Zgjedhjet paraprake në SHBA: Trump fiton të 5 shtetet, Clinton në 4

Elton Tafaruci

Kandidati republikan Donald Trump, sipas parashikimeve, ka fituar në të 5 shtetet ku u zhvilluan zgjedhje paraprake të martën. Fitorja e çon atë një hap më pranë emërimit nga partia si kandidat i saj për president.

Trump parashikohet të ketë fituar në Kënektikat, Delauare, Mariland, Pensilvani dhe Rode Ajlënd.

Donald Trump shkoi në zgjedhjet e së martës me 845 delegatë, i ndjekur nga Cruz me 559 dhe Kasich me 148.

Ted Cruz dhe John Kasich, dy rivalët e tij republikanë,  kanë rënë dakort që në shtetet që kanë mbetur në javët e ardhshme, të bashkëpunojnë për të mos lejuar Trumpin të sigurojë numrin e duhur të delegatëve, duke detyruar partinë ta zgjedhë kandidatin gjatë ditëve të kuvendit në korrik.

Gjatë një takimi elektoral në shtetin e Indianës, ku zgjedhjet paraprake zhvillohen javën tjetër, Ted Cruz e pranoi se ai nuk do të fitonte në ndonjë prej shteteve të martën, por u tha mbështetësve të tij të mos mendojnë se ai nuk ka shanse, pasi ai pret të dalë mirë në Indiana javën tjetër dhe në Nebraska, më 10 maj.

Trump e quajti fushatën kundër tij “Të ndalim Trumpin” një përpjekje “të mjerë” dhe e akuzoi Partinë Republikane se po e trajton atë padrejtësisht, duke e cilësuar sistemin e emërimit si të “manipuluar”.

Sipas një ankete të fundit, ai gëzon 50 për qind mbështetje mes votuesve republikanë në mbarë vendin. Kjo është hera e parë që ai siguron mbi 50 për qind, sipas anketës së  “NBC News/Survey Monkey”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *