Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka marrë pjesë ditën e sotme në prezantimin e projektit të aksit rrugor, Çorovodë-Përmet. Gjatë fjalës së tij Meta deklaroi se ky është një projekt mjaft i rëndësishëm i cili sipas tij kërkon transparencë dhe konsulencë me qytetarët. “Është një projekt shumë i rëndësishëm ndaj ka nevojë për transparencë dhe konsulencë maksimale me qytetarët. Ky duhet të jetë një projekt i rëndësishëm, standard maksimal dhe me një kosto sa më të ulët. Kjo rrugë do të kaloj në standardet e këtij projekti që u prezantua”, u shpreh Meta.
Kryetari i Kuvendi deklaroi se përmes kësaj rruge i jepet fund izolimit të Skraparit dhe njëkohësisht, krijohet korridor i ri për të gjithë zonën jugore dhe juglindore të vendit. “Krijon shumë mundësi edhe për banorët e Beratit dhe të shumë rretheve të tjera, pra jo vetëm të Skraparit dhe të Përmetit. Dhe natyrisht që rruga që do të lidhë Skraparin me Përmetin, është një rrugë me vlera të shumëfishta sepse në radhë të parë bashkon dy nga luginat më të bukura të Shqipërisë, Luginën e Osumit me Luginën e Vjosës. Së dyti bashkon në një ofertë të re turistike dy kryeqendrat të kulturës dhe të historisë sonë që janë dhe pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s, Beratin dhe Gjirokastrën, por dhe turizmin e aventurës që ofrojnë si kanionet e Skraparit, ashtu edhe ato të Përmetit”, shtoi Meta.
Duke vlerësuar potencialet e jashtëzakonshme që ka kjo zonë, z.Ilir Meta deklaroi se rruga e re është një mundësi për zhvillimin e turizmit dhe të agro-turizmit. “Padyshim që është një mundësi për të zhvilluar bujqësinë, blegtorinë dhe agro-përpunimin në të gjithë këtë hapësirë. Për të ulur kostot e prodhimit dhe transportit për të gjithë fermerët dhe natyrisht për ti dhënë një dimension të ri dhe më cilësor jetës në Skrapar dhe Përmet. Unë besoj se ajo që na mbetet të gjithëve është që punojmë më shumë për t’i kthyer këto avantazhe në një burim më të madh të mirëqenies për banorëve të këtyre zonave dhe të edukimit të fëmijëve tuaj”, vijoi Meta.
