Incidenti i ndodhur të dielën e kaluar në aeroportin “Schwechat” të Vjenës me Kombëtaren shqiptare nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga media e huaj. Në numrin e datës 1 prill gazeta austriake “Oesterreich” i ka kushtuar një artikull të detajuar ngjarjes, duke e anunçuar madje edhe në faqen e parë me titullin “Austrian Airlines bllokon kombëtaren shqiptare në aeroport”.
Gazeta austriake shkruan se përfaqësuesja shqiptare është bllokuar në aeroport vetëm për faj të kompanisë ajrore “Luxair”, që ka punuar vetëm me një sportel duke sjellë kështu vonesa në pajisjen e delegacionit kuqezi me bileta. Vonesa që më pas çuan në anulimin e udhëtimit drejt Luksemburgut të kombëtares shqiptare.
Gjithmonë duke iu referuar asaj çka shkruan gazeta austriake, Federata Shqiptare e Futbollit është ndjerë e ofenduar nga sjellja harbute e punonjësve të kompanisë ajrore dhe bëhet me dije se pala shqiptare do ta ndjekë çështjen në gjykatë për të kërkuar dëmshpërblim dhe për të vendosur drejtësi.
Zëdhënësi i “Austrian Airlines”, Wilhelm Baldia ka shprehur keqardhjen për gjithçka ka ndodhur atë të dielë: “Kërkojmë falje për incidentin e shkaktuar. Kemi nisur një hetim brenda kompanisë për të kuptuar se si qëndron e vërteta”.
Kronologjia – Sakaq, gazeta “Sport Ekspres” ka mundur të sigurojë edhe të gjithë kronologjinë e ngjarjes e ngjarjes së ndodhur një ditë pas ndeshjes me Austrinë në detaje. Kombëtarja shqiptare dhe delegacioni që e shoqëronte kanë mbërritur në aeroport rreth orës 13:30, ndërsa fluturimi ishte parashikuar të kryhej në orën 15:05.
Pasi u konstatua se ishte vetëm një sportel për të prerë biletat, drejtuesit e FSHF-së i kanë kërkuar stafit të “Austrian Airlines” (kompanisë mëmë të Luxair” që të vinin në dispozicion sportele të tjera për të evituar çdo vonesë eventuale.
Por përgjigja e personelit ka qenë refuzuese, duke argumentuar se nuk ishte e nevojshme, ndërsa i është dhënë garanci palës shqiptare se procedurat do të kryheshin brenda kohës. Mësohet se rreth orës 14:25 punonjësja e kompanisë ajrore që bo bënte “check-in” pati probleme në printimin dhe marrjen e bagazheve të lojtarëve dhe stafit, duke shkaktuar një vonesë tjetër prej rreth 10-15 minutash.
Sërish pala shqiptare kërkoi kryerjen e “check-in” në një sportel tjetër, por personeli ka thënë se kjo ishte e pamundur. Ndërkohë pjesa e delegacionit e pajisur me bileta po bëhej gati të hipte në avion. Por në orën 14:40 personeli i “Luxair” në mënyrë të papritur u ka komunikuar drejtuesve të FSHF-së se procesi për të vazhduar “check-in” dhe për të pajisur me bileta pjesën e mbetur të grupit ishte ndërprerë dhe se nuk mund të vazhdonte më, duke lënë pa bileta tre lojtarë.
Pas ankesave të lojtarëve, personeli i ka udhëzuar të drejtoheshin drejt një sporteli, por me të mbërritur aty (sipas udhëzimeve të stafit Austrian Airlines”) nuk u lejuan të kalonin kontrollin më tej dhe u është mohuar hipja në avion. Drejtuesit e FSHF-së kanë marrë menjëherë kontakte me menaxherët e kompanisë ajrore për të sqaruar anomalinë dhe për të lejuar lojtarët e mbetur pa bileta që të hipnin në avion.
Madje, ka pasur ndërhyrje edhe nga diplomatë shqiptarë për të zgjidhur problemin, por as ata nuk kanë mundur të bindin menaxherët e “Austrian Airlines” që lojtarët e mbetur pa bileta t’i bashkoheshin pjesë tjetër të grupit. Gjatë kësaj kohe punonjësit e kompanisë kanë mbyllur pa dhënë asnjë shpjegim sportelin dhe dyert e hyrjes, duke lënë jashtë fluturimit të gjithë delegacionin kuqezi.
Preteksti për vonesat – E gjithë kjo odise është mbyllur me një episod qesharak, që vërteton katërcipërisht faktin se kompania ajrore ka sabotuar udhëtimin e kuqezinjve dhe se zbatimi i orareve (të cilat delegacioni shqiptar i ka respektuar sipas axhendës) ka qenë thjesht një pretekst.
Pasi u bë fakt i kryer lënia jashtë fluturimit e delegacionit kuqezi, personelit të “Luxair” i janë dashur rreth 45 minuta për të nxjerrë nga avioni bagazhet e kuqezinjtë. Avioni që duhet të nisej në orën 15:05 është nisur në fakt rreth orës 15:50. Pra kompania e gjeti kohën dhe shty fluturimin për të nxjerrë bagazhet, por nuk arriti të gjente kohën e duhur (do të duheshin vetëm pak minuta) për të pajisur me bileta edhe tre anëtarë të tjerë të delegacionit.
Një situatë sa ironike aq edhe e turpshme, që vërteton se kompania ajrore ishte totalisht fajtore për incidentin e shkaktuar dhe e paaftë për të menaxhuar siç duhet në këtë rast udhëtimin e kuqezinjve drejt Luksemburgut.
Avokati Skënder Fani do ndjekë gjyqin me “Luxair”
Kompania kërkon faturën e shpenzimeve ekstra, që kapën shifrën e 40 mijë eurove. Por pala shqiptare do të kërkojë një dëmshpërblim edhe më të madh në gjykatë
Pasi janë ndjerë të ofenduar nga sjellja arrogante e personelit të kompanisë “Luxair” (pjesë e “Austrian Airlines”) drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë ndërmarrë hapat ligjorë për të çuar në gjyq kompaninë dhe për të kërkuar në gjykatë dëmshpërblim.
Do të jetë avokati i njohur shqiptar, Skënder Fani (i cili jeton në Austri) ai që do të përfaqësojë palën shqiptare në gjyqin me kompaninë ajrore austriake. Në fakt, “Sport Ekspres” ka mësuar nga burime të besueshme se kompania “Luxair” i ka kërkuar FSHF-së faturën e shpenzimeve ekstra dhe dëmin financiar të shkaktuar nga anulimi i fluturimit në këtë rast.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se dëmi financiar arrin në shifrën 40 mijë euro, por pala shqiptare do të kërkojë një dëmshpërblim edhe më të madh për shkak të probleme të shkaktuar nga anulimi i fluturimit në përgatitjen e kombëtares shqiptare për ndeshjen e radhës miqësore ndaj Luksemburgut (të luajtur më 29 mars). Në fakt, ndryshimi i planeve ka prishur regjimin e kuqezinjve dhe ka hedhur në erë planet e stafit teknik dhe skuadrës në përgatitjen e kësaj miqësoreje, duke kushtëzuar në një farë mënyrë edhe performacën e skuadrës në fushën e lojës.
Deklarata
Qëndrimi zyrtar i FSHF-së pas anulimit të udhëtimit
Federata Shqiptare e Futbollit doli me një deklaratë për shtyp pas ngjarjes së ndodhur 27 marsin e kaluar në aeroportin e Vjenës, ku sqaronte ngjarjen dhe paralajmëronte hapat ligjorë ndaj kompanisë ajrore.
“Kombëtarja e Shqipërisë, e cila kishte programuar për tu nisur nga Vjena për në Luksemburg, nuk ka arritur të udhëtojë drejt destinacionit të saj. Kjo sepse është penguar nga procedurat e kompanisë ‘Lux Air’ e cila operon për këto udhëtime me kompaninë ‘Austrian Airlines’.
Avioni duhej të nisej në orën 15:05, por pasi ishte kryer procesi i prerjes së biletave për pjesën më të madhe të ekipit e delegacionit dhe kur kishin mbetur vetëm 3 persona pa u pajisur me biletë, punonjësit e kësaj kompanie, kanë ndërprerë veprimet në mënyrë të njëanshme duke mos pranuar që të presin biletat dhe të kryejnë veprimet për pjesën tjetër të ekipit”, – thuhet në komunikatën zyrtare.
Më tej, FSHF shpjegon se pavarësisht këmbënguljes dhe protestave të vazhdueshme të përfaqësuesve të delegacionit shqiptar, punonjësit e kompanisë “Lux Air” që operon me kompaninë “Austrian Airlines”, nuk pranuan të bashkëpunonin, për ta zgjidhur këtë situatë dhe nuk lanë asnjë mundësi zgjidhjeje, deri në fund.
“Pas kësaj ngjarje të paprecedentë, të ndodhur në Aeroportin e Vjenës, FSHF-ja do të ndjekë të gjithë hapat ligjorë për dëmtimin moral dhe financiar të shkaktuar nga ‘Lux Air’, e cila operon me ‘Austrian Airlines’ dhe është e vendosur që t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje”, – mbyllet deklarata.
