Ndryshimet ligjore: Koncensionet, kush nuk paguan, bllokohet

anazapta

Urdhri i Ministrit të Financave, vlerë ekzekutive. Çon direkt në ekzekutimin nga përmbaruesi gjyqësor kur tarifa koncensionare nuk paguhet sipas kontratës 

 

Projektligji i koncencioneve është bërë dje pjesë e debatit në komisionin parlamentar të Ekonomisë. Kryeministri Sali Berisha vetëm para pak ditësh e kaloi këtë draft ligjor në qeveri, pa marrë mendimin e palëve të interesuara për këtë ligj të rëndësishëm. Janë shtuar masat ligjore dhe kushtet për kompanitë që marrin pjesë në punët publike, megjithatë penaliteti duket se do të anojë sërish për biznesin. Kështu në draftin ligjor të paraqitur dje në Komisionin e Ekonomisë flitet për zgjerim të fushave, por edhe të institucioneve  që do të aplikojnë për të ofruar shërbimet e tyre me koncension. Projektligji për “Koncensionet dhe partneriteti publik-privat” përcakton qartë tashmë se çdo institucion qëndror apo vendor koordinon  procedurat e prokurimit për shpalljen fituese të kontratave publike për punë, furnizime apo shërbime. Nëpërmjet tij, synohet të decentralizohet procesi i koncesioneve dhe t’i japin nxitje të mëtejshme partneritetit publik-privat. Por gjithashtu, ky projektligj përcakton se kur tarifa koncesionare nuk paguhet  sipas afateve të përcaktuara, ministri i Financave nxjerr një urdhër, që bëhet titull ekzekutiv për bankat tregtare ku ndodhet llogaria e shoqërisë koncesionare dhe vihet në ekzekutim nga përmbaruesi gjyqësor. Urdhri i Ministrit do të ketë vlerë ekzekutive, duke kaluar një varësi të re nga Ministria e Financave në këtë proces të rëndësishëm.  Ndryshimet e parashikuara në këtë ligj kanë të bëjnë kryesisht me  përkufizimin e Institucioneve Financuese dhe të Marrëveshjes së Drejtpërdrejtë.

Për hir të qartësisë…

Për hir të qartësisë, rekomandohet të përfshihet një përkufizim për kredidhënësit. Meqenëse termi “institucione financuese” përdoret aktualisht në ligjin për koncesionet, ne rekomandojmë të mbahet ky term dhe të përkufizohet ai. Gjithashtu meqë e drejta për të ndërhyrë shpesh parashikohet në kontratën e koncesionit si dhe në një marrëveshje të veçantë midis institucioneve financuese dhe autoritetit kontraktues, është propozuar të vendoset në ligj dhe një përkufizim për “Marrëveshjen e Drejtpërdrejtë”.  Shfuqizimi i paragrafit 1.c) të nenit 22. Sipas nenit aktual 22 paragrafi 1.c), thuhet se nëse një institucion financues kërkon zëvendësimin e koncesionarit në përputhje me një klauzolë për të drejtën për të ndërhyrë, procedura konkurruese nuk do të zbatohet dhe autoriteti kontraktues mund të hyjë në negocime drejpërdrejt me një koncesionar pas marrjes së miratimit prej Këshillit të Ministrave. Kjo mbështetet prej nenit 11 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 27 datë 19.1.2007.  Po kështu shfuqizohet  paragrafi 1.c) i nenit 22 dhe shtimin në ndryshim tjetër të tekstit vijues: “Procedurat e përzgjedhjes së koncesionarit sipas neneve 10 deri 23 të këtij ligji nuk zbatohen në rastin e ndërhyrjes nga institucionet financuese. Në çdo rast, koncesionari zëvendësues apo zëvendësuesi që kontrollon koncesionarin, duhet të përmbushë kriteret themelore minimale të zbatuara në fazën e parakualifikimit, nëse ka, siç përcaktohen në procedura e tenderit në lidhje me projektin koncesionar në fjalë, ose çdo kriter tjetër që përcaktohet në kontratës së koncesionit dhe/ose marrëveshjen e drejtpërdrejtë.”  Ndryshimi i paragrafit “p” te nenit 27. Aktualisht, neni 27 paragrafi “p” përmend që kontrata koncesionare mund të përfshijë “të drejtën e ndërhyrjes së financuesve”. E drejta për ndërhyrje mund të trajtohet në mënyrë më të hollësishme në marrëveshjen e drejtpërdrejtë, siç përcaktohet në nenin 27/1.”.

Bëjnë përjashtim…

Në këtë projektligj bëjnë përjashtime koncesionet për sektorin energjetik, për të cilin do të vazhdojë të përdoret edhe për 4 vitet e ardhshëm legjislacioni aktual. Procedurat e koncesioneve, sidomos në energjetikë, kanë qenë edhe më të debatuarat nga forcat politike gjatë viteve të fundit, për mënyrën e dhënies dhe rëndësinë e tyre në ekonominë e vendit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *