Deputeti socialist Koço Kokëdhima deklaroi se nuk ka shkelur asnjë ligj për të cilin akuzohet nga Partia Demokratike dhe ka besim se Gjykata Kushtetuese do të vendosë drejtësi.
Në seancën e zhvilluar sot paradite, Kokëdhima u shpreh para trupit gjykues se ka vepruar në përputhje me ligjin.
“Sot jam një deputet që i kërkohet shkatërrimi i karrierës. Cenimi i mandatit është pa asnjë shkak dhe cenon të drejtat e mia”, u shpreh ligjvënësi i majtë.
“Kam ardhur në gjykatë me besimin e plote te drejtësia – vijoi ai -. Si deputet kam bërë gjithçka që më ka kërkuar ligji dhe jam në dispozicion të çdo kërkese. Shoqëritë e mia nuk kanë marrë pjesë në tenderë që kur u bëra deputet. I jam drejtuar ILDKP-së dhe Kuvendit për t’i marrë opinion, pasi kam dashur të qartësohem për çdo moment”.
Ndërkohë avokati i Kokëdhimës, Artan Hajdari, ka deklaruar se kërkesa e PD-së nuk duhet pranuar.
Gjykimi i vlefshmërisë së mandatit vjen pas akuzës që Partia Demokratike ka ngritur ndaj tij për “përfitim fondesh publike”. Sipas PD-së, Kokëdhima ka përfituar në mënyrë antikushtetuese nga fondet shtetërore gjatë kohës që ishte deputet dhe për këtë arsye gjykata duhet t’ia heqë atij mandatin. Mandati i tij u dërgua në Kushtetuese pas votimit në Parlament.

Ju lumte goja Koco. Jeni burre shteti