Reflektim për lumturinë dhe vdekjen

redaktor

Vdekja është natyrore, kurse lumturia hyjnore! Nuk ka urtësi të vërtetë pa një mendim të vazhdueshëm mbi vdekjen. Pra njeriu urtësohet në mënyrë shembullore kur mendon mbi vdekjen. A ju ka rastisur të shkoni në varreza? Qindra njerëz qëndrojnë aty kokulur, më tepër të rinj se të moshuar. Sa të urtë duken? Tek sheh të afërmit, të njohurit e të panjohurit, rri e mendon: pse bën keq o njeri? Për një fjalë, një zënkë, një copë tokë, një vijë uji, për ca para. Sa keq! Vetëm tek ne ndodh që vret vëllai të vëllanë, i biri t’anë. Sa shumë ke për t’u penduar o njeri, sado i lig qofsh! Por atëherë do të jetë shumë vonë.

Si konkluzion: “Njeriu lind për të jetuar, vuan që të lumturohet dhe vdes për t’u kujtuar.”

Jetëgjatësia na dallon nga njëri-tjetri, vdekja na bashkon!

Po lumturia ç’është? Lumturia është diçka hyjnore dhe e paarritshme. Gënjen veten dhe të tjerët ai që thotë se jam i lumtur. Mund të jesh i lumtur dhe për një çast të vetëm, apo edhe për një kohë më të gjatë, por asnjëherë përgjithmonë. Atëherë kush janë llojet e lumturisë?

A- Lumturia që vjen nga qetësia, është pa mërzi, pa rreziqe, pa stërmundime. Të zvogëlojmë kontaktet tona, të kufizojmë nevojat tona, të ulim pretendimet, ç’ka do të thotë të mblidhemi në “guackën” tonë.

B- Lumturia që vjen nga kënaqësia. Qëllimi i jetës nuk është të veprosh e të krijosh, por edhe të përfitosh sa më shumë. Me mundimin më të vogël të realizosh kënaqësinë më të madhe.

C- Lumturia që vjen nga rritja. Njeriu është i lumtur kur pa kërkuar drejtpërsëdrejti lumturinë, gjen gëzimin në mënyrë të paevitueshme tek rritja, d.m.th gjërat që shtohen. Akt ky që çon drejt së plotës tek diçka që ai vet nuk e zotëron, por që e çon atë përpara. Pra, në themel të një jete të lumtur ka vetëm një mirësi, besimi në vetvete.

Lumturinë tënde duhet ta ndërtosh ti vetë. Dhe ti do ta arrish këtë vetëm kur ta kesh kuptuar që e mira është gjithçka që përshkohet nga virtyti, kurse e keqja është gjithçka që është e përzier me vesin.

Përfundimisht duhet të kemi të qartë: “Jetëgjatësia na dallon nga njëri-tjetri, kurse fundi na barazon”.

 

Letër e nënshkruar

Evdal Nuri

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *