Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes. Dëshmitë e Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve për eliminimin e Nako Spiros, Enver Hoxhës dhe drejtuesve të tjerë të pabindur.
Dëshmitë: Rankoviçi interesohej direkt për Koçi Xoxen duke dhënë udhëzime nëpërmjet agjentëve të Sigurimit për intensifikimin e përpjekjeve për kthimin e Shqipërisë në Republikë të 7-të të Jugosllavisë.
(Vijon nga numri i kaluar)
Në ditën e dytë të gjyqit kundër Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për veprimtari armiqësore kundër Partisë e interesave të vendit, përballë fakteve, i pandehuri kryesor Xoxe detyrohet që të dëshmojë bindjen e tyre në realizimin e planeve jugosllave, deri dhe me armë. “Nako Spiro më tha se po nuk ju bind Enveri jugosllavëve,
e largojmë me kobure!” – dëshmon mes të tjerave Koçi Xoxe.
Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë me të pandehurin Koçi Xoxe. Sa herë je takuar me Velimir Stojniçin në Berat dhe çfarë keni biseduar?
Koçi Xoxe: -Në Berat jam takuar 2-3 herë me Velon dhe kam biseduar po mbi ato kritika… Domethënë se Mukja kishte qenë oportuniste dhe Labinoti ishte bërë i ngushtë, domethënë se kishte pasur oportunizëm në Mukje dhe sektarizëm në Labinot. Ai më tha dhe për qëndrimin sektar kundër Skënder Muços që ishte një nga udhëheqësit e Ballit Kombëtar… Foli edhe për çështjen e Frontit…
Prokurori: -Çfarë tha Velo për Frontin?
Koçi Xoxe: -Për Frontin, Velimir Stojniç tha se duhet ngritur e zgjeruar. Në fakt, në Front hyri pastaj edhe Cen Elezi dhe Riza Kishta, sepse për ta pati simpati në krahinat e tyre.
Prokurori: -Ku ishte qëllimi i kritikave të jugosllavëve?
Koçi Xoxe: -Qëllimi i kritikës së jugosllavëve ka qenë për të goditur edhe ata që kanë pasur prapamendime…
Prokurori: -I shërbeve ti këtij qëllimi të jugosllavëve?
Koçi Xoxe:- Unë u bëra mbështetja e jugosllavëve, e të dërguarve të Titos.
Prokurori: -A u dëmtua Partia, populli, Lufta Nacional-Çlirimtare nga kjo mbështetje që u bëre ti jugosllavëve?
Koçi Xoxe: -Po, nga kjo mbështetje u dëmtua Partia, populli dhe vendi jonë… Dhe kjo pati konsekuenca të dëmshme.
Prokurori: -Si ishte platforma që shtronin jugosllavët dhe a ishte kjo mënyrë veprimi e jotja një shkelje e rregullave të Partisë?
Koçi Xoxe: -Bisedimet që bëja me jugosllavët ishin shkelje e rregullave të Partisë dhe këto kanë qenë pjesë e platformës që godiste vijën e Partisë dhe këtë platformë, unë e pranova. Pranova gjithashtu se duhej zgjeruar Fronti…
Prokurori: -Si quhet kjo punë që keni bërë ju?
Koçi Xoxe: -Po, puna jonë në Berat nuk ka qenë punë fraksioni…
Prokurori: -Po ç’bënë ata në Durrës që u konsiderua puna e tyre si fraksion?
Koçi Xoxe: -Ata atje bënë organizimin, biseduan me njëri-tjetrin…
Prokurori: -Domethënë se ata në Durrës krijuan një grup që punonte jashtë rregullave të Partisë dhe ku përfunduan ata?
Koçi Xoxe: -Ata u ç’regjistruan nga Partia, u quajtën si kundërshtarë të Partisë dhe dy prej tyre u ekzekutuan.
Prokurori: -Po kjo puna juaj prapa shpinës së Partisë nuk ishte një gjë identike me atë të atyre në Durrës? Ju i pandehur Pandi Kristo…
Pandi Kristo(I pandehur): -Puna në Berat ka qenë një punë prej grupi, siç kam thënë edhe në procesin hetimor…
Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Koçi Xoxe që a e di se Sejfulla Malëshova ka marr kontakte vazhdimisht me Velimir Stojniç?
Koço Xoxe: -Atëherë nuk e dija, por më vonë e mora vesh që Sejfulla Malëshova ishte takuar me Velon. Po ashtu edhe Ymer Dishnica.
Prokurori: -A ka pasur dijeni Byroja për bisedimet e tua me Velon dhe platformën që është shtruar me të?
Koçi Xoxe: -Byroja nuk ka pasur dijeni për bisedimet tona me Velon dhe për platformën që kemi biseduar në mbledhje me Velon…
Prokurori: -Çfarë e quan ti këtë punë, bisedën me Velimir Stojniç fshehurazi udhëheqjes?
Koçi Xoxe: -Këto bisedime quhen mbledhje jashtë udhëheqjes, por ne i biseduam për të ndrequr edhe disa gabime në punën e udhëheqjes.
Prokurori: -A ishte e rregullt të bisedonit me të dërguarit jugosllav prapa shpinës së Partisë?
Koçi Xoxe: -Bisedonim atje lidhur me disa njerëz që do të vinin në Byro. Bisedoja me Stojniç se kisha besim tek ai, kishte besim dhe ai tek unë.
Prokurori: -A nuk ka qenë kjo puna juaj një punë grupi?
Koçi Xoxe: -Punën në Berat e konsideroj si një punë prapa shpinës së Partisë e udhëheqjes, e quaj një punë me frymë grupazhi, në frymën e grupeve të vjetra.
Prokurori: -I pandehuri tha se kishte pakënaqësi kundrejt Sekretarit të Përgjithshëm, Enver Hoxhës. Të na thotë që kur i ka pasur këta pakënaqësi?
Koçi Xoxe: -Që në Përmet kam pasur pakënaqësi me Sekretarin e Përgjithshëm, Enver Hoxhën.
Prokurori: -Kur Velimir Stojniç solli akuzat, ju ishit tre veta të marrë vesh që më parë, ndërsa njëri, Sejfullai, si i katërt, por jo në marrëveshje me ju… A është kështu?
Koçi Xoxe: -Kur erdhi Velimir Stojniç, unë njihesha mirë me Nakon dhe me Pandin, pra njiheshim tre veta. Kam ditur se edhe Sejfulla Malëshova, pas Tempos, kishte bërë kritika. Kështu që me Sejfullanë ne ishim katër. Por këto akuza i pranoi i tërë Komiteti Central dhe Byroja.
Prokurori(Bedri Spahiu): -Mos do të thuash që i pranoi dhe Enver Hoxha, Byroja? Po, këta i pranuan por me dallaveret tuaja të poshtra… Po kjo gjendje e krijuar kështu duke qenë 4 veta në favor të Tezës së agjentëve jugosllavë, a nuk ishte një mbështetje për ta?
Koçi Xoxe: -Po. Kjo, sigurisht ishte një mbështetje për tezën jugosllave dhe Velo kishte qëllimet e tij, të cilat ne i mbështetëm…
Prokurori: -Po pse të zgjodhi pikërisht ty Stojniç dhe nuk zgjodhi Enver Hoxhën, Sekretarin e Përgjithshëm. Pse bisedove ti me Velon në Odriçan apo pse ti ishe më i predispozuar për këtë gjë?
Koçi Xoxe: -Velimiri m’i tha mua se e dinte që kishte rezistencë nga Miladini… Velo e dinte se haste pengesë e rezistencë nga Sekretari i Përgjithshëm.
Prokurori: -A ishte një inkurajim për jugosllavët fakti se 4 veta të udhëheqjes kishin pranuar akuzat e tyre.
Koçi Xoxe: -Po. Fakti që ishim 4 veta në favor të tezës së jugosllavëve, ishte një inkurajim për ta… E drejta ishte që kritikat Stojniç t’ia bënte Sekretarit të Përgjithshëm, nëse nuk donte që ta eliminonte…
Prokurori: -Sikur të mos i kishte pranuar kritikat e agjentëve jugosllavë Sekretari i Përgjithshëm(Enver Hoxha), të na thotë i pandehuri Koço çfarë do të ndodhte?!
Koçi Xoxe: -Unë kisha besim se Sekretari i përgjithshëm do i pranonte, por po të mos i pranonte, nuk di se çfarë zgjidhje do i jepej çështjes.
Prokurori: -Do të kërkonit rrëzimin e tij apo zgjidhje tjetër?
Koçi Xoxe: -Një gjë e tillë, as u shtrua, as u bisedua. Nako tha se mbeti për oportunitet Enver Hoxha si Sekretar i Përgjithshëm. Dhe Nako ka thënë: “Po nuk u bind, ka kobure!”
Prokurori: -Kur t’i ka thënë këto Nako?
Koçi Xoxe: -M’i ka thënë në Tiranë.
Prokurori: -Nako është i vdekur dhe i pandehuri mund të thotë çdo gjë, dhe këtë e invokon si mbrojtje. Por është gjallë Partia, që ka fakte dhe dokumente të gjalla për tradhtinë e kriminelit Koçi Xoxe.
A ja ke thënë ti i pandehur Enver Hoxhës këto që të ka thënë Nako Spiro?
Koçi Xoxe: -Jo, nuk ja kam thënë.
Prokurori: -I pandehuri Pandi Kristo! A ka vazhduar i pandehuri Koçi të bisedojë me ty vazhdimisht dhe pas Plenumit të VIII-të?
Pandi Kristo(I pandehur): -Po. I pandehuri Koçi ka biseduar me mua dhe ka dashur të më përgatisë të mbroja tezat e tij që të qëndroja në pozitat e gabuara…
Prokurori: -Ç’ndodhi në Byro para Plenumit të VII-të dhe a kanë qenë thirrur të gjithë shokët e Byrosë në mbledhje?
