Ja dhe kryeministri ynë Sali Berisha lëshoi që nga Hotolishti i Librazhdit lajmin suprizë: “Emigrantët të votojnë më 23 qershor!..” Na zuri më në fund me gojë edhe ne emigrantët. Madje na futi drejt e në thela. Do të jemi votues, që prej këtej së largu, kudo që të ndodhemi. Dhe i fton socialistët, në stilin e tij, duke i hedhur dorashkën në fytyrë kryetarit të tyre që “…nëse ke ndryshuar mendje,.. urdhëro ditën e hënë të votojmë për këtë…” Mësuam me këtë rast se “paskësh qenë” Edi Rama ai që na paska lodhur gjer më sot(?!). Çfarë suprize na solli kjo fundjavë? Ajo që nuk mundi të bëhej për 8 vjet, ja që mund t’u bëka të hënën, vetëm dhëntë zoti “të ketë ndërruar mendje ai, frikacaku” Edi Rama. Dhe për të na bindur që s’është shaka e as shashkë, si fjala vjen ajo e votimit të 16 vjeçarëve, nuk e la propozimin e tij në ajër, që ta përpinin honet e Çermenikës por ia caktoi ditën për të prerë fjalën: të hënën, (më 15 të këtij muaji)… S’kanë nga ia mbajnë këtë herë socialistët. Saliu këtë herë nuk u ka lënë kohë as të gjejnë ndonjë justifikim… Si mund të mos e besosh së paku në këtë rast Berishën. Ai foli qartë dhe shkurt. Unë për vete e besoj. Ai s’mund të gjente majë më të lartë se Hotolishti për të thënë atë sihariq, me ato fjalë lapidare për realitetin e lavdishëm që veç qorrat e mashtruar nga Edi Rama s’e shikojnë. Ai s’mund të gënjejë sot për nesër. (Në fakt ishte sot për pasnesër) Të hënën! Jo më larg… Dhe më 23 qershor të gjithë ne emigrantët drejt kutive të votimit që do të na i sjellin këtu…
Ai gjithashtu nuk harroi të thoshte: “I them zotit Rama se gënjeshtra është dobësia më e madhe e burrit dhe gënjen vetëm burri që ka frikë nga vetja e tij…” Unë për vete e besoj në këtë rast, dmth që ai mund ta ketë megjithë mend të bëjë të hënën propozmin në fjalë në kuvend… dhe nuk jam aspak ironik kur e them këtë. (Çdo të bëjë më parë të hënën do të thoni ju?.. Ai e di.) …Ai e di se si do të relizohet tani kaq vonë ky proces, se si do të bëhet edhe numurimi… Ai e di. Unë? E besoj.
Letër e nënshkruar: Ilir Mborja
