Letër e nënshkruar
Vasil Thanasi
E dashur Dita! Në gazetën prestigjioze tuajën kam lexuar 2 lajme të rëndësishme. E para është se Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankesën e Presidentit për ligjin e pronave. Dhe e dyta, Gjykata Administrative e Tiranës rrëzoi kërkesën e shoqërisë civile (e mbështetur edhe nga Presidenti) që në parkun tek Liqeni Artificial të mos ndërtohet këndi i lojërave për fëmijët. Në këtë artikull të shkurtër po trajtoj vetëm vendimin e Gjykatës Administrative, që ndërtimin sa më parë të këndit të lojërave e presin me padurim qindra dhe mijëra fëmijë dhe pensionistë të Tiranës.
Ju i nderuar z. President kur vajtët atje u mbështetët nga disa simpatizantë të PD-së që e quajnë veten shoqëri civile, e pavarur, por merr urdhra nga SHQUP-i. Ju vajtët për të ndihmuar dhëndrin e Berishës, z. Malltezi, i cili është frymëzuesi i kësaj lëvizje regresive që nuk i do të mirën banorëve të Tiranës. Të kujtohet se para disa vjetëve, po ky Malltezi, gjoja në emër të Bankës Botërore u prishi shtëpitë himariotëve për interesat e tij meskine? Besoj se tani që gjykata i dha të drejtë Bashkisë, ju ka vrarë ndërgjegjja për ato fjalë që thatë atje, edhe pse për këtë bëni mirë, të paktën, të kërkoni falje, ndjesë publike, si para Erion Velisë dhe banorëve të Tiranës, ose të jepni dorëheqje. Se kur flet drejtësia, si në rastin konkret, të tjerët duhet të heshtin. Tani ju mund të kërkoni lehtë si faljen, si dorëheqjen, se nuk keni mustaqe, se po t’i kishit ato do të ishte shumë e vështirë, se burri me mustaqe nuk kërkon falje, e jo më të dorëhiqet.
