Policia greke gjen 500 kg hashash në brigjet e Korfuzit

Elton Tafaruci

Një sasi shumë e madhe droge është gjetur nga policia greke në brigjet e ishullit të Korfuzit, që ndodhet fare pranë me kufirin shqiptar në Sarandë. Bëhet fjalë për gjysmë ton hashash, konkretisht 551 kilogramë drogë.

Lënda narkotike është gjetur gjatë fundjavës e shpërndarë pjesë-pjesë përgjatë bregdetit të ishullit. Mediat greke raportojnë se të premten e kaluar, në det u pikas nga policia një skaf i fuqishëm me dy persona në bord që po vinte nga Italia dhe hodhën në det ngarkesën e drogës.

Policia greke beson se skafi kishte për destinacion Korfuzin ose Shqipërinë. Pas këtij rasti, roja bregdetare filloi kontrollin përgjatë gjithë ishullit të Korfuzit.

Fillimisht u gjet një qese me 48 kg hashash. Disa orë më vonë u gjetën 4 pako me 30 kg hashash. Pasditen e djeshme, autoritetet helene zbuluan 19 qese të fshehura me kujdes brenda të cilave kishte 253 pako me peshë 466 kg hashash.

Por, zbulimi nuk u ndal me kaq. Gjatë kontrolleve, u zbuluan edhe 22 pako kanabis me peshë 26 kg. Pas peshimit, e gjithë droga e gjetur peshonte 551 kilogramë.

Policia në Greqi ka nisur hetimet për të zbuluar trafikun e drogës, nëse destinacion ishte Korfuzi apo Shqipëria. Kujtojmë se nuk kanë qenë të pakta rastet e trafikut të drogës me skaf nga Shqipëria drejt Italisë dhe anasjelltas.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *