1. Kjo botë
Kjo botë bërë copë e çikë,
si brekët e një vrome,
kjo botë e vjetër bie erë,
llagëmi dhe kufome.
Kjo botë e shkretë,
ka të vërtetë,
mizerjen dhe shëmtimin,
dhe fallco-fallco,
vetëm fallco,
aromën dhe shkëlqimin.
26.01.1999
2. Rrugë e të pabesit
Rrugë e të pabesit,
është si terri,
asnjë dritë,
nuk mundet ta ndriçojë,
ndaj ai,
s’e shikon dot kurrë,
atë që nesër,
shpejt do ta rrëzojë…
1999
3. Pa titull
Sa shumë-o njerëz,
në shekuj u sfilitëm,
të gjenim një njeri,
që t’i besonim,
ndaj Jezu Krishtin,
që për ne dha jetën,
dhe të mos ishte,
vetë do ta krijonim…
20.02.1999
4. Pa dashuri…
Dhe macja-dhe qeni i shkretë,
kan’ nevojë për pak dashuri,
pa këtë ndjenjë në jetë,
si mund të rrosh-o njeri?!
11.02.1999
5. Polemika
Për polemikë-more vëllezër,
me domosdo duhen dy njerëz,
ndaj polemikë s’bëj dot me ty,
s’plotësohet dot numri dy.
01.05.1998
6. Pa titull
Ikën për Shqipërinë,
ditët e bukura,
njerëzit lindin dhe vdesin,
si flutura…
Ikën për Shqipërinë,
ditët e mira,
njerëzit lindin njerëz,
dhe rrisin egërsira.
03.12.1998
7. Bota do ish më e mirë…
Bota do të ish më me dritë,
për këtë unë bëhem garant,
po të kish më pak hipokritë,
dhe natyrisht më pak injorantë.
11.02.1999
8. Njeriu-shkretëtirë…
Zemra jote akull-lagështirë,
s’ka zjarr që ta shkrijë,
sytë e tu terr e errësirë,
s’ka dritë që t’i ndrijë!
Buza jote si qivur i ngrirë,
as qesh e as flet,
s’je njeri-po një shkretëtirë,
s’je për këtë jetë!
Se nga ty njeriu-shkretëtirë,
asgjë s’mund të presësh,
mund të bësh veç një punë të mirë,
sa më parë të vdesësh!
11.02.1999

i lexoj me dashuri vjershat tende megjithese me hoqe si shok fb u