Koçi: -Në mbledhjen e Byrosë nuk u thirrën shokët Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Liri Belishova dhe Fadili… Këta të fundit, ishin kandidatë të padeklaruar…
Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Pandi Kristo se cili ishte flamurtari në Plenumin e VII-të?
Pandi Kristo: -Si flamurtar doli i pandehuri Koçi Xoxe.
Koçi Xoxe: -Unë kisha flamurin dhe dhashë tonin për çështjet e brendshme.
Prokurori: -Kur ti kishe gjithë situatën në dorë dhe e luan Partinë e Pushtetin nën gishta, si mundi t’u rezistonte Sekretari i Përgjithshëm gjithë atyre shpifjeve që ishin kurdisur prej teje? Ti ke dalë me një plan politik, cili ishte armiku që të pengonte në këtë plan?
Koçi Xoxe: -Si armik konsiderohej Nako Spiro.
Prokurori: -Po tjetër kush ishte?
Koçi Xoxe: -Përkrahësit e Nakos ishin Enveri, Mehmeti, Lirija.
Prokurori: -Atëherë ti ke qenë kundër vijës së Partisë e Sekretarit të Përgjithshëm Enver Hoxha?
Koçi Xoxe: -Tani e shoh që vija e Sekretarit të Përgjithshëm ishte e drejtë.
Prokurori: -Atëherë i pandehur, në bashkëpunim dhe në koordinim me agjentët e Jugosllavisë, keni bërë një spostim, duke goditur Nakon, objekt kryesor ka qenë goditja e Sekretarit të Parë, Enver Hoxha?
Koçi Xoxe: -Po, në Berat, uniteti i udhëheqjes u rrit.
Prokurori: -A të ka thënë Enver Hoxha se ke hyrë në rrugën e shtrembër? A e pranove ti?
Koçi Xoxe: -Sekretari i Përgjithshëm më ka thënë, por unë nuk e pranova.
Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Pandi Kristo si është çështja e një grushti nga jashtë?
Pandi Kristo: -Kur bisedonim për zgjerimin e Byrosë, Koçi më ka thënë se ne një ditë do të përleshemi ose do të hamë ndonjë grusht nga jashtë.
Prokurori: -A e di i pandehuri Koçi Xoxe se para arritjes së akuzave jugosllave, Rankoviçi kishte pyetur nëse ishte kthyer Koçi Xoxe në Shqipëri?
Koçi Xoxe: -Më vonë mora vesh se Rankoviçi kishte pyetur nëse isha kthyer unë nga Bashkimi Sovjetik…
VENDIM: Pasi ora kaloi, audienca shtyhet për datën e nesërme, 13/V/1949, ora 14:30.
Tiranë, më 12/5/1949
(Firmat e Kryetarit, dy anëtarëve dhe sekretarit)
(Vijon nesër)
Përgatiti: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Seancën e tretë të gjyqit kundër Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve. Akuzat e Xoxes ndaj Nako Spiros për tradhti ndaj Atdheut.
-Debatin e të pandehurit Koçi Xoxe me Frederik Nosin, Kryetarin e trupit gjykues: Nuk jam dakord me akuzën, më akuzon Bedri Spahiu që më ka patur 5 muaj në hetim.
-Dëshminë e të pandehurit Vaskë Koleci: Koçi Xoxe grumbullonte e kontrollonte gjithë informacionin në Ministrinë e Brendshme dhe ja fshihte Enver Hoxhës e udhëheqjes.

Komunizem por te ndare ne dy parti politike,ku njera luftonte partin tjeter,edhe pse kishin nje emer,por teza te ndryshme per te ardhmen!
Kisha degjuar perpara viteve 90 punen e Bedri Spahiut si prekuror ne ceshtjen e Koci Xoxes,por tani mbase mbas 30 vitesh,po mar vesh te verteten!
Me kujtohet,perse ish ministri Brendshem Hekuran Isaj, vizitoj brenda burgut te Burrelit ish kundershtaret e Enver Hoxhes te denuar per pikpamje te kunderta politike!
Enver Hoxha po jepte Shpirt,por ne mendje kish maskaralleqet qe ju kish bere atyre qe e kundershtonin,prandaj dergoj ministrin e brendshem per tu siguruar plotesisht se kundershtaret ishin nen siguri te plote!
Shum nga te denuarit,kundershtare te Enver Hoxhes dinin gjithcka per sa i perket Koci Xoxes,por u denuan mbas Pushkatimit te tij,dhe nuk guxonin te flisnin hapur edhe te denuar politikisht,nga reprezaljet qe mundet tu beheshin ne kete burrg!
Diktatori Islamik Enver Hoxha duhej vertet te eleminohej,ashtu si e ka pas ne mendje Koci Xoxe,si e vetmja menyre per perparimin e Shqiperise ne politikat Rajonale,qofte edhe ndaj Jugosllavise se Titos si nje sistem politik i perparuar Socialist liberal!
Lerini keto tema te vjetrueme aq sa te bajn me vjelle!