Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, denoncon faktin abuziv ku vetëm për adelatin çmimi nga 2 lekë për kokërr është bërë 5 lekë
Barnat në vendin tonë shiten me çmim shumë herë më të lartë se sa në vendet e rajonit. Denoncimi i ndryshueshmërisë së pajustifikueshme të çmimeve të barnave vjen nga kreu i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Arjan Jaupllari. Ai vë në dukje se shqiptarët paguajnë barnat e konsumit masiv me çmime shumë herë më të larta se sa ndodh në vendet fqinje. Ky fakt abuziv sipas Jaupllarit, po shndërrohet në një fenomen që po rëndon gjithnjë e më shumë xhepat e qytetarëve. Ata, përveç problemeve në shëndet, duhet të përballen edhe me koston e lartë të sigurimit të barnave për terapitë trajtuese.
Ndërkohë institucionet përgjegjëse për monitorimin e politikave të barnave, sipas tij, fshihen pas deklaratave boshe, dhe nuk ndërhyjnë duke lejuar abuzimet në radhët e shitjes së barnave. Jaupallari shton më tej se shumë ilaçe që konsumohen më shpesh janë rritur nga 50 deri 100 për qind, duke konfirmuar se pretendimi i herëpashershëm i drejtuesve të institucioneve të larta shëndetësore se çmimet e tyre janë ulur, nuk është fare i vërtetë.
Rritja e çmimeve është më e lartë për barnat që nuk janë në skemën e rimbursimit, rritje që në raste të caktuara është dy-tre herë më e lartë. Pavarësisht denoncimit të bërë situata mbetet po njësoj, ndërsa pacientët shqiptarë detyrohen që të bëjnë blerjen e barnave edhe pse me çmime të kripura. Kjo rritje prek më shumë barnat e tregut të lirë farmaceutik, duke konstatuar rritje edhe në barnat e rimbursimit. Njëkohësisht, rritjes së çmimit nuk i kanë shpëtuar edhe ato pak barna që prodhohen në vendin tonë.
Duke u ndalur tek ky tregues, Jaupllari bën të ditur se gati 20 për qind e ilaçeve që tregtohen në vendin tonë janë prodhim vendas dhe çmimi i tyre në krahasim me ato të importit është po ai. Megjithatë, problemet me të cilat përballet tregu farmaceutik i shitjes së barnave në vendin tonë janë të shumta. Një ndër to është edhe shitja e tyre pa recetën e mjekut, për të cilën Ministria e Shëndetësisë është kujtuar pak ditë më parë të nxjerrë urdhrin për ngritjen e task-forcës që do të kontrollojë shitjen e këtyre barnave. Urdhër, të cilin Jaupllari e konsideron të vlefshëm, por para zbatimit të tij ministria duhet të jetë e kujdesshme që të mbyllë dhjetëra farmaci të palicencuara që ushtrojnë aktivitet duke vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.
“Dhënia e tyre nga dora e joprofesionistëve, që janë me dhjetëra farmaci të palicencuara në Tiranë dhe që ne ia kemi bërë me dijeni qendrës së kontrollit të barnave, dhënia e tyre nga mjekët veterinerë në farmacitë veterinare është një nga problemet më të mëdha të sistemit tonë shëndetësor”, shprehet Jaupllari.
Në lidhje me ngritjen e task- forcës, kreu i urdhrit të farmacistëve kërkoi hartimin menjëherë të rregullores për përshkrimin e recetës e cila mungon prej vitesh. “Në rregullore duhet të përshkruhen qartë detyrimet që ka çdo profesionist, kush ka të drejtë të lëshojë receta me antibiotikë apo receta të tjera, pastaj të ngrihen task- forca, sepse shpeshherë ato përfundojnë në një punë njëjavore e pastaj gjithçka mbaron këtu. Të gjithë bashkë duhet të bashkëpunojmë për të minimizuar këtë fenomen që dëmton rëndë shëndetin e pacientit”, konfirmoi Jaupllari.
Rritja e çmimit të barnave
“Barnat të cilat nuk janë në listën e rimbursimit janë rritur me 50-100 për qind. Unë mund të them vetëm për adelatin që ka qenë 2 lekë është bërë 5 lekë. Dhjetë kokrra adelat bëjnë 500 lekë të vjetra, një rritje maksimale, apo dhe barna të tjera të cilat janë alternativa të vetme. Disa rajone rreth nesh përdorimin e barnave të njëjtë i kanë me çmime shumë më të ulëta se sa tek ne”, shprehet kreu i Urdhrit të Farmacistëve Arjan Jaupllari.
Task-forca për barnat
Sipas urdhrit më të fundit të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë duke filluar nga dita e sotme, do të nisë zbatimin task-forca e ngritur pёr kontrollin e rreptë tё antibiotikëve nё institucionet shёndetësore , veçanërisht ato spitalore, por edhe për ofrimin e antibiotikeve nga farmacitë në të gjithë vendin. Ç’ka do tё thotё se kush abuzon me antibiotikët, do tё mbajë pёrgjegjёsi. Sipas këtij urdhëri, ai qё do tё lëshojë antibiotikë pa recetën e mjekut, do tё mbajë pёrgjegjёsi deri nё heqjen e licencës.