“Drejtësia u tall me vdekjen e djalit tim”

redaktor

Rrëfimi i babait të Arnidit 14-vjeçar, që u godit nga kabulli i tensionit të lartë në rrugë më 28 mars 2014 në Selitë. Konstatimi: “Katër vjet pas ngjarjes asnjë përgjegjës i dënuar nga dy shkallët, as nga firma e as nga CEZ-i”. Gjykata e Lartë vendos rigjykim.

 

Arnidi kishte dalë si për çdo ditë nga shtëpia e tij, por atë mbrëmje fundmarsi nuk do të kthehej më, duke lënë një boshllëk të madh të pazëvendësueshëm dhe dhimbje në familjen e tij. Vogëlushi vetëm 14-vjeçar, i shkëlqyer në mësime dhe me ëndrra për jetën, humbi jetën në rrugë si pasojë e një papërgjegjshmërie që karakterizon njerëzit dhe jetën në këtë vend prej një çerek shekulli.

Kamioni i një firme ndërtimi që rikonstruktonte një nga rrugët në Selitë të Tiranës, këputi kabullin elektrik të tensionit të lartë që varej mbi kokat e kalimtarëve çdo ditë dhe fataliteti i dyfishtë ra mbi të miturin. Por nuk do të mjaftonte dita e zezë e 28 marsit 2014 për familjen Leskaj, sepse dhimbja në plagën e tyre do të shtohej edhe më tej me indiferentizmin e organeve ligjzbatuese dhe veçanërisht Drejtësisë, aq shumë të kërkuar me qiri nga qytetarët shqiptarë dhe që sot është bërë mollë sherri.

Jo vetëm që jeta e një vogëlushi të pafajshëm u shua padrejtësisht atë mbrëmje, por padrejtësia u thellua më tej nga vetë Drejtësia. Fillimisht Prokuroria me zvarritjet e çështjes, ku për pak sa nuk e mbylli dosjen dhe më tej Gjykata e Tiranës dhe Apelit që sipas familjarëve, e katandisën çështjen si një gjyq të zakonshëm, sikur të mos kishte vdekur një njeri, por sikur të ishte bërë thjesht një sherr i rëndomtë.

Dy shkallët dënuan me kusht 3 vjet burg vetëm Leonat Çekrezin, drejtorin e Shëndetit dhe Sigurisë së CEZ, që në fakt ishte hallka e fundit në çështje, shpallën të pafajshëm Besnik Lleshin, administratorin e firmës “Fusha”, njëkohësisht drejtues i punimeve në rrugë dhe liruan nga përgjegjësia të tjerët.

Gjykata e Lartë, më 9 dhjetor 2015, ka rikthyer çështjen në Apel, duke e konsideruar të padrejtë gjykimin e çështjes për mungesë analizimi provash dhe kërkoi rigjykimin nga e para.

Flet babai i fëmijës

Adnand Leskaj është babai i Arnidit, vogëlushit që humbi jetën rreth orës 18:15 të mbrëmjes së 28 marsit 2014, në rrugën “Frang Bardhi”, që të çon tek kompleksi “Kristal”. Dëshpërimi shihet qartë në sytë e tij dhe në ato që shpreh, duke mbajtur një dosje me dokumente gjykate.

“Unë jam i ati i fëmijës që humbi jetën nga korrenti në rrugë në Selitë katër vjet më parë. Jam i dëshpëruar sepse përveç humbjes që pësuam, na braktisi edhe shteti, prokuroria dhe gjykata. Vdekja e tim biri u trajtua sikur të kishte ndodhur thjesht një aksident fatkeq dhe jo një krim. Nuk e di se si do të

Adnand Leskaj me të birin ,Arnidin
Adnand Leskaj me të birin, Arnidin

ndihej secili prej atyre njerëzve që patën në dorë çështjen e djalit tim, sikur t’u kishte ndodhur fëmijëve të tyre”, shprehet Adnandi për DITA.

Më tej rrëfen kalvarin e hallakatjeve në dyert e gjykatave, por edhe katandisjen e çështjes. “Ne nuk dinim gjë se çfarë ishte bërë me çështjen, pasi ishim të pikëlluar me fatkeqësinë që na ra. Më pas na thanë se dosja po mbyllej dhe u shqetësuam. U interesuam në Prokurori, por dosja u mbajt dy muaj pezull sa ishte prokurori Dritan Rreshka.

Më tej erdhi Antoneta Sevdari dhe ajo më thirri vetë të jepja informacionet dhe detajet, pasi si duket hetimet pas ngjarjes nuk ishin kryer si duhet. Më është dashur të gjejë vetë dëshmitarët e t’i çon në prokurori dhe madje informacione të tjera”, tregon Adnandi.

Dy gjyqet

“Djali im po ecte si çdo qytetar në rrugë, kur i ra kabulli i korrentit si pasojë e papërgjegjshmërisë së firmës që punonte, Bashkisë dhe CEZ-it. Ai humbi jetën, por askush nuk u arrestua dhe aktualisht që flasim asnjë nuk është dënuar, edhe pse kanë kaluar 4 vjet.

Ekspertët dhe hetimet e nxorën qartë përgjegjësinë me emra të asaj që ndodhi. Kabulli ishte i varur, drejtuesi i kamionit e këputi dy herë dhe jo një herë, kurse drejtuesit dhe përgjegjësit e firmës “Fusha” as nuk treguan kujdes, edhe pse po bënin punime në rrugë. Ta këputësh dy herë kabullin në të njëjtin vend dhe të mos marrësh asnjë masë, kjo është vrasje dhe krim i qëllimshëm”, vijon babai i fëmijës. Të pandehur në gjendje të lirë u dërguan Leonat Çekrezi, drejtori për Shëndetin dhe Sigurinë në CEZ dhe drejtuesi i firmës “Fusha” që bënte punimet, Besnik Lleshi.

45“Aty kishte edhe emra të tjerë përgjegjës, nga tekniku i ndërtimit, përgjegjësit, shoferi, elektricistët dhe i fundit drejtuesi i CEZ. Por gjyqtari Arben Micko na vrau për herë të dytë. Ai shpalli fajtor vetëm përfaqësuesin e CEZ, duke ia kthyer 2 vite burg në dënim me kusht dhe dha pafajësi për drejtuesin e firmës në vendimin e datës 26 maj 2014.

Të njëjtin vendim la në fuqi edhe Gjykata e Apelit më 8 maj 2015. Familja jonë u vra për herë të dytë”, thotë Adnani. Prej këtej palët çuan çështjen për rekurs në Gjykatën e Lartë, ku prokuroria kërkon edhe dënimin e drejtuesit të firmës. Por në dhjetor 2015, pesëshja gjykuese me kryesues Edmond Islamaj vendosi që dosja të rigjykohej në Apel, pasi kjo shkallë nuk kishte analizuar sipas ligjit dhe neneve provat, rrethanat dhe përgjegjësitë për ngjarjen e ndodhur. “Unë nuk e di se çfarë do të vendoset në rigjykim.

Por di të them se drejtësia deri tani është tallur me vdekjen e tim biri dhe ne jemi të shqetësuar. Ajo ngjarje nuk ishte përgjegjësi vetëm e një njeriu që nuk gjendej aty, por e shumë personave”, përfundon babai i fëmijës./A.Q-DITA

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *