Aktori fitues i çmimit “Oscar”, Leonardo Di Caprio u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të mbledhur në Kombet e Bashkuara për të shkuar përtej angazhimeve të tyre, që përmban Marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimatike. “Ne mund të urojmë njëri-tjetrin, por kjo nuk do të thotë asgjë”, nisi Di Caprio fjalën e tij.
“Po, ne kemi arritur këtë marrëveshje. Kjo është një arsye për shpresë. Ju e dini se ndryshimi i klimës po ndodh më shpejt sesa e kishin parashikuar dekada më parë edhe studiuesit më pesimistë të klimës”, tha Leonardo Di Caprio.
Di Caprio foli jo rastësisht mbi këtë çështje kaq të prekshme, pasi ai është i dërguari i OKB-së për paqen, puna e të cilit fokusohet te çështjet e mjedisit. Aktori, i cili me shumë mund arriti të fitonte një çmim “Oscar”, tha gjithashtu se “nipërve tanë do t’u vijë turp nga ne, nëse ata mësojnë se bota kishte fuqinë për të frenuar ndryshimet klimatike, por ka munguar vullneti politik për ta vënë në zbatim”.
