Me nismë të Eurorajonit Adriatiko-Jonian dhe Kryetarit të Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi, u mbajt sot në Tiranë Konferenca Ndërkombëtare me temë “Zhvillimi i agroturizmit, mjet për zhvillimin socio-ekonomik të rajoneve tona”.
Qëllimi i Konferencës ishte diskutimi i zhvillimeve më të fundit në Eurorajonin Adriatiko Jonian dhe diskutimi mbi aktivitete dhe projekte të ardhshme mes vendeve të këtij rajoni për zhvillimin e koordinuar të agroturizmit si mjet për zhvillimin socio-ekonomik të rajoneve Adriatiko Joniane, në kohezion me objektivat e Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko Jonian (EUSAIR) si dhe të ndajë përvoja pozitive dhe sfida në drejtim të qeverisjes vendore.
Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe President i Eurorajonit Adriatiko Jonian, Aldrin Dalipi theksoi se synimi i kësaj konference ishte marrja e ideve dhe e shembujve pozitivë të cilët frymëzojnë dhe nxisin drejt rrugës së përbashkët të zhvillimit, jo vetëm në nivel rajonal, por në gjithë nivelet e qeverisjes vendore.
“Tirana, që na mirëpret sot të gjithëve, përtej metropolit plot ngjyra dhe “vrapit” të saj për t’u bërë çdo ditë e më shumë evropiane, në standardet e jetesës është një rajon me burime akoma të pashfrytëzuara. Rajoni i saj ofron bregdetin e virgjër, klimën e mrekullueshme dhe terrene që presin të zhvillohen,” u shpreh zoti Dalipi.
Në konferencë mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili mbajti një fjalë kushtuar mundësive që ekzistojnë për të zhvilluar agroturizmin, duke përfituar edhe nga përvojat e vendeve të tjera. Z. Veliaj vlerësoi se Tirana me natyrën dhe klimën e saj, ofron mundësitë e nevojshme për zhvillimin edhe të këtij lloj turizmi.
“Unë besoj se secili prej nesh vjen në këtë tavolinë dhe sjell asetet që ka, dikush ka detin, dikush verën, dikush muze të Luftës së Ftohtë, të paimagjinueshme në vende të tjera. Besoj se të gjithë mund të kemi një paketë turistike rajonale, ku secili mund të mësojë nga tjetri, secili mund të shfrytëzojë maksimalisht të gjitha asetet që ka”, tha Veliaj.
Duke iu referuar pikërisht natyrës, Veliaj shtoi se zona mes Tiranës dhe Kavajës ka rreth 100 liqene, të cilat fare mirë mund të shfrytëzohen për të rritur potencialet turistike të zonës. Kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës po punon me arkitektë italianë për të aktivizuar gjithë zonën e Parkut të Kasharit dhe për të zhvilluar aty turizmin dhe agroturizmin.
Nikola Dobroslavić, President i Eurorajonit Adritiko Jonian dhe njëkohësisht President i Rajonit të Dubrovnikut në Kroaci, theksoi rëndësinë e projekteve të përbashkëta mes tre vendeve, në fushën e agroturizmit, përmes shkëmbimit të eksperiencave më të mira dhe evidentimin e atraksionit agroturistik të secilit vend.
Dobroslavić solli eksperiencën kroate në këtë fushë, ku nënvizoi se, “strategjia që po zbatojmë në Dubrovnik, për zhvillimin e agroturizmit ka si komponent të saj, infrastrukturën rurale, prodhimin tradicional, prodhimin e verës autentike dhe shtëpitë karakteristike”.
Presidenti i Eurorajonit Adritiko Jonian vlerësoi se “Shqipëria ka resurse, natyrë dhe peizazhe të pa eksploruara ende por, ajo e cila duhet të marrë vëmendje, është se duhet të bëhet gjithçka për të zhvilluar jetën rurale.”
Zv. Presidenti i Eurorajonit Adriatik Jonian dhe njëkohësisht Presidenti i rajonit të Abruzzos, Itali, z. Luciano D’Alfonso, u ndal në rëndësinë e projekteve të përbashkëta rajonale agroturistike, si modeli që do të duhet të zhvillojnë vendet tona.
“Shqipëria si një vend që aspiron Bashkimin Evropian, duke u përfshirë në projektet rajonale, do ta ketë më të lehtë të përfitojë nga fondet e BE-së, për zhvillimin e agroturizmit dhe agrobiznesit si sektorë strategjikë të ekonomive tona”.
Konferenca nënvizoi se, ripopullimi i zonave rurale, rritja e lëvizjes turistike si dhe zhvillimi i formave të reja të turizmit, e kanë kthyer turizmin në një mjet efektiv për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të një vendi. Agroturizmi është faktor i ndryshimeve të thella jo vetën në ekonomi, por edhe në organizimin social e kulturor të një rajoni. Qëllimi i projekteve të përbashkëta rajonale, do të japë mundësi për promovimin e relieveve, traditës, historisë dhe kulturës rurale për zhvillimin e agroturizmit në rajon.
Gjatë takimit, partnerët diskutuan progresin e aktiviteteve të projektit dhe fillimin e ardhshëm të platformës agroturistike. Objektivi kryesor është zhvillimi i një platforme për të strukturuar bashkëpunimin midis autoriteteve lokale rajonale për zhvillimin cilësor të agroturizmit, me qëllim kapërcimin e pengesave gjeografike dhe kufitare dhe krijimi i një atraksioni agroturistik për të gjithë Bashkimin Evropian. Platforma rajonale agroturistike, do të bëhet një pikë referimi për autoritetet lokale për hartimin dhe zbatimin e projekteve të reja ne këtë fushë të rëndësishme të ekonomisë.




