Deputetja socialiste, Mimoza Hafizi, shprehet se zhvillimet e fundit në zgjedhjet universitare kanë qenë pjesë e diskutimeve në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS-së. Hafizi tha për mediat se ka kërkuar garanci për një proces të rregullt zgjedhor.
“Kërkova që qeveria, sepse në legjislacionin e arsimit të lartë parashikohet që qeveria dhe Ministria e Arsimit, e cila harton dhe rregulloren e zgjedhjeve, është garanti për ecurinë ligjore në të gjitha hallkat e universitetit, por në veçanti për procesin zgjedhor. Dhe përgjigjja ishte që qeveria dhe ministria kanë marrë të gjitha masat për një ecuri normale të procesit zgjedhor në universitet, duke garantuar një autonomi universitare. Ky ishte bashkëbisedimi që zhvilluam sot”, tha ajo.
Në lidhje me zgjedhjet në PS, Hafizi njoftoi se ka depozituar në Komisionin Zgjedhor të Partisë kërkesën për hapjen e kutive të votave të referendumit.
