Qëkurse vuri poshtë diktatorin e vogël, atë Ramizin e çuditshëm, e kishte marrë vendim se ai duhej të ishte i pari, ai duhej të ishte në krye, ai duhej të bënte “demokracinë e tij” dhe askush tjetër. Shyqyr zoti mjaft shqipo e besonin dhe i shkonin prapa… Por që të mbahej mire duhej të bënte dhe demokratizimin e vendit. Kësisoj shthurri plotësisht ushtrinë dhe policinë-bëri ministra arsimtarë dhe oficerë ish të burgosurit e Enverit,tek e fundit ç’i duhej ushtria Shqipërisë? Nga ana tjetër anatemoi ata kokëkrrisurit e Kosovës që donin të luftonin me armë kundër sërbëve (e papranueshme! Të bënin luftë kundër shqiptarëve kuptohet,por kundër sërbëve?) Duke dashur pra të tregohej se ishte kundër luftës kundër sërbëve, u shiti miqve të tij sllavë naftën shqiptare që të mundnin të lëviznin tanket sërbe kundër shqiptaro-kosovarëve të mallkuar që po i sillnin kokëçarje me luftën e tyre për liri…Pse nuk ishin të lire me sërbët, nuk ishin më të lire se shqiptarët e Shqipërisë në kohën e Enverit? Pastaj nuk i mungonin dhe aletatët kosovarë që qanin akoma me lot për kryetarin Tito…
Ndihej mire duke pasur pushtetin plotësisht në duart e tij dhe askush nuk dukej se guxonte të pipëtinte. Ish komunistët që nuk i ishin bashkuar atij, po përpiqeshin të mirrnin veten se edhe ata donin të hanin dhe nga një ditë në tjetrën, nga komunistë u bënë safi socialistë si ata të perëndimit. Dhe goditjen e pare që mori Saliu ynë ishte kur referendumi për kushtetutën- që ai e kishte bërë si kostum për vete- u hodh poshtë me votat e popullit injorant. Këtë nuk do t’u a falte kurrë shqiptarve mosmirënjohës. Prandaj në vitin 1996 vodhi votat dhe përgjaku opozitën në sheshin përpara pallatit të “tij”. Por nuk vonoi që ëndrra e tij për “revolucion” të bëhej realitet. 1997 e paharruar! Mjerisht punët nuk vane si i kishte parashikuar ai bashkë me kusarët e shoqërive piramidale, për të cilat Sali ynë na kishte thënë :”Me mua (dhe piramidat) fitojmë të gjithë!” Dhe ç’fituam? Nga një kallashnikov në dorë që për fat të keq u kthyen kundër vetë…pressidentin Berisha !(Se ndërkohë ishte betuar president!) Ai kishte tanket dhe aeroplanët (ato që kishin mbetur pa u shitur ose pa u shkatërruar që i kishte lënë diktatura!) . Veçse pilotët nuk vajtën të bombardonin Gjirokastrën ose Vlorën, por u a mbathën(ose më mire fluturuan) për në Itali kurse tankistët u bashkuan me rrebelët… Saliu u shëmb por edhe njëherë nuk i hyri gjëmb në këmbë! Askush nuk i kërkoi të jipte llogari për ato mijra njerëz që humbën jetën gjatë rrebelimit për shkak të politikës së tij “demokratike”! Edhe njëherë pra e hodhi lumin, Nano që e trrashëgoi, megjithse Saliu e kishte burgosur andej nga Bënja, as që mori mundimin të kërkonte nga “drejtësia” shqiptare (cila drejtësi?)të hetohej dhe të gjendej shkaktari i gjakderdhjes së 1997ës,megjithse të gjithë e dinim, ashtu si e dime dhe tani…! Fatosi nuk kishte kohë për gjëra të tilla, ai mirrej më shumë me nusen e re se sa me politikën shqiptare….
Pas disa viteve shqiptarët i harruan të gjitha dhe e votuan përsëri “shpëtimtarin” i cili krekosej se kishte shëmbur diktaturën.. Tashmë ishte më i fuqishëm se kurrë. Nga president që ishte, i kthye kryeministrisë edhe njëherë! (Prej tij mori shëmbull dhe presidenti rus Putini!) Madje dukej më i fuqishëm se kurrë se “ferrat” që kishte nëpër këmbë, si Hajdari, Pashko, Selami e të tjerë, ishin…zhdukur nga skena politike. Ndërsa socialistët kërkonin të gjenin një kryetar të ri (Nano nuk u a kishte ngenë, mirrej me nusen e re, si thamë) ai ndërroi të gjithë gjyqtarët duke vendosur kudo njerëzit e tij, ashtu dhe në polici. Për ushtrinë nuk çante kokën se thjesht nuk kishte! Dhe kur…opozita u zgjua se i ishin vjedhur votat, si thoshte, vendosi të bënte një demostratë përpara kryeministrisë. Por edhe njëherë kundërshtarët e Saliut i bënë hesapet pa hanxhinë! Me britmat e tyre protestuesit i ngacmuan veshët kryeministrit i cili urdhëroi të gardistët e tij të hapnin zjarr që të largoheshin demostruesit e bezdisëshëm…Edhe njëherë asfalti ose pllakat e pallatit të kryeministrisë u lyen me gjakun e shqiptarëve…Katër demostrues të pafajëshëm u vranë në vend. Pastaj erdhi Gërdeci dhe kur një kryeprokurore tentoi të hetonte për demostruesit ose Gërdecin (nuk më kujtohet) ai e pushoi nga puna-thua se kryeprokurorja ishte nëpunësi I tij…Madje e shau në mënyrë rrugaçore duke e quajtur…rruspi ose diçka të përafërt dhe menjëherë vuri në krye të “drejtësisë” shqiptare prokurorin e pëlqimit të vet që ta linte të qetë dhe të mos bezdiste kriminelët e 21 janarit dhe të Gërdecit!
Opozita e atëherëshme bërtise dhe bënte be e rrufe se kur të mirte pushtetin do të vinte drejtësinë në vend dhe se fajtorët e 21 janarit dhe të Gërdecit do të viheshin përpara përgjegjësisë dhe do të mirrnin dënimin e merituar…Kanë kaluar tre vjet qëkurse ka marrë pushtetin dhe nuk është bërë asgjë…megjithse historia e Gërdecit,ku tregohen haptazi fajtorët, u bë film në Amerikë! Saliu e di se e ka kaluar edhe njëherë lumin, e kupton se është i paprekëshëm dhe përditë çirret dhe shan si hamall (i martë të keqen hamallit!) kurse socialistët e Ramës janë ulur këmbëkryq në pushtet dhe bëjnë sikur nuk dëgjojnë ose sikur murmurisin gjysmë zëri… Drejtësia shqiptare? A drejtësia! Flitet se do të bëhet “reformë’ se do të ndryshojnë gjërat dhe…fjalë të majme dhe gurë në trastë. Duke pare dobësinë e kundërshtarëve të tij, Saliu po bëhet përditë më arrogant më provokator… Dhe ja, ish kryeministri, ish presidenti, ish lideri i PDsë hodhi bombën e fundit pa i dërsirë veshi: U bën thirrje shqiptarëve të rrëmbejnë armët-të armatosen, të ngrihen në “rervolucion” që të shëmbin qeverinë e ligjëshme të vendit… Dhe pastaj? Dikush-një minister i kërkoi prokurorisë të ndërhynte-por prokuroria që është në shërbim të Saliut bën sikur nuk dëgjon…Në çdo vend serioz ai njeri kurrsesi nuk duhej të qarkullonte i lire, të bënte përditë deklarata arrogante, por Shqipëria si pranoi vetë Edi Rama, nuk është vend normal. Dhe pse nuk e bën vend normal zoti Edi Rama?
Kam frikë, ose më mire jam i sigurtë se edhe kjo do të kalojë dhe do të harrohet, kurse Saliu do të vejë të bëjë pushimet në vilën që ka në Lalz e ku gjetkë i do zëmra bashkë me familjen e tij…Derisa të marrë përsëri pushtetin.
