Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka reaguar me zemërim ndaj një satire të përgatitur nga një komedian gjerman. Çështja ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe gazeta më e madhe gjermane, Bild, sjell shkrimin e mëposhtëm:
Njeriu më i fuqishëm në Turqi po vepron gjithmonë e më shumë si një lëkurëhollë që dërgon këdo para gjyqit.
Fushata aktuale ligjore e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, kundër satiristit gjerman Jan Boehmermann, për shkak të një poeme satirike në programin “Neo Magazin Royale”, është vetëm maja e ajsbergut.
Edhe më herët, ambasadori gjerman në Turqi, Martin Erdmann, ishta ankuar për një tjetër satirë, këtë radhë në programin e NDR, “Extra 3”.
Në këtë rast në shënjestër ishte trajtimi i diskutueshëm i lirisë së shprehjes dhe lufta ndaj kurdëve.
Edhe në vendin e tij, Erdogan dërgon në gjyq këdo që e paraqet atë në mënyrë të shtrembër.
“Që kur është bërë president, ai e konsideron si fyerje ndaj kreut të shtetit çdo manifestim publik kundër tij,” bëri të ditur Deutschlandfunk.
Më shumë se 200 herë, avokatët e tij i janë drejtuar gjykatave muajt e fundit.
Madje në pyetje është marrë edhe një 13-vjeçar.
Ky pushtetar i fuqishëm sillet si një mimozë e vogël dhe ndoshta duhet të marrë shembull nga kancelarja Angela Merkel.
Merkel nuk është kryetare shteti, si Erdogan.
Por si shefe qeverie në Gjermani, ajo është njeriu më i pushtetshëm.
Por ajo e ka lëkurën shumë më të trashë se Erdogan, edhe pse ka duruar kaq shumë fyerje.
-Në tetor të vitit 2012, ajo vizitoi Athinën, ku u prit me një shpërthim urrejtje ndaj saj për shkak të situatës ekonomike. “Heil Merkel” shkruante gazeta Proto Thema.
Gazeta Dimokratia shkruante: Merkel po ndërton Rajhun e Katërt.
Gazeta Ta Nea tregonte një karikaturë të Merkel me maskë gazi.
Deputeti Giannas Dimaras e quante Merkel-in një ‘killer’ (vrasëse).
Edhe demonstruesit lëshonin fyerje të rënda ndaj saj.
-Njësoj ndodhi me Merkel në vitin 2012, kur vizitoi Spanjën për shkak të krizës financiare.
-Në vitin 2013 në Qipro, një pllakat urrejtje kundër Merkel, e tregonte atë me mustaqe si të Hitlerit.
-Edhe në Poloni kanë ndodhur të tilla gjëra. Në vitin 2007 një revistë e portretizonte Merkel-in si Hitleri.
-Nëse Merkel do ishte si Erdogan, do e kishte çuar përpara gjykatës edhe miliarderin amerikan, Donald Trump. Ky i fundit deklaroi në vitin 2015, kur ajo u zgjodh Njeriu i Vitit nga revista Time, se Merkel e ka shkatërruar Gjermaninë.
-Edhe brenda në Gjermani, Merkel duhet të tejkalojë kufinjtë e durimit.
-Në krahasim me fyerjet që i bëhen në Gjermani, kjo duket si një episod krejt i padëmshëm. Në vjeshtë të vitit të shkuar, softueri Siri i Apple ishte manipuluar në mënyrë të tillë, sa nëse i kërkoje të dhëna për Angela Merkel, thoshte se ajo është një ‘derrkuce gënjeshtare’ dhe ‘skllave e SHBA’.
Ndoshta për Erdogan, një manipulim i tillë mund të kishte shkaktuar vetëm një gulçim. Ose sërish do kishte vendosur të niste një marshim ligjor.
