Ndërsa po ecja gjatë rrugës Hoxha Tahsim drejt qendrës së qytetit, më doli përpara djali i një shokut tim të vjetër. Casti më befasoi ngaqë e dija se ai prej kohësh punonte në Itali. Pasi u përshëndetëm, m’u lut të qëndroja të pinim një kafe së bashku. U ndalëm për të qënë sa më të qetë.
– Po, si jeni nga shtëpia? A mbahet mirë babai, pasi kam shumë kohë që nuk e kam parë? Na rrëmben rutina e jetës dhe harrohemi!
– Mirë janë, babi iu ngjitet të shtatëdhjetave, herë me kurajo herë me përtim. Mamaja mbahet më mirë edhe si më e re dhe motrat mirë janë. – më tha.
– Po ti kur paske ardhur?
– Kam gati dy muaj. Kam ardhur për fare t’iu qëndroj prindërve pranë. Bashkë me një shok po ngremë një servis për aparatura elektronike… ia morëm këtë zanat kurbetit. – më tha me siguri në vete.
Pasi e urova për mbarësi, ai nxorri tre fije letër format të palosura nga xhepi dhe si me mëdyshje më tha:
– T’iu them të drejtën, me këto letra isha nisur për te ju, me besimin se do të më jepnit një këshillë. Kam rënë në hall, nuk di pse babi ka menduar të na vërë para një prove të tillë! Këto rreshta i ka shkruar ai me dorën e tij në formë amaneti. Jam zënë ngushtë nga pesha e mendimive të tij, por edhe nga kujtimi i një thënie të dëgjuar qysh në fëmijëri se; “amanetin nuk e tret as dheu”… Ju lutem, humbini dhjetë minuta dhe lexojeni vetë, se kështu me gojë nuk jua shpjegoj dot mirë.
– I mora letrat me ndjesinë se do të ishte një problem pronash, fenomen ky i shfaqur me dramatizëm gjatë viteve të mbrapshta të tranzicionit dhe nisa të lexoja me vëmendje:
Të dashur fëmijë!
Porositë e mëposhtme që po iu lë me konceptin e AMANETITt, mund t’iu duken befasuese dhe jashtë zakoneve të rrjedhura nga empirizmi i rëndomtë, te ndikuara nga rrethanat,varferia dhe injoranca, por iu siguroj se ato janë hedhur në letër me vetëdije të plotë, si rezultat i zbërthimit të realitetit tërësor të jetës , si dhe i përvojës time të drejtpërdrejt shtatëdhjetë vjecare në këtë botë.
Dalja e individit në pozicion kritik ndaj zakoneve të shumicës, nuk është gjithmonë i gabuar, përkundrazi, ka qënë dhe mbetet risi, guxim dhe individualitet për evoluimin e mendimit njerzor për t’u shkëputur nga psikologjia e mendësisë së lashtë, produkt i injorancës fillestare dhe i kuptimit fanatik të jetës. Historia e zhvillimit të botës ka vërtetuar se shoqërinë njerzore e kanë tërhequr drejt përparimit mendor, kulturor, shkencor dhe organizativ, individët këmbëngulës deri në sakrificën sublime. Mendimet e mia kritike dhe të ashpra lidhur me mediokritetin nëpër dasmat tona, si dhe ndaj hipokrizisë përballë vdekjes, i kam shprehur hapur dhe kam mbajtur qëndrim konseguent, pamvarësisht se cfarë llomotisnin njerzit injorant. Formalizmat e neveritshme, duhen ndryshuar në emër të logjikës me të cilën Zoti na ka vecuar nga gjallesat e tjera mbi këtë tokë. Si mund të quhet zakon i arsyeshëm bie fjala, përlotja pranë të vdekurit, të një njeriu që nuk i dhemb shpirti, që nuk ka patur së gjalli pika takimi me të, që nuk i është gjendur pranë në ditë halli?! Përse duhet të vijë në ngushëllim ky lloj njeriu, sado i afërt të jetë në gjak?! Për kë vjen, kur shkaktari i ardhjes nuk shikon gjë?! Për hipokrizi ndaj të gjallëve, apo më keq akoma, për të përfituar dicka prej tyre?! A nuk është hipokrizi e hapur ardhja për ngushëllim e njerzve që të ikurin nga jeta nuk e kanë parë me sy për vite me rradhë? Përse e marrin mundimin për këtë veprim alogjik? Pa dhe përpiqen të përloten!
