonshëm që mezi kishin siguruar një biletë të klasit të tretë për të shkuar në botën e ëndrrave, Amerikë. Brenda një anijeje njerëzit thoshin diku me pëshpërima dhe diku me zë të lartë se ndodhej një pianist i jashtëzakonshëm, me një teknikë të habitshme, i aftë për të prodhuar një muzikë të mrekullueshme, të padëgjuar kurrë më parë. Thonë se historia e tij qenkësh absurde, se paska lindur në këtë anije dhe se nuk paskësh zbritur më kurrë prej saj. Dhe pse-në askush nuk e dinte.

“Kisha vite që e çoja ndërmend ta vija në skenë këtë pjesë. Kur kam lexuar monodramën dhe pashë librin që fliste për legjendën e një pianisti, mendova që atë do ta vija në skenë. Aktori i parë që më erdhi në mendje ka qenë Gaz Paja. Ajo pjesë ka shumë dashuri, emocion e përjetime personale, që njerëz të zakonshëm i përjetojnë në përditësinë e tyre, por ndoshta i anashkalojnë dhe nuk i vënë re”, tha Ilir Muhametaj, regjisor. “Legjenda e një pianisti” do të jetë pjesë e një turi të vetë aktorit në të ardhmen.

Kryevepra e Alessandro Bariccos, është vënë në skenë edhe nga teatri Bylis më herët, ndërsa Giuseppe Tornatore ka realizuar një film të suksesshëm me të njëjtën vepër.

Foshnja që lindi brenda në anije nga një dalldisje erotike, dhe u hodh në hollin e sallës së ballos dhe madje në kapakun e pianos, sikur donte të vuloste edhe talentin e tij në fushën e muzikës. Ka qenë drama e pianistit, ku miliarderi që e gjeti i vuri një emër amerikani. Dhe përsëri i “ngjiti” pas emrin e një shoqërie limonash, e më pas vitin 1900. “900”-ta (Noveçento, pianisti ‘legjendë’) ishte pra talenti në piano, që do të prodhonte gjithë këtë muzikë dhe “dramë psikologjike” për spektatorin.

“Unë, që nuk kam qenë i zoti për të zbritur nga kjo anije, që të shpëtoja kam zbritur nga jeta ime. Shkallë mbas shkalle. Dhe çdo shkallë ishte një dëshirë. Për çdo hap, një dëshirë së cilës i thosha lamtumirë. Nuk jam i çmendur, vëlla. Nuk jemi të çmendur kur gjejmë mënyrën për të shpëtuar. Jemi dinakë si shtazë të uritura. S’ka të bëjë çmenduria. Është gjenialitet, ai. Është gjeometri. Përsosmëri. Dëshirat po ma zhvatnin shpirtin. Mund t’i kisha jetuar, por nuk munda. Atëherë i namatisa…”, citohet nga pjesa.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *