Vetëm pak ditë pas fitores 2-0 të Shqipërisë në miqësoren me Luksemburgun, ku tregoi potencialin e tij në majën e sulmit kuqezi, Sokol Cikalleshi i shfaqi cilësitë e tij teknike edhe në Turqi në ndeshje Basaksehir-Mersin 3-0.
Sulmuesi 25-vjeçar, i cili u aktivizua titullar nga trajneri Avci, në minutën e 31 të takimin dha një pasim të zgjuar me thembër për Mossosro, që më pas goditi saktë nga distanca për golin e 2-0.
Më parë Basaksehiri i Cikalleshit kishte kaluar në avantazh me 11-metërsh, që u ekzekutua saktë nga Visca.
Në fillim të pjesës së dytë Ozmert shënoi golin e tretë për vendasit, që më pas nuk harxhuan energji për të arritur një rezultat më të thellë.
Cikalleshi i cili qëndroi në fushë deri në minutën e 86-të, kishte përballë Loret Sadikun, mbrojtësin e përfaqësueses së Kosovës, i cili luan sezonin e tij të dytë me Mersinin.
Gjatë këtij sezoni Sokol Cikalleshi është aktivizuar në 23 ndeshje të kampionatit turk, duke shënuar 5 gola, ndërsa në Kupën e Turqisë në 8 ndeshje ka mundur ta dërgojë 7 herë topin në rrjetë.