Të dashur fëmijë! Keqardhja, dhembja dhe lotët, janë derivate të drejtëpërdrejta të kujtimeve të mira, të përkujdesjes së ndërsjelltë, pra të dashurisë dhe merakut të ngjizura ne shpirt nga maredheniet ne jete. E kundërta është thjeshtë hipokrizi ndaj të gjallëve dhe poshtërim për të vdekurin. Për rrjedhojë, ju lutem të ma përmbushni amanetin, pamvarësisht ndrydhjes së ndërgjegjes tuaj. “Gjynahet le t’i marr unë!’
Mos lejoni të ma shikojë njeri fytyrën e vdekur, aq më pak të më afrohet njeri të më puthë të vdekur, qoftë edhe vetë ju. Puthjet e mallit konsumohen së gjalli. Gabimin e mësipërm e kam bërë një herë vetë dhe përjetova gjatë rrënqethjen fiksive Ndjesia e fytyrës së vdekur nuk më ndahej nga buzët dhe pendimi më ndrydhte shpirtin. Portreti i vdekjes nuk puthet! Shëmtimi i fytyrës së vdekur sjell trishtim dhe drithërimë te të dashurit dhe kënaqësi pështirosëse të hipokritët që nuk ndjejnë aspak dhimbje…
Mos lejoni njeri të më zbulojë fytyrën e mbuluar në arkivolin e hicit. Kapaku mbi imazhin e gjallë është mbyllur për të mos u hapur më, atë e ka pushtuar vdekja, përpara së cilës vetëm mund të përkulemi.
Mos organizoni drekë për vdekjen time. Ndaj kësaj dukurie, jam përpjekur të distancohem gjatë gjithë jetës, duke mos harruar malkimin e rëndë,te dëgjuar që në vitet e fëmijërisë; “ Të hëngsha drekën”! Cilido që vjen për ngushëllim i hidhëruar për atë që ka ikur nga jeta, nuk ka si ta ketë mendjen te supa e pilafi i vdekjes. Ai pasi të përcjellë të vdekurin, le t’i marrë vetë masat e përtypjes së nevojshme. Të zotët e shtëpisë, të hidhëruar sic janë, nuk mund të mendojnë në të njëjtën kohë, se ku e cfarë do hanë soj e sorollopi, pjesa dërrmuese e të cilëve vijnë për sehir, romuze e thashetheme. Është tepër idiotike thënia e disave se; “ ka punuar i ndjeri, për të ngrënë një drekë të gjallët”!!! Unë dhe cilido që ndahet me jetën, ka punuar ta jetojë jetën sa më mirë, e më së shumti, të lërë dicka brenda mundësive për të afërmit e tij brenda shtëpisë dhe as që i ka shkuar mendja të mendonte; “Puno o i përpjekur, të të hanë drekën të gjallët, pasi të kesh vdekur”!
Është qesharak fakti, që shqiptarët tashmë me një gjendje ekonomike më të përmirësuar nga ndihmat e mijëra emigrantëve të shpërndarë nëpër botën e qytetëruar, gostite e vdekjeve i kanë kthyer në dasma, me pije e dolli ku kercet muabeti per ndeshjet e sportit!apo shkembehen barcaletat! Dhe kjo quhet nder për atë që e mbuloi dheu!! Pra, normalisht shtëpia të jetë e hapur për cilindo që vjen të ngushëllojë, të sjellë në bisedë ndonjë kujtim të mirë nga njohja me të ndjerin dhe të pijë një kafe te zeze” gjë që i shkon natyrshëm rastit.
Ju lutem të qani dhe të shprehni plotësisht dhimbjen që ndieni në shpirt, e jo për t’u parë të tjerët se sa shumë u tronditët, dukuri kjo që e kam ndeshur shpesh herë në jetë dhe ju siguroj që është gjë e neveritshme. Pra tregohuni dinjitoz, të përmbajtur dhe të vetëdijshëm se kapaku i vdekjes është i natyrshëm dhe i pakontestueshëm, vecanërisht kur njeriu I ka bërë sic thuhet ditët e Zotit, pra është bërë dhe gjysh… Aksioma për ju duhet të jetë; “ Jeta duhet jetuar, pa u dridhur nga vdekja që është zakon i përjetshëm dhe i pandryshueshëm”. Në këtë kuptim edhe vizitat e shpeshta te varri, janë një absurditet që nuk ndryshojnë asgjë, vecse hedhin mbi të gjallët hijen e varreve, pesimizmin, meditimin e hidhur dhe apatinë. Për fat të keq nuk ka ndodhur që të vdekurit, me ikjen e tyre të forcojnë prapa harmoninë për të gjallët. Ju siguroj se dhe “përkujtimet” e përsëritura, kanë më tepër në bazë një lloj frike mistike në ndërgjegjen e të gjallëve se mos shpirtrat e vdekur vërtiten në hapësirë për t’iu kontrolluar veprimet, sesa të shmalljes, pasi nuk ka si shmallohet njeriu me hicin!
Ju nuk duhet të mbani gjatë shenjat e zisë, rrobat tuaja të celta nuk ofendojnë vdekjen, por zbukurojnë jetën tuaj që ecën në rrotacionin e shekujve… madje edhe mamaja, nëse do vijë pas meje, nuk duhet t’i mbajë gjatë veshjet e zeza, të cilat realisht kanë mbetur vargua mbi shiprtin e njerzve qysh nga lashtësia injorante. Madje dhe këtu ka vend hipokrizia, për ilustrim iu kujtoj rastin e një zonje të re, të cilës burri i dashur, në castin që e ndjeu se po ndahej nga jeta i ishte lutur të duronte pa shkuar në krahët e një tjetri për kujtimin e tij, deri sa të thahej plotësisht dheu i varrit të tij. Por për fat të keq varrit të ndodhur në egrasi dheu, të cilin vejusha e kontrollonte cdo javë, nuk po i thahej as pas gjashtë muajsh, kështu që ajo u detyrua të përdorte një erashkë që ta thante,ndonse duke mermeritur fjale dashurie per ate qe kishte nisur te pleheronte token…
Dhembja njerzore e ka folenë në shpirtin e njeriut dhe jo në reklamën e rrobave të zeza ndaj opinionit. Njeriu me arsyen e shëndoshë nuk duhet të bëjë veprime pa qëllim të materializuar të së mirës apo së keqes. Për të mos iu munduar thënia e lashtë; “të humbtë varri” (gjithashtu e rëndomtë pasi ku janë varret e miliardave?!) për mua mjafton një pllakë identifikimi dhe jo salltanetet e mermerta, të cilat në shumicën e rasteve janë kthyer në hipokrizi për të gjallët, pasi i vdekuri mund të ketë ikur nga jeta me shpirt në majë të hundës, pikërisht prej atyre që i zbukurojnë varrin… plus që mermerëve mund t’iu vijë ndonjë ditë prapa buldozieri, sic ka ndodhur në rininë time në varrezat e famshme të Bamit në Tiranë…
Mos e vrisni mendjen se cfarë do thonë injorantët, të cilët ndonëse krekosen per zakonet, i përqasen realisht epitafit:
Pllakat prej mermeri prerë
Hipokrizia kollona
Sa qe gjallë s’i patët blerë
As një palë pantallona…
Vlerë reale, ka një video për jetën e prindit, gjë që mund ta shikoni fare lehtë e të shmalleni kur të ndodhë t’iu marrë malli, apo të shuani edhe kureshtjen e brezit të tretë, të nipave dhe mbesave. Të gjitha të tjerat janë formalitete që i mbulon hici dhe që si të tilla nuk duhet t’i kultivojë më arsyeja njerzore. Ju siguroj se pas vdekjes asgjë nuk ka vlerë, vecse gjurmëve që ka lënë i ikuri në kujtesën ë e njerzve. Cdo thënie për një jetë të përjetshme, është një iluzion qesharak dhe mashtrim i qëllimshëm, që spekulatorët ta jetojnë këtë jetë me të gjitha të mirat. Kurse turmat e milionave masive të zvarriten në mjerim me shpresën se diku “prapa diellit!” apo në thellësinë e tokës, do gjejnë lumturinë si kompesim të mundimeve që përjetuan së gjalli. Mos harroni fëmijët e mi, devizën time: Njeriut i falet të iki nga kjo jetë i varfër, por nuk i falet injoranca… fuqia qiellore ka prerë një jetë dhe një vdekje për të gjithë. Ai, Zoti, ka dhënë mundësinë e krijimit të brezave dhe konsumimin e një jete, por jo ringjalljen dhe përsëritjen e saj.
Paci guxim dhe vetëdije për të qëndruar dinjitozë përballë amanetit tim, për mosplotësimin e të cilit, nëse është e vertetë thënia “i vdekuri ngrihet nga varri”, unë do të jem i pari.
Ju kërkoj ndjesë për cdo veprim që ju ka lënë ndrydhje në shpirt, pasi me c’kam mësuar nga kjo botë, njeriu shpëton nga të metat kur ikën nga gjiri i qiellit për të zbritur në atë të tokës.
Guxim, vetëm me guxim, do pastroni jetën nga rutina e zakoneve arkaike, nga formalizmi dhe hipokrizia.. Per kete une kam besim se do ta realiyojne mesemiri mijera femije qe lindin apo jetojne prej vitesh ne boten e qzteteruar..
I lashë letrat mbi tavolinë dhe hodha mbi to shikimin tim të menduar. Djali i mikut tim po shikonte me bisht të syrit për të kapur ndonjë nuancë të fytyrës time mendimin e saktë për cka kisha lexuar. I hodha dorën në sup dhe i thashë:
– Yt atë ka plotesisht të drejtë. Cështja është se sa ke ti brenda vetes forcë nga karakteri i tij… Ai dëshiron që me dorën tuaj dhe vecanërisht tënden, si trashëgues pas tij, t’i heqë jetës një faqe të pavlerë, për ta bërë atë më të drejtë e njeriun me te pasterr. Mendoj që kur të vijë dita që ta ndieni se babai është para fundit, këtë amanet duhet ta bësh me dije njerzve të afërt e të dashur… E tëra kjo për mua është interesante, nuk ka cudi ta përdor si një tregim publik.
Ai më shikonte me dyshim dhe tha me një zë të ulët si të fliste me vete:
– Babi mund të jetë kundra këtij veprimi.
– Kurse unë mendoj se ai do të ishte gati të testonte gjithë shoqërinë për mendimet e tij, të konceptuara në amanet ndaj jush.
– Po unë si mund të justifikohem para njerzve të mësuar me rutinën e zakonit?! – Më pyeti duke më shikuar drejt në sy.
– Këtë përgjigje e ke brenda amanetit të babit. Në çastin që mbi të do vendosen kurorat me lule, gjë që natyrisht, uroj të ndodhë sa më larg, ti t’iu drejtohesh të pranishmëve me dy fjalë:
“ Mundimin deri në banesën e fundit të babit tim, jua patsha borxh në gëzime. Shtëpia jonë do të jetë e hapur, për cilindo që dëshiron të pijë një kafe ngushëllimi, pasi organizimin e një dreke ai ma ka ndaluar, nëpërmjet amanetit përpara se të ndahej nga jeta. Jam i detyruar ta respektoj dëshirën e tij, duke besuar se nderimi i porosisë së të ndjerit para vdekjes, peshon më shumë se nderi i një dreke për të gjallët, që kanë ende mundësi ta jetojnë jetën.
Zbritëm nga lokali dhe u ndamë në buzë të trotuarit. M’u duk se po largohej më i qetë se sa ishte në çastin e takimit me mua…

Sa keq qe te vdesin njerez kaq modern e te mencur. Uroj te gjith te versnikeve te mij ( jam 72 vjec ) qe ky leksion e ketij burri te mencur te behet mesim e tua keshilloj trashegimtareve te tyre.Jam plotesisht dakord me mendimet e tije te cilin e pershendes e i uroj jete te gjate e te shendeteshme. Bravo per guximin o mik ke thyer konceptin me primitiv e hipokrit njekohsisht. Pershendetje.
Kur njeriu ka nje jete te gjate dhe le mbrapa femijet me niper e mbesa eshte mese normale qe ti behet respekti nga familja te gjithe pjesmarresve qofte dhe me nje kafshat buke e pak sheqer.Dhimbja perballohet me lehte kur e ndan ate bashke me miq dhe shoke.Mendoni per nje çaste atyre nenave qe ju vdesin femijet,çfare dhimbje e madhe ju shkaterron shpirtin,dhe ketu eshte tradita shqiptare qe te aferm dhe farefisi ju ndodhen prane dhe nuk e lene vetem familjen ne ate dhimbje te madhe.Mendoni per nje çast varroset njeriu i shtrenjte dhe familja kthehet ne shtepi vetem,ajo shtepi te han te gjalle.
Jo nuk jam dakort qe ato tradita te lashta,dhe te trasheguara brez pas brezi per ta ndare dhimbjen ne menyre kolektive te harrohen,sepse vetmija eshte me keq se vdekja.
Kuptohet nuk duhet tepruar me gjera qe e kthejne ceremonin mortore ne nje event per tu lavderuar me pasurin dhe parate qe ke.
Jam shum dakort qe dashuria tregohet sa njeriu eshte gjalle,por dhimbja per vdekjen e nje te afermi ose miku brenda mundesive qe ke tregohet me pjesmarrjen ne ceremonin mortore,per ti dhene lamtumiren e fundit.Kjo gje te pakten do te vazhdoje te mbetet tradite kur jeton ne qytete te vogla ku te gjithe e njohin njeri-tjetrin,ndersa jeta ne metropolet e medha eshte ndryshe,anonime dhe individuale.
Shume te verteta
Kete shkrim te Siri Sulejmanit, e kam lexuar para disa vitesh ne nje gazete tjeter,ku ai e ka paraqitur si nje amanet te vetin.Kam qene dhe jam plotesisht dakort me kete ide, shume domethenese dhe emancipuese per shoqerine tone.Respekti,tregohet ballas dhe ne cdo moment te dites,ne familje,ne pune dhe ne shoqeri,me qendrimin qe mban ndaj njerezve te dashur apo shoqerise,Ne se je korrekt,i ndershem,i sjelle dhe i kuturuar,jo arrogant e mendjemadh,jo intrigant e palaco,respektin ne castin e percjelljes prej te afermeve dhe shoqerise e ke fituar.Humbja e njeriut te dashur,nuk ka perse te shoqerohet edhe me shpenzime marramendese,te cilat ne raste te shumta,e detyrojne familjen e te ndjerit,te hyje ne borxhe vetem e vetem per te mos u ndjere i turperuar ne syte e “shoqerise”,e cila te njeh dhembe e dhemballe,te di ne se ke qene e je treguar me kaq respekt ne gjeallje te te ndjerit.
Per kete arsye, jam dakort me z.Siri Sulejmani.
Siri Sulejmani me kete shkrim po verteton dhenji here se eshte jo vetem poet dhe shkrimtare por me kryesorja eshte njeri me zemer te madhe dhe mendime qe i perkasin te ardhshmes
Te dashur miq te njohur dhe te pa njohur, per hir te se vertetes, me duet tju them se episodi qe keni lexuar, apo edhe do ta lexoni, eshte autentik, domethene, kete amanet iu a kam lene une femijeve te mi, por e kam ndertuar ne forme tregimi, per ta pergjithesuar, me bindjen se kjo duet te ndodhe ne nje shoqeri te vftedijshme per te vertetat e jetes.Une jam i bindur se parashikimet e mia, nje dite ne te ardhmen jo fort te larget, per hir te shume faktoreve, do behen realitet. Kjo do ndodhe kur kultura njerezore do kuptoje te verteten, se njeriu lind bashke me vdekjen, ajo eshte diku ndene lekuren tone,qe jeton bashke me ne duke pritur oren e saj egzakesisht te percaktuar nga nje fuqi qiellore, apo nje rrezatim qiellor,qysh ne momentin qe njeriu ngjizetn ne trupin e nenes si produkt dualizmi.Aty ngjizet karakteri, vesi,ecuria e jetes,drama apo tragjedia e saj. Aty vendoset jo vetem se cfare jete do beje, cilen grua do marre,apo nuk do marre fare,sa femije do beje, sa do rrojne e sa do vdesin, por edhe sa here do martoet. Dhe ne fund: sa do rroje, kur do vdese, pse do vdese,ku do vdese dhe si do vdese. Per ketro qe thashe me lart kam hulumtuar shume raste, nga tere bota dhe vecanerisht nga jeta ime, ecila, cuditeruisht ka shkuar tre here ne buzen e varrit dhe eshte kthyer per te vazhduar rrjedhen e saj?!! Tregimi qe lexuat, te cilin do te doja qe te botoej cdo dite ne cdo gazete, pasi jam i sigurte qe me teper do vinte njerezit ne mendime, se sa do i merziste ata, per faktin qe ai eshte e verteta lakuriqe e kesaj bote, qe ne per hir te gravitetit te injorances te se shkuares, nuk kemi guximin ta evitojme dha te lehtesojme vehten shpirterisht, por edhe materialisht..Siri Sulejmani.