Ish drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano e ka lavdëruar Pep Guardiolan për stilin pozitiv të lojës dhe beson se e ardhmja e trajnerit spanjoll në Bayern Munich është një revolucion në botën e futbollit.
Kohë më parë, Valdano e kishte konsideruar Guardiolan, ‘Steve Jobs i futbollit’, për ndikimin e tij në Barcelonë dhe ndien se 42 vjeçari është njëri prej trajnerëve i cili nuk fokusohet vetëm tek rezultatet.
“Futbolli është ngulfatur nga taktikat. Taktikat janë bërë më të rëndësishme se aspekti teknik i lojës. Trajnerët mendojnë për taktikat së pari, e më pas për lojtarët që i kanë në ekip. Shumica e trajnerëve më shumë brengosen për rezultatet, sesa për stilin e lojës. Guardiola është revolucionar i madh i kohës së tij. Pep e do lojën e bukur dhe stili i tij i lojës është impresionues”, ka thënë Valdano për të përditshmen spanjolle Sport.
Guardiola momentalisht po e shijon pushimin njëvjeçar, pasi e kishte lënë Barcelonën në verën e vitit 2012. Ai do ta marrë në dorë Bayern Munichun në qershor.
