Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati vlerëson se zgjidhja e problemeve të mbartura nga e shkuara me Greqinë duhet të nisë me heqjen e ligjit të luftës nga shteti helen.
Duke raportuar në Komisionin e Jashtëm mbi vizitën e tij në Greqi, kryediplomati shqiptar tha se bisedimi me palën greke u kondicionua në tre shporta.
“Shporta e pare është ajo e çështjeve të Luftës së Dytë Botërore. Duhet të hiqet ligji i luftës nga Greqia për të çliruar energji pozitive dhe për të rivendosur një të drejtë të munguar në vend” tha Bushati, duke shtuar se tek kjo shportë pala shqiptare ka listuar dhe çështjen çame.
“Duam një zgjidhje sipas të drejtës ndërkombëtare.Gjithçka duhet të nisë nga heqja e ligjit të luftës nga Greqia”.
Dy shportat e tjera të nxehta, Bushati tha se kanë të bëjnë me aktualitetin dhe paktin detar.
“Shporta e dytë lidhet me aktualitetin, respektimi i të drejtave të komunitetit shqiptar në Greqi”.
Për shportën e tretë me çështjet e së ardhmes ku përfshihet dhe pakti detar, Bushati tha se po shikohet mundësia për ti dhënë zgjidhje në tryezën e bisedimeve.
“Greqia po ngushton mundësinë për ta çuar në arbitrazh ndërkombëtar, duam ta zgjidhim në tryezën e bisedimeve. Zgjidhja bazuar në disa rregulla të arta të Gjykatës Kushtetuese”.
Bushati tha se bashkë me palën greke është bërë e mundur skicimi i rrugëdaljeve të mundshme për këto problematika.
