Mustafa: Të hapur për dialog me opozitën, nuk ka zgjedhje deri në 2018

Elton Tafaruci

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke komentuar koalicionin mes partive opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, deklaroi sot se jemi të hapur si për koalicionin ashtu edhe për Vetëvendosjen, por zgjedhje parlamentare nuk do të ketë deri në vitin 2018.

Këto komente kryeministri Mustafa i bëri gjatë vizitës në komunën e Shtimes, ku theksoi se “nuk ka asnjë arsye që të mbahen zgjedhje, kur është shumica që ka kompetencë të ligjshme”.

Mustafa u ndal edhe te marrëveshjet e arritura në Bruksel, ku tha se “nuk kanë qenë të lehta, megjithatë kanë treguar sukses”.

“Ne kemi komunikim me gjithë kryetarët e komunave të veriut, ata kanë pranuar buxhetin e Republikës së Kosovës, kanë pranuar zbatimet e ligjeve të Republikës së Kosovës, është arritur edhe në shpërbërjen e mbrojtjes civile në veri të vendit. Tani do ta përmbyllim edhe procesin e shtrirjes së organeve të drejtësisë dhe ligjit në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.”, tha Mustafa.

Kreu i qeverisë u shpreh se “janë disa marrëveshje, të cilat kanë mbetur akoma pa implementuar, çështja e kodit telefonik, e energjisë,e urës mbi Ibër, në të cilën po vonohet fillimi i punimeve si dhe çështja e zhbërjes së të gjitha strukturave paralele, për të cilat ne do t’i kushtëzojmë marrëveshjet e ardhshme”.

“Por, unë megjithatë vlerësoj që rrugë tjetër nuk kemi pasur dhe kjo është rruga e vetme, sepse rruga e vetme është rruga e dialogut, është një rrugë e vështirë, për të cilën të gjithë ne duhet të kemi mirëkuptim, edhe pozita edhe opozita”, përfundoi Mustafa

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *