Harta e eksporteve botërore, Shqipëria “mburret” me tekstile dhe këpucë

Elton Tafaruci

Një studim i fundit që paraqet trendet botërore për eksportet, tregon hartën se çfarë eksporton secili shtet. Harta, e krijuar nga Banka amerikane e Merrill Lynch, me të dhënat e CIA World Factbook tregon sipas ngjyrave tregtinë e jashtme kudo në botë.

Me blu janë të përfaqësuar shtetet në të cilat nafta është në krye të listës së eksporteve dhe nga ngjarjet e dy viteve të fundit me luhatjet e çmimeve të naftës bruto duket se sa delikate është ekonomia e secilit dhe varësia nga eksportet.(jo vetëm shtetet në Azi dhe Afrikë).

Raporti tregon se edhe shtetet që eksportojnë metalet dhe mineralet e çmuara luajnë rol të rëndësishëm në ekonominë globale. Këto shtete, të ngjyrosura me të kuqe, tregojnë sidomos rëndësinë e eksportit të floririt. Dominon në listë India.

Ndërsa vendet europiane fokusin e tyre e kanë të drejtuar drejt makinerisë dhe transportit. Elektronika dominon në Kinë dhe SHBA, ndërsa ushqimi, pijet dhe tekstili dominon më tepër në pjesën tjetër të shteteve.

Shqipërinë, harta e tregon me ngjyrë të verdhë, eksporti kryesor i së cilës është grupi i tekstileve dhe këpucëve. Greqia mbahet për ushqim dhe pije, vendet e tjera të rajonit kryesisht për metale dhe minerale.

Raporti citon se ka një ngadalësim të ndjeshëm të tregtisë së jashtme që nga kriza ekonomike e vitit 2008. Por edhe në sfidat botërore të bëra publike në Forumin Ekonomik Botëror tregohet se një tregtia globale efektive dhe një sistem investimesh është çelësi për nxitjen e rritjes ekonomike dhe përballjes me sfidat globale./MONITOR

Share This Article
1 Comment
  • Çfarë domethënë “mburret” me thonjza? Thuaj shyqyr që i ka dhe ato, falë punës me vetëmohim të disa njerëzve që sakrifikuan jetën për të ndërtuar një industri të tërë që punëson mijëra njerëz. Mburret duhet të jetë me bold dhe me gërma kapitale sepse është tamam për tu mburrur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *