Ujëvara e Sotirës, Monumenti natyror më unikal në Shqipëri

Dita

 

Një udhëtim për në Ujëvarën e Sotirës së Gramshit, pavarësisht kapërcimit të shtigjeve të vështira, herë-herë me pengesa, të ngjan se hap brenda teje një hapësirë të mrekullueshme gjelbërimi dhe uji. Është një hapësirë e çuditshme që shoqërohet me dashurinë për natyrën. Me ndërtimin tektonik, natyra ka krijuar mjedise të bukura, peizazhe tërheqëse dhe veçori: male, shpella, kanione, ujëvara, liqene… Mjafton që ne të dimë t’i eksplorojmë ato. Me kureshtjen për eksplorimin e kësaj natyre, si një nga arsyet më interesante, ajo të ofron mundësi t’i largohesh paksa përditshmërisë stresuese.

Një udhëtim i bukur

1614192_683128771815010_8817284443908220863_oPikërisht me pasionin e udhëtarit jemi nisur në Ujëvarën e Sotirës. “High Albania Mountain Club”, organizatore e udhëtimeve, ka vite që mundëson grupe vizitorësh vendas, por edhe të huaj të eksplorojnë natyrën shqiptare. Ujëvara e Sotirës është një nga perlat e natyrës sonë. Por, të shkosh atje është një aventurë, edhe pse ajo ndodhet 16 km larg qytetit të Gramshit, nën këmbët e malit Tomorr.

Udhëtimi ynë drejt Ujëvarës së Sotirës shoqërohet nga një mugëtirë e lehtë, që herë davaritet në qiell e të pengon disi të sodisësh peizazhin parakalues. Për kilometra të tëra të shoqëron rrjedha e lumit Devoll. Prurjet e ujit, herë në njërin krah e herë në tjetrin, gurgullojnë mes zajeve e nëpër brigjet e gjelbërta. Befasohesh me pamjet e maleve në sfond. Grykat e ngushta dhe majat e thepisura, me ndjesinë e tyre madhështore rrethohen nga retë. Që këtu imazhi i malit Tomorr të përshëndet  me rrezet e ngrohta këtë mëngjes.

Pasi përshkon rrugën që kalon në të djathtë të rrjedhës së lumit Devoll, aty ku H/C i Banjës po hedh shtat, e po konturohet si vepër madhore energjetike e Shqipërisë, të shfaqet qyteti i Gramshit. Konfiguracioni i tij shtrihet në një kodër buzë lumit Devoll. Një qytet i vogël dhe me shumë gjelbërim, i krijuar para 60 vjetësh, e që e ka zanafillën nga fshati me të njëjtin emër.

Dikur, para 40 vjetësh, këtu u ngritën fabrika dhe uzina ushtarake, ndërsa sot kjo industri nuk ekziston. U shkatërruan me një egërsi të pashembullt, dhe punëtorët mbetën të papunë, por jo vetëm kaq. Për të përballuar jetën në kushtet e reja që erdhën, shumica me familjet e tyre morën rrugën në emigracion dhe në qytete të mëdha: si Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë.

Në një pushim të shkurtër në qendër të qytetit, e ndjen freskinë që vjen nga mali Tomorr. Është një ajër i dëlirë dhe i pastër si vet mali i lartë. Ajo që të bën më shumë përshtypje në Gramsh, që në fillim, është fakti se banorët janë të qetë dhe të kulturuar, gjithë respekt, që mishërohet në shpirtgjerësinë e tyre.

 

Reliev piktoresk rural

OLYMPUS DIGITAL CAMERA
OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Por le të kthehemi tek udhëtimi ynë i mëtejshëm drejt Ujëvarës së Sotirës. Kalojmë Devollin ujëshumë ndërmjet urës që lidh Gramshin me krahinën e Sulovës. Gjelbërimi e bën më të magjishëm udhëtimin. Ndaj bisedat rrjedhin natyrshëm për udhëtimet, vendet e bukura, eksperiencat. Jani, më i moshuari i grupit të vizitorëve u jep udhë bisedave me informacione të ndryshme. Aleksandri, Roza, Artani ndërhyjnë dhe ajo bëhet më interesante. Fisniku në rolin e ciceronit tregon për ujëvarën, vendet ku do kalojmë, për malin Tomorr e për çdo gjë tjetër. Me këtë rast është për t’u përmendur diçka shumë e veçantë e kësaj krahine të mbushur me lumenj, kodra, pyje, e monumente natyrore, si dhe historike. Një karakteristikë është se rrjedha e dy lumenjve, e Devollit dhe e Tomorricës që kalojnë përbri saj, por edhe e dhjetëra përrenjve që kanë krijuar një peizazh të veçantë. Ajo është një krahinë e punës, mendjes, traditave të rralla e të admirueshme, të mikpritjes, respektit dhe bujarisë. Bukuritë e saj janë magjepsëse dhe një privilegj për çdokush që i viziton ato. Në valëzime kodrash, që zgjaten pa mbarim, e që lartësohen drej malit Tomorr, aty këtu shfaqen vendbanime me pamje mbresëlënëse,  e secili prej tyre  paraqitet me veçanti karakteristike. Kushtet e përshtatshme gjeografike dhe klima e kanë bërë Sulovën të banueshme, që nga koha e hershme e zhvillimit të saj. Dora e njeriut i ka qëndisur akoma më shumë peizazhet e gjelbëruara dhe tokat i kanë mbjellë me gjithfarë bimësh e drurësh frutorë. Duke jetuar me natyrën, sulovarët arrijnë të jetojnë edhe kështu, por dëshpëruese është rruga e pashtruar dhe e ngushtë, ku nuk shkëmbehen dot automjetet, që asnjë pushtet nuk ka arritur të ua ndërtojë ashtu siç duhet. Një rrugë gjarpëruese, që ngjitet e zbret kodrave të buta me ulje e ngritje të vrazhdë, e ku zgjaturinat e tyre priten nga rrjedha e lumit të Tomorricës, i cili i shoqëron për kilometra të tëra.

Ja dhe Sotira!

Makinat ndaluan njëra pas tjetrës dhe ne zbritëm. Rrugëtimi ynë na solli shpejt në Sotirë, e sapo ndalojmë kemi kohë e mundësi t’i hedhim një sy fluturimthi këtij vendbanimi. E ngritur poshtë disa bregoreve, Sotira të shfaqet me ato pak shtëpi çatigri nën hijen e pemëve. Diku më tutje të pret një natyrë e zemëruar me formacione erozionesh të degraduara, por edhe egërsia e peizazhit të braktisur nga jeta e banueshme njerëzore. Mbase kjo ndjesi te shkaktohet kur vështron pamjen mjerane të lagjes së sipërme të Sotirës, që të ngjall një zbrazësi në shpirt me shtëpitë e gurta në rrënim e sipër. Ashtu të rrënuara e sado të braktisura, ato mbeten dëshmitare të pakundërshtueshme të banimit të hershëm, si dhe një trashëgimi për brezat. Largimi i shumë familjeve e ka shuar gjallërinë. Tani ka mbetur vetëm qetësia dhe cicërimat e zogjve, por edhe ndonjë kumbim i zbehtë zile bagëtish.

Peizazhe mahnitës

OLYMPUS DIGITAL CAMERA
OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Duke ngjitur rrjedhën e lumit të Sotirës, që humbet mes gurëve ngjyrë gri me madhësi të ndryshme, e mes gjelbërimit të një pylli që fëshfërin lehtë e të çlodh, morëm rrugën për në Ujëvarë. Rruga është e vështirë, por ky detaj nuk të pengon të sodisim peizazhin me një ndjesi të pakrahasueshme të lëndinave me bar e lule, ajrin e pastër dhe blerimin përthithës të pranverës. Syri të mbushet me kënaqësi. Rrezet e diellit tashmë të ngrohta, e po aq të këndshme në këtë stinë, janë një emocion i veçantë dhe e çiltërsojnë peizazhin. Tingëllojnë cicërimat e zogjve të përzier me zhurmat e tjera të stinës. Vështrimin e marramenduar s’mund ta largojmë lehtë nga tufa bagëtish të përhapura në një pllajë të gjerë. Era lëkund lehtë degët e pemëve me lule, të ngjyrave të ndezura, që shpërndajnë aromën e tyre.

Kështu të joshur nga pamjet e pashlyeshme herë pas here ndalojmë dhe sodisim me kënaqësi bukurinë e peizazhit. I gëzohemi kësaj gjallërie buisëse.

Përballë shfaqen konturet e një shkëmbi gëlqeror me një pamje tërheqëse. Ecën dhe ndjen një shprushje në shpirt, i ushqyer aq magjishëm nga atmosfera e ujëvarës së Sotirës me mrekullinë e saj. Shushurima e rrjedhjes së ujit vjen si muzikë magjepsëse.

Shumë rrallë të ndodh në jetë e natyrisht sytë dhe shpirti të fluturojnë nga gëzimi i pushtuar prej kënaqësisë. Padyshim rruga e gjatë,e aspak e përshtatshme në ngjitje, mbërritja aty dhe pamja mrekulluese me gurgullimën e fuqishme të ujit, të freskon ledhatueshëm e të heq si me dorë lodhjen. Venitet ajo edhe nga pesha e emocioneve, kur sytë përplasen në masivin e mbuluar me borë të malit Tomorr.

Artani, më entuziasti i grupit tonë tund kokën, buzëqesh duke shijuar pamjet. Jemi përpara një mikrobote mrekullie, me ujëra që rrjedhin tërsëllëm prej barkut të shkëmbit, dhe që shkumëzohen pa pushim. Këtu hijezimi i pyllit me drurë të llojeve të ndryshme dhe të harlisur, por edhe lëndinat me bar e lule, të dhurojnë një tjetër kënaqësi çlodhëse, ashtu si ajri i lagësht, që drithërohet nga forca e ujit e të shpupurit flokët.

E bukur në çdo stinë

Ujëvara e Sotirës është veçanërisht tërheqëse në pranverë, kur edhe bora e malit fillon e shkrin, por në periudhën e verës ajo shteron prej uljes së nivelit të ujërave. Lidhur me këtë ujëvarë, gjeologu Selim Marishta, bir i Sotirës, shkruan se ajo buron në rrugëfshehjen brenda shkëmbinjve gëlqerorë të malit të Tomorrit. Sipas Marishtës, ajo është një ujëvarë unikale në vendin tonë, si për nga forma e daljes ashtu edhe e derdhjes së ujit në trajtë çurgjesh.

Ujërat e saj dalin nga dy tre çarje, njëra përmbi tjetrën. Pak metra nga ujëvara gjendet edhe një katarakt që rrjedh nga përroi i fshatit Dardhë të Beratit. Uji rrëzohet me uturimë mbi 100 m, duke u përplasur në fund të shkëmbinjve mbi disa gurë të mëdhenj, për të krijuar një pellg të vogël me ngjyrë të gjelbër. Pas rënies ujëvara rrjedh në një lum të vogël, por këto dy vitet e fundit ndërmjet një kanali ekologjik, e kanë bërë ekonomike atë me fuqinë prodhuese për të përfituar energji nga një H/C i vogël.

Epilog

Ja kështu të ngazëllyer nga ajo ç’ka vështruam në udhëtimin tonë magjik me qetësinë e lëndinave të gjelbëruara, Tomorrin madhështor dhe ujëvarën, pikërisht aty ku edhe u çlodhëm,  nisëm sërish rrugën e kthimit nën morinë e përshtypjeve. Në ambientet mirëseardhës të një lokali, teksa pimë kafenë e kthimit, ke dëshirë që të shohësh sy më sy malin madhështor dhe banorët e Sotirës. Është një dialog pa zë, por shumë nënkuptues. Ndaj, epitetet më të zgjedhura për të janë të pamjaftueshme dhe jo aq metaforike. Sepse, këtu e prek gjelbërimin, ndjen freskinë, aromën flladitëse të luleve, vështron bardhësinë e borës, lëndinat, ngjyrat e këndshme, dëgjon tingujt gjallërues, blegërimën e bagëtive në kullota, ndaj në shpirt lumturohesh. Duke falënderuar, shtrënguam duart miqësisht me ata që na dhanë mundësinë e shijimit të kësaj kënaqësie, që rrallë ndonjëherë mund ta përjetosh, duke ëndërruar për rikthimin.

I rritur me Tomorrin në sy e në zemër!

 

Tomorri është një nga malet më madhështore në Ballkan, dhe pamjen më të bukur e ka në krahinat e Gramshit. I magjepsur s’ngopesh duke vështruar këtë mal, mahnitës e mbizotërues ai shpaloset gjithmonë, i mbuluar majave me qeleshen e borës.  Ecim dhe në qiell grumbuj resh të bardha shtëllunga – shtëllunga shfaqen lartësive të malit. Dielli i ngrohtë rrethuar nga copëza qielli të kaltër në kurorën e tij, e ka hedhur vellon shkëlqyese. E sodit dhe të jep të drejtën të meditosh në heshtje. Me madhështinë shekullore të shenjtërisë, perënditë e kanë bekuar atë, edhe me ujin kristal të burimeve, e  bukuritë e pamata të pyjeve dhe shkëmbinjve.

I kam admiruar përherë këto vise dhe i kam shijuar që në fëmijëri, duke ruajtur vazhdimisht dëshirën për të ardhur kohë pas kohe me kujtime e mbresa të bukura. Ndaj, nuk i shmangem dot emocioneve kur i shkel përsëri. Bashkë me mua ecën edhe fëmijëria me imazhin e Tomorrit madhështor, që të tërheq me pamjen e tij të paharrueshme dhe emocionale si një ëndërr, të kërleshur nga retë e bardha.

 

Gramshi, vendi i mrekullive turistike…

…por, fatkeqësisht, me një infrastrukturë nga më mjeranet në vendin tonë

 

Qyteti i GramshitNdonëse, infrastruktura rrugore le shumë për të dëshiruar, kjo vështirësi bëhet e papërfillshme çdo ditë nga dhjetëra adhurues. I duhet thënë lexuesit, se të gjitha zonat dhe krahinat e Gramshit janë vende me kontraste gjeografike dhe peizazhe të mrekullueshme, që dita-ditës po kthehen në një shkretëtirë të mjerueshme. Në përgjithësi ato i ka mbërthyer një zhgënjim, që vështirë të tejkalohet shpejt. Madje rruga e keqe dhe kushtet më elementare të jetës e kanë bërë pjesën më të madhe të banorëve që të braktisin këtë trevë dhe të largohen. Si kudo, ku më shumë e ku më pak, të njëjtat probleme ka. Por, në krahinat e Gramshit shenjat e braktisjes janë të dukshme.

Po çfarë po mbetet pa emigruar? Pyjet po ia shkatërrojnë, gurët po ia marrin. Është fatkeqësi që ajo po shkatërrohet nga babëzia e pandalshme njerëzore nën fjalën zhvillim. Është një katastrofë si shumë të tjera drejt degradimit, ashtu si shoqëria edhe flora e fauna jonë. Me tepër se kurrë, tani njerëzit duhet t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të ndalin rrënimin e natyrës, por edhe institucionet duhet të mendojnë më shumë për turizmin malor, pasi natyra e ka bërë punën e saj.

Nëse në Ujëvarën e Sotirës, Kanionin e Holtës, Shkëmbin e Kopaçit, Liqenin e Zi, Shpellën e Kabashit, Grabovë, Kanionin e Seraselit, Kalanë e Irmajt apo edhe të Tërvolit, infrastruktura e rrugëve me terrene të vështira shkon në nivelin e duhur, as diskutohet që e gjithë treva e Gramshit do të ketë gjallërinë e vendeve turistike. Madje mund të bëhet e zhvilluar nga ana ekonomike dhe sociale, si një magji pak e eksploruar. Gjithçka varet nga vullneti, jo vetëm i pushtetarëve, por edhe i banorëve, që të japin kontributet e tyre. Ndoshta nuk është momenti për të shkruar më gjatë për këtë gjë, por kjo evidenton krizën e thellë morale në thelb të të paaftëve, që përpëliten në kërkim të identitetit të humbur në pellgut ujëqelbur të një përditshmërie të amullt dhe pa ide. Ndaj, me potencialin panoramik, kulturor e historik që ka kjo trevë kërkohet më shumë impenjim për ta bërë atë të vizitueshme, jo vetëm nga vendasit, por edhe turistët e huaj. Gjithsesi, duhen përgëzuar iniciativat e gramshiotëve, që në faqet elektronike sensibilizojnë opinionin për bukuritë e peizazheve të trevës. 

 

Share This Article
3 Comments
  • Me të vertete nje monument unikal i natyres shqiptare që të befason. Gjithnje keto reportazhe i lexoj me kenaqesi, e sidomos kur autoret
    i veshin bukur me fjalen, ngjyrat e mrekullueshme, perjetimet, ndjeshmerite, vlerat historike, por edhe duke evidencuar problematiken reale e shqetesuese. Pergezime autorit!

  • Vertet reportazh i mire qe na bene me kerkuar e vizituar kete vend e na qeteson nga prodhimi falco i politikaneve tone Duke iu treguar edhe deshtimet e tyre!
    Ma shume per artikel per vendi tone,e ma pak hapesire per deshtaket tone ,kjo do ishte kerkesa jone per gazetat shqiptare!

  • Z. Gorica, m’u duk për një çast se e kisha përshkruar edhe unë atë udhëtim. Keni një gjuhë të pastër dhe të pasur, që tregon për nivelin tuaj të lartësi artistik dhe me shumë botë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *