Kosova dhe Serbia me marrëveshje mbi marrëveshjet

Elton Tafaruci

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që t’i japin fund bllokadës së transportit të mallrave që cilësohen si “të rrezikshme”.

Në një njoftim të ministrisë për dialog në qeverinë e Kosovës thuhet se në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës palët janë pajtuar në Bruksel që “për njohjen e ndërsjellë të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme”, me të cilat pajisen automjetet dhe drejtuesit e tyre.

Kosova vendosi muajin e kaluar të bllokojë kamionët nga Serbia e cila nuk njihte certifikatat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Marrëveshja hynë në fuqi nga 25 prilli.

Në njoftim thuhet se ministrja për dialog Edita Tahiri ka ngritur shqetësimet “në lidhje me fushatën elektorale provokative të zyrtarëve të Serbisë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë si dhe ka kërkuar që Bashkimi Evropian të përcaktojë qartësisht standardet për frymën e normalizimit në mënyrë që të parandalohen shfaqjet destruktive dhe keqpërdorimet e marrëveshjes për normalizim nga ana e zyrtarëve serb gjatë fushatës zgjedhore.

Në këtë kuadër me kërkesë të BE-së që palët të angazhohen për frymën e normalizimit  dhe pas kërkim faljes nga ana e Marko Gjuriçit për hyrje ilegale në Kosovë, palët janë zotuar që të respektohet marrëveshja për vizitat reciproke të zyrtarëve si dhe deklarimet duhet në mënyrë rigoroze të respektojnë frymën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve”.

Në njoftim thuhet se është biseduar për çështjen e hyrjeve dhe daljeve në Kosovë me letërnjoftime “ilegale të lëshuara nga strukturat paralele”. Bashkimi Evropian ka kërkuar që të krijohet një hapësirë kohore kalimtare në mënyrë që edhe ky problem të zgjidhet sa më shpejt.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *