Kukësi-Partizani, vendimtare për objektivat e të dy klubeve

redaktor

Në “Zeqir Ymeri” luhet një 90 minutësh deçiziv jo vetëm për Kukësin dhe Partizanin, por edhe për fatet e kampionatit. Verilindorët synojnë të përforcojnë pozitat në vendin e tretë ndërsa kryeqytetasit për të sulmuar titullin aq shumë të dëshiruar.

Skuadra e Klodian Duros për momentin po kalon formën më të mirë pasi midis kupës dhe kampionatit ka regjistruar 8 fitore dhe 2 barazime në 10 sfidat e fundit. Për më tepër në shtëpi nënkampionët janë të pamëshirshëm, teksa së fundmi kanë mposhtur në kampionat Skënderbeun.

Në krahun tjetër Partizani ka treguar se nuk mund të thyhet thjeshtë, pasi humbja e fundit regjistrohet në kupë ndaj Laçit më 23 janar. Megjithatë forca sulmuese dhe suksesi nuk duken shumë të njohura për 15 herë kampionët, pasi në 13 sfidat e fundit kanë alternuar 7 fitoret me 6 barazime.

Në favor të kryeqytetasve janë shifrat në duelet direkte, pasi në 10 sfidat e luajtura në elitën e futbollit shqiptar janë regjistruar 7 fitore për Partizanin, 2 barazime dhe 1 fitore për Kukësin. I vetmi sukses për verilindorët është 3-0 në 14 shkurt të 2015, kur golat shënoheshin nga Pejiç, Zeqiri dhe Shameti. Vetëm mbrojtësi është sot pjesë e skuadrës, dhe madje shihet si një lider në fushë, por që prezenca e tij në fushë është në dyshim për shkak të një dëmtimi.

Në krahun tjetër Agostinelli ka grupin e plotë dhe duhet të respektojë historinë në “Zeqir Ymeri” nëse kërkon të plotësojë dëshirën e tifozerisë së kuqe për të risjellë titullin në kryeqytet.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *