Një shqiptar është vënë në pranga mbrëmjen e djeshme në Milano, Itali, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar. Bëhet fjalë për një skafist shqiptar, i cili në momentin e ndalimit kishte paraqitur dokumente false.
Policia italiane nuk e ka dhënë emrin e personit të arrestuar, por thjeshtë se “bëhet fjalë për një shqiptar super të kërkuar nga drejtësia”.
Ai është i dënuar me 25 vite burg nga gjykata e Vlorës dhe mësohet se bëhet fjalë për një nga skafistët e ngjarjes tragjike të 9 janarit 2004.
Ai është vënë në pranga gjatë një kontrolli të zakonshëm rrugor. Pasi u ka dhënë dokumentet, policia ka bërë kontrollet dhe ka parë se ishin të falsifikuara dhe identiteti i tij ishte një tjetër.
Për ironi të shqiptarit, i cili tani ndodhet në qeli duke pritur ekstradimin për në Shqipëri, ndalimi i tij është bërë në sheshin “Tirana” në jug të qytetit.
