“Kryeministri nuk dallohet për ide brilante, sesa për kokëfortësinë e tij që një punë që e nis ta çojë deri në mes”

redaktor

Mund të tingëllojë e çuditshme që një djalë i diplomuar për Mjekësi, t’i hyjë botës së televizionit dhe radios. Edi Oga, prej disa vitesh i është përkushtuar kësaj fushe, ndoshta duke hequr dorë përfundimisht nga bluza e bardhë. Që nga fillimi i këtij viti ai moderon Show-n televiziv “Apartamenti 2XL”, në Vizion Plus.

Ai është një njeri aktiv në rrjetet sociale. Nëpërmjet statuseve të tij në Facebook ai ironizon aktualitetin dhe jep mendime rreth situatave të caktuara që ndodhin në të përditshmen e këtij vendi.

Nëse i hedh një sy faqes së Ogës në Facebook, vë re se mendimet e tij kanë humor dhe sarkazëm. Të shumtë janë ata që mund të qeshin me to, ndërsa të tjerë vihen në mendime.

Në një nga statuset e tij thotë: “Për të ecur përpara, nuk mjafton të ndryshojmë mendjet e 100 pushtetarëve, por duhen ndryshuar mendjet e 3.000.000 shqiptarëve… Kjo e dyta është shumë e ngadalshme, gati evolutive, por është e domosdoshme për t’i dhënë kuptim ndërhyrjes së parë…!”

Në ditët kur ndodhi sulmi terrorist në Belgjikë, Oga u shpreh në dy postime: “Dy lloje mendjesh që nuk i kuptoj dot, kamikazët dhe personat që fryjnë buzën e sipërme!!”

“Sa i lumtur do isha të jetoja në mesjetë, ku armiku ishte kolera, dhe jo sot, ku armiku është një trushplarë i ngarkuar me eksploziv që të vret ty, që nuk je fare armiku i tij!”

Duke dashur të sjell një krahasim mes një profesori dhe një personi tjetër (jo profesor) moderatori, shkruan: “Kam “friends” në Facebook edhe profesor Fugën (Artan), edhe Timin e Ishes (Argtim), që për të jetuar riciklon shishe dhe kanaçe. Nga statuset që postojnë, të jepet përshtypja sikur profesori vuan çdo ditë, ndërsa Timi është i lumtur!”

Ndërsa një fillim jave, Edi të ofron me këtë mendim: “Dikush mezi po pret që të vijë e hëna dhe të shkojë në zyrë… për të vjedhur!!”

Njëherë që në katër vite kur muaji shkurt është me 29 ditë, Edi harron të postojë diçka në Facebook. “Kisha një status të bukur për datën 29 Shkurt, por harrova ta shkruaj dje… hajde mos u mërzit i them vetes, se katër vjet sa një mandat janë, kalojnë shpejt!”- shkruan ai.

Dhe e fundit që kemi përzgjedhur, ka të bëjë me figura që mund t’i hasni çdo ditë në përditshmen tuaj. “Është e kotë të përpiqesh t’i hapësh sytë njeriut që përton të nxjerrë duart nga xhepat!”

Ne kemi folur me Edin sot për të sjell një bisedë “alla rrjetesh sociale”, por serioze dhe me mendim.

Në këtë intervistë për Dita-n, Oga, ndan disa pikëpamje mbi aktualitetin dhe fenomenet sociale në Shqipëri.

-Edi, me çfarë po merresh aktualisht, cilat janë angazhimet e tua?

Angazhimet e mia profesionale aktuale janë në fushën e medias audio-vizive dhe marketing. Bëj radio, televizion dhe këshilloj disa miq për marketing në media. Përveç këtyre, jam edhe një përdorues aktiv i Facebook, i vetmi rrjet social që frekuentoj.

-Cila është familja juaj?

Familja ime është ajo që gjithmonë kam dashur të kem, është epiqendra e aktiviteteve të mia, motivi themelor i jetës. Gjithçka e bëj me familjen dhe për familjen. 3/5 e kohës e konsumoj rigorozisht pranë familjes.

-Shpesh fëmijëria lë gjurmë tek ne, tek ju çfarë ka lënë kjo pjesë e jetës?

Unë besoj një koncept të artikuluar nga mendimtarë të shquar; jeta e vërtetë e njeriut është VETËM fëmijëria. Unë kam jetuar një fëmijëri të jashtëzakonshme, të mbushur me lojëra dhe aventura pa fund. Nga fëmijëria kam trashëguar aftësinë për të krijuar, për të shtyrë në kohë kënaqësinë, për t’u socializuar, për të qeshur…

-Çfarë mendimi ke për burrat që rrahin dhe vrasin gratë?

I shoh edhe si fajtorë, edhe si viktima. Ndërhyrje efikase afatshkurtër do të ishte ashpërsimi i legjislacionit që parashikon dënime për këtë kategori dhe toleranca zero e “zbutësave” me pagesë të dënimeve të tyre. Nga ana tjetër duhen identifikuar, adresuar dhe zgjidhur shkaqet që çojnë në veprime të tilla. Kjo kërkon strategji, vullnet politik, angazhim personash kompetentë dhe mbi të gjitha durim, është një proces i gjatë, që shkon në linjë me rritjen e nivelit kulturor dhe arsimor të një kombi.

-Po për gratë që shfrytëzojnë burrat në forma të ndryshme?

I njëjti gjykim, edhe fajtore edhe viktima. Të paedukuara mirë në familje dhe në shkolla, të ndikuara nga falsiteti i vlerave të një shoqërie konsumiste, edhe gratë (femrat në përgjithësi) kryejnë veprime të padenja për individët e një shoqërie moderne. Ndëshkim dhe edukim, edhe për ato.

1-Cila është ajo gjë që të shqetëson më tepër kur del nga shtëpia dhe thua: si ka mundësi që kjo gjë nuk ndryshoi në këtë qytet?

Qyteti ka probleme pa fund. Ndotja me ambalazhe, dëmtimi i asaj që është e përbashkët dhe mosrespektimi i të drejtave të tjetrit vazhdojnë të jenë një konstante negative në qytetet tona.

-Ka gjithmonë një rrugë të hapur në kryeqytet… Shkon në bregdet dhe gjen gjithmonë kanale të hapura ku vendosen tuba… kaq shumë punohet?

Në qendër të aktiviteteve ndërtuese/riparuese nuk është qytetari dhe mirëqenia e tij. Institucionet tona në punët e tyre udhëhiqen nga motive të tjera, të përfitimeve ekonomike dhe politike.

-Si janë njerëzit parë nga Facebook-u? Po kur del dhe i sheh në rrugë, apo në takime të tjera, si ndryshojnë?

Në Facebook njerëzit shfaqin më të mirën ose më të keqen e tyre. Në jetën reale janë diçka në mes.

-Cili është mendimi juaj për median, atë online, por edhe atë vizive?

Media në përgjithësi është transformuar në një shërbyese e bindur e oligarkëve, të cilët zotërojnë tashmë edhe pushtetet e tjera, atë politik, financiar dhe drejtësinë. Në përgjithësi oligarkët nuk janë intelektualë apo shkencëtarë, ata janë njerëz me aftësi të shkëlqyera për të përfituar pa skrupuj dhe pa limite sende dhe shërbime, të cilat nuk kanë kohë t’i shijojnë apo t’i përdorin. Për fat ka akoma disa grimca mediatike me pavarësi dhe integritet, por për fat të keq kanë një impakt shumë minimal në opinion.

-Çfarë ju shqetëson kur uleni darkave përpara televizorit dhe shihni një debat televiziv?

Kur shoh që në ekran shfaqet një debat televiziv, më shqetëson fakti se shumica e audiencës, do të pranojë njërin apo tjetrin version të pozicionimeve në debate, ku shpesh, për fat të keq asnjë pozicion nuk përputhet me të vërtetën “e vërtetë”.

-Ju keni përfunduar studimet për mjekësi, pse nuk e ushtroni këtë profesion, kaq shumë të lakmuar (prindërit u thonë shpesh fëmijëve: bëhu doktor se ka lekë)?

Në një kohë pa turbullira dhe tranzicion, në një vend ku shëndetësia është prioritet dhe e drejtë e qytetarëve dhe jo biznes i shëmtuar, me siguri do kisha punuar si mjek. Miqve të mi nuk u rekomandoj t’i bëjnë fëmijët e tyre mjekë, sidomos kur këta nuk e kanë me pasion.

-Ka një program qeveria në të cilin flitet për shëndetësinë falas, është e mundur, sipas jush, dhe në çfarë pike e sheh shëndetësinë në vendin tonë, momentalisht?

Shëndetësi falas nuk mund të ketë. Si koncept, shërbimin shëndetësor e paguajnë njerëzit e shëndoshë për njerëzit e pamundur, por edhe si garanci për veten e tyre, në rast se sëmuren. Kontributin për shëndetësinë, një njeri i shëndetshëm mund të mos e marrë kurrë mbrapsht në të njëjtën vlerë monetare, por me “njerëzillëk” e jep për personat e sëmurë. Në kohët e sotme, shumica e këtyre parave shkojnë në mënyrë kriminale në xhepat e pushtetarëve, grosistëve dhe oligarkëve.

-Ke menduar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëria, të jetosh diku tjetër?

Kam menduar, e kam provuar dhe jam kthyer.

-Pse je kthyer?

Preferoj të punoj dhe të jetoj me shpresën se një ditë vendi im do bëhet më i mirë, sesa me iluzionin se në një vend të huaj, mund të jetosh si i barabartë me vendasit.

-Si e konsideron idenë e kryeministrit që në shkolla të mësohen njohuri fetare?

Kryeministri ynë nuk dallohet për ide brilante dhe me vizion, sesa dallohet për kokëfortësinë e tij që një punë që e nis ta çojë deri në mes.

-Sa i lirë ndiheni?

Ndjehem 100 për qind i lirë të mendoj, 80 për qind i lirë të them atë që mendoj, 60 për qind i lirë ta shkruaj atë që mendoj, 40 për qind i lirë ta firmos atë që shkruaj dhe 20% i lirë të mos e mohoj atë që kam firmosur.

-Për çfarë je krenar që je shqiptar?

Jam krenar që i përkas një kombi, që megjithëse ka pak gjëra për t’u krenuar, nuk lodhet së shpalluri krenarinë e tij.

-Dhe cila është ajo gjë që të bën më pak krenar?

Inercia dhe rezistenca e bashkëqytetarëve të mi për të kërkuar, për të pranuar dhe për të mësuar gjëra që thjeshtojnë dhe përmirësojnë jetët e tyre.

-Nëse do të zgjidhje një kohë në të cilën do të jetoje, një periudhë, cila do të ishte ajo?

Koha e Leonardo da Vinçit dhe vendi ku ka jetuar ai, por me një kusht, të kisha me vete tre sende: një furçë dhëmbësh, një smartphone dhe një kuti me ilaçe të paskadueshme. 🙂

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *