Qeveria me drejtim të majtë në Greqi ka shpallur një sulm të përgjithshëm kundër korrupsionit në vend. Sipas opozitës, pas kësaj qëndron një manovër shmangieje para kursimeve të reja që i presin grekët.
Ishte një nga debatet më të nxehta dhe më të gjata e të vështira parlamentare të viteve të fundit, aq më tepër që askush nuk ju përmbajt as në mënyrë të përafërt kohës në dispozicion për të folur: tetë orë zgjati të martën e kaluar (29.03.) këmbimi i replikave midis Kryeministrit të majtë, Alexis Tsipras dhe opozitës për temën e luftës kundër korrupsionit.
Se çfarë rëndësie i jep Tsiprasi kësaj teme, kjo u bë e qartë vetëm në ditët që pasuan: me kërkesën e tij, parlamenti grek do të ngrejë për herë të parë një komision hetimor për parregullsi në financimin e partive.
Edhe dhënia më parë e kredive sipërmarrjeve do të verifikohet nga parlamenti. Veç kësaj, sipas të dhënave të tij, Tsipras do ta rihapë aferën e Siemensit nga e para dhe do t’i vërë pikëpyetje pajtimit të arritur në vitin 2012 me koncernin e Mynihut.
Opozita konservatore përgjigjet me angazhimin e një komisioni hetimor për futjen e kontrolleve të kapitalit në vitin 2015, komision i cili megjithatë deri tani refuzohet.
Retorika e njeriut të duarve të pastra nuk është e re. Që para ardhjes në pushtet të të majtëve në Athinë, në janar 2015, udhëheqësi i atëhershëm i opozitës, Tsipras premtoi se do të vepronte kundër “trekëndshit të ndërthurrjes së pushtetit”, siç e quajti ai: kundër shtetit, që gjoja ushtron presion te bankat, që ato t’u japin kredi sipërmarrjeve mediatike, të cilat nga ana e tyre falenderojnë me raportim miqësor.
Për një kohë të gjatë premtime të tilla u harruan, kurse tani Tsiprasi duket se mendon se ka ardhur koha për një kryqëzatë kundër korrupsionit në Hellas.
Sipas mendimit të politologut Levteris Koussuoulis, pas kësaj megjithatë qendron një llogari politike: “Qeverinë e presin javët e ardhshme votime të vështira në Parlament për masa shtesë kursimi.
Vëmendjen prej tyre synohet ta shmangi debati i madh për korrupsionin dhe luftimin e tij.” Me thirrjen për luftë kundër korrupsionit, qeveriva Tsipras kërkon të fitojë kohë dhe ta bëjë për vete opinionin”, mendon Koussoulis.
