Fundjavë trazirash në Bruksel (Foto dhe Video)

redaktor

Edhe pse çdo lloj protestimi, ishte i ndaluar me urdhër të policisë dhe të komunave përkatëse, kjo nuk frenoi aspak rrëmujën dhe grumbullimet e paligjshme, këtë të shtunë në Bruksel. Forcat policore duhej të përballonin tre palë protesta, që zhvilloheshin paralelisht.

Fillimisht duhet të bllokonin neo-fashistët, që përpiqeshin në grupime të vogla të penetronin në Molenbek. “Génération Identitaire” (Gjenerata e Identitetit) kishte bërë thirrje pas sulmeve për manifestim në Molenbek, nën moton “Të përzëmë islamistët”. Edhe pse i anuluar nga vetë ato dhe i ndaluar nga autoritetet lokale, grupimet po shfaqeshin në përpjekje për të penetruar në zonë. Disa prej tyre, të armatosur.

Nga ana tjetër, policia duhej të frenonte banorët e Molenbekut, kryesisht të rinjtë problematikë të kësaj zone, që ishin grumbulluar te sheshi komunal, për të pritur dhe për t’u përballur “denjësisht” me fashistët protestues.

Paralelisht në Sheshin e Bursës, i shndërruar në vend homazhi për viktimat e sulmeve terroriste, kishin dalë edhe radikalët e majtë, anti-fashistë dhe anti-racistë, për të protestuar kundër huliganëve neo-nazistë.

Teksa çdo lloj protestimi ishte i ndaluar, policia fillon ndalimet dhe arrestimet. Disa të ndaluar tek Sheshi i Bursës, pra tek protestuesit anti-racistë. Ndalime, që janë shoqëruar me një lloj habie nga ky grupim i majtë radikalist, pasi vetëm një javë më parë, huliganët dhe fashistët e rinj të ekstremit të djathtë, u lejuan të protestojnë dhe u shoqëruan me kordon policie nga stacioni i trenit deri në Sheshin e Bursës. Por, arrestime ka pasur edhe tek disa huliganë të tjerë, që janë përpjekur të kalojnë zonën e kanalit, për të penetruar në Molenbek.

Ndërkohë të rinjtë e Molenbekut, apo siç i konsideroi edhe Kryebashkiakja e zonës, Schepmans “ një tufë banditësh” janë përpjekur të konfrontohen me policinë dhe incidenti më i rëndë u shënua kur  një makinë e bardhë Audi1, me dy të rinj të zonës brenda saj, në gjendje të droguar dhe të alkoolizuar, thyejnë barrikadën e policisë, duke aksidentuar një grua në moshë, gjithashtu banore e zonës, e cila u dërgua në gjendje të rëndë në spital.

Teksa qetësia filloi të vihej gradualisht rreth orëve të pasdites, dhe tek ishin ndaluar 32 persona, një sërë deklarimesh për media të ndryshme, të Kryebashkiakes së zonës, shfaqin shqetësim dhe emergjencë ndërhyrje nga autoritetet shtetërore, që Molenbeku të mos shndërrohet në Bronksin e Brukselit:

“Problemi kryesor është se në veçanti, në qendër të Molenbekut, nuk ka shumë integrim, aty jetojnë myslimanët, me origjinë kryesisht marokene…(…) Problemi në Molenbek, është se një pjesë e komunitetit, ka qenë e izoluar për një sërë vitesh. Fatkeqësisht, ato nuk kanë mësuar të flasin frëngjisht. Dhe për shkak se ka një mungesë integrimi, fondamentalizmi, mund të shpërndahet më lehtësisht, sidomos, kur nuk ka as aparat të shoqërisë civile tek marokenët, të cilët mund të luftonin shpërndarjen e radikalizmit. Në krye të të gjithave, natyra e imigrimit në Molenbek ka ndryshuar: në fillim të viteve ’60, njerëzit vinin këtu për punë. Sot, për shumë nga to, Molenbeku është destinacioni i tyre, sepse jeta këtu është më e lehtë, se në Marok. (…) Ribashkimi familjar ka qenë i autorizuar në shkallë të gjerë. Kjo ka sjellë si pasojë krijimin e familjeve shumë të mëdha, që jetojnë në apartamente shumë të vegjël. Mungesa e edukimit dhe e mundësive për punësim, u kujdesen për pjesën tjetër….”

Të njëjtin shqetësim ka shfaqur edhe drejtuesja e Shkollës së të Rinjve dhe Luftës kundër Përjashtimit Social, Sarah Turine : “ Janë lagje që përmbledhin të gjithë treguesit negativë socio-demografike: varfëri e madhe, përqindje e lartë papunësie, shkollim i dështuar. Janë lagje, që njohin në vazhdimësi mbërritje të imigrantëve dhe dhe që njohin domethënien e fjalës stigmatizim apo diskriminim”. Jo më larg se disa dite pas sulmeve të Parisit, e njëjta drejtuese e ngarkuar për Rininë, Kohezionin Social dhe Dialogun Ndërkulturor, do i bënte thirrje autoriteteve federale të përqendrohen tek parandalimi dhe jo represioni, si edhe të shtohen mundësitë financiare për komunën, në mënyrë që të mirë funksionojnë mekanizmat e ndërgjegjësimit dhe të parandalimit. /DITA 

5700064535702a22d5fe5d58

 

5700062835702a22d5fe5d54

Share This Article