Cila nënë do ta quante foshnjen e vet Cianid?

Alqi Kociko

 

Nëse zyrtarisht në Shqipëri ekziston një listë me emra të ndaluar për t’ua vendosur fëmijëve, në Britani u desh ndërhyrja e një gjykatësi për të mos lejuar vendosjen e një emri, që me siguri gjithkujt do t’i duket i tmerrshëm.

Akoma më shumë i tillë, pasi vetë nëna ka vendosur që bebet binjake t’i quajë njërën Cianid, dhe tjetrën Preacher (Predikues).

Nëna, nga Pouis i Uellsit, ka dhënë këtë arsyetim për emrin e parë, në fakt një helm i hatashëm: “Ka një notë pozitive ky emër, për faktin se është helmi që vrau Hitlerin dhe ndjekësin e tij të verbër Gëbels dhe gjithë familjen e tij”…

Por gjykatësja Eleanor King vendosi që ky emër do dëmtonte emocionalisht vetë fëmijën në të ardhmen, duke shtuar se “nuk kuptoj sesi mund ta quash fëmijën sipas një helmi vdekjeprurës, dhe të pretendosh se bota nuk e sheh këtë si refuzim total të fëmijës tënde”.

Por a mund të flasim për nënë normale? E vërteta është se sipas mediave britanike, binjaket e vogla tani 8 muajshe, janë pasojë përdhunimi dhe për shkak të historisë së problemeve mendore dhe abuzimit me drogë e alkool të nënës, ato janë nën kujdesin social shtetëror, ashtu si dhe tre gjysmë vëllezër e motra më të rritur të tyre. Ishin punonjësit socialë lokalë ata që e çuan çështjen në Apel.

Edhe pse gjykatësja tha se “Predikues” nuk ishte dhe aq i keq si emër, në fund vendosi që binjakeve t’u vendoseshin emra të rinj nga vëllezërit më të rritur. / DITA

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *