“Panama Papers”, kushëriri i Assad ka 5 miliardë dollarë pasuri

Elton Tafaruci

Edhe regjimi i Bashar al Assadit nuk ka shpëtuar nga dosja “Panama Papers”.

Një kushëri i afërt i Assadit, i quajtur Rami Makhlouf është ndoshta një nga njerëzit më të korruptuar në Siri. Ai është konsideruar edhe nga kabllogramet amerikane si “fytyra e vërtetë e korrupsionit” në vend.

Makhlouf dhe familja e tij vlerësohet të kenë rreth 5 miliardë dollarë pasur, duke kontrolluar rreth 60% të ekonomisë së vendit. Shifrat janë për periudhën e paraluftës.

Historitë e tij me afera nuk janë të reja, pasi ato nisin që nga viti 2007, ku Makhlouf ka përfituar fonde të majme për shkak të mbështetjes nga presidenti i vendit, i cili ka pranuar të fusë Sirinë në luftë shkatërrimtare vetëm që të mos largohet nga pushteti.

Makhlouf ka pasur marrëdhënie të vazhdueshme me kompaninë “Mossack Fonseca” dhe lidhjet nuk i ka ndërprerë as me nisjen e luftës, megjithëse emri i tij ishte futur në listën e “zezë” ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kompania duhet të kishte vendosur ndërprerjen e marrëdhënieve në bazë të vendimeve të Bashkimit Evropian, gjë që nuk ka ndodhur.

Në lojë, nuk është përfshirë vetëm kompania dhe fshehja e llogarive në ishujt e virgjër britanikë, por edhe banka e Britanisë HSBC, e cila ka lobuar pro kushëririt të Assadit për të mbrojtur llogaritë e tij bankare në Zvicër dhe në ishujt britanikë, megjithëse në terren mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë shpërngulur.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